Lufta e narkosve në Amazonë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Në pyllin tropikal të Brazilit bandat kriminale konkurrojnë territorin për të kontrolluar trafikun e drogës drejt Europës

Diçka nuk shkon në fshatin Boa Frente, në pyllin tropical të Brazilit. Disa dhjetëra kasolle prej druri, në një zonë mbi lumin Madeira, në mesin e pyllit të dendur amazonas, mund të jenë parajsa. E megjithatë ditën njerëzit kalojnë kohën të shtrirë nëpër hamakë, duke shikuar telenovelat në televizore të mëdhenj me ekran të sheshtë. Gratë i hedhin plehërat nga dritaret në pjesën e prapme të kasolleve dhe i bëjnë manikyret njëra tjetrën. Midis pemëve të manokut dhe pulave që kakarisin spikasin disa kamionçina të reja flakë, një fakt i pazakontë për një vend ku pothuajse nuk ka rrugë dhe banorët nuk kanë para për të shkuar tek mjeku.

Kurioziteti nuk është i pëlqyeshëm

Këtu valuta në qarkullim nuk është reali, por benzina e ruajtur në shishe plastike 1.5 litërshe, që shërben për kajakët me motor. Gjatësitë në lumë nuk maten me kilometra apo me orë, por me shsishe. Vetëm rreth mbrëmjes mund të shikohet pak lëvizje: burrat nisen drejt kajakëve me motor edhe pse nuk arrihet të kuptohet se çfarë po shkojnë të bëjnë. Në barin afër lumit, afër pikës së furnizimit të varkave, baristi i këshillon të huajt që të mos bëjnë shumë pyetje dhe, mbi të gjitha, të mos shikojnë me shumë kurreshtje kajakët që lundrojnë të mbrojtura nga errësira. Pastaj del që t’i çojë një shishe uiski Johnny Walker Red Label dhe një bikerinë vezë njerëzve në bordin e një kajaku që mbrrin me shpejtësi. Varkat e pakta të mëdha që ankorohen gjatë ditës – ato të Petrobras-it, kompanisë shtetërore të naftës braziliane – janë të armatosura deri në dhëmbë: në kiç, përkrah timonierit, dhe në bash shikohen ushtarë me syze dielli, jelekë antiplumb dhe automatikët gati.

Në origjinë të situatës kritike që po kalon Amazona është një spirale dhune e nisur në very të Brazilit. Por pasojat do t’i ndjehen edhe në Europë. Gruepi guerrillas Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) është tërhequr nga trafiku i kokainës pas firmosjes së marrëveshjes së paqes me qeverinë e Bogotasë në fundin e 2016. Bandit e reja të drogës duan të marrin trashëgiminë e tyre, për këtë arsye në Amazonën braziliane është në zhvillim një luftë midis grupesh rivale. “Pas tërheqjes së FARC-ut në Amerikën Latine ka pasur një lloj riorganizimi gjeopolitik të rrugëve të drogës”, shpjegon Paulo de Tarso, një politolog Brazilian ekspert i drogave që jep mësim në Universitetin e Campinas. “Pasojat mbi trafikun e drogës do të ndjehen në nivel ndërkombëtar”. Sot në vend të guerrilasve kolumbianë janë mafiet braziliane të drogës ato që kontrollojnë tregun dhe rrugët e kontrabandës për ta transportuar kokainën nga Kolumbia në Europë. Eksporti i substancave narkotike drejt Europës mund të rriten me një reduktim pasues të çmimeve në Kontinentin e Vjetër.

Në raportin e tij të fundit, EUROPOL-i, agjencia e Bashkimit Europian për luftën kundër krimit, shpreh frikën se mos Europa bëhet nyja nevralgjike e trafikut të kokainës drejt tregjeve në ekspansion të Rusisë, Kinës, Indisë, Lindjes së Mesme dhe Australisë. Në zonën e Amazonës droga trasportohet nëpërmjet ujit, duke shfrytëzuar mijëra lumenjtë dhe kanalet dytësore. Me kajakë, si në Boa Frente, në bordin e mauneve të ngarkuara në mes të pyllit apo në tragete që lidhin qytete lumore. Një etapë e ndërmjetme e korrierëve të drogës është qyteti Manaus në shtetin Amazonë, ku malli mblidhet dhe përgatitet për t’u transportuar në Europë. Manaus, që ka 2 milion banorë dhe gjendet në zemrën e pyllit tropical, është një qendër ideale përpunimi. Ka fabrika klandestine makinash, motoçikletash, lavatriçesh dhe televizorësh. Përgjatë lumit, zona industrial është e madhe, kaotike dhe e pakontrollueshme.

Materialet dhe kitet e montazhit për fabrikat vijnë me anije konteinerësh nga Azia dhe nga Europa. Anijet nisin ngarkesa kokaine të destinuara për qytetet portuale e verilindjes braziliane apo drejt veriut nëpërmjet Oqeanit Atlantik. Pjesa më e madhe e 3.5 tonëve kokainë të konfiskuar nga autoritetet braziliane në 2016 janë kapur në Manaus. Edhe në Europë sekuestrimet e kokainës janë rritur. Vetëm në muajin shkurt të këtij viti, policia e Hamburgut në Gjermani ka konfiskuar 7 kuintal, sasia më e madhe e përfunduar në duart e forcave të rendit prej vitesh. Në afërsi të brigjeve britanike janë gjetur 360 kilogram kokainë të fshehur në disa xhupa shpëtimi. Në 2015, në Anversë të Belgjikës policia ka sekuestruar 33.5 ton kokainë, dyfishin karshi një viti më parë. Kërkimet e e kryera në Dark Ëeb, ku drogërat tregëtohen pa shumë masa paraprake, demonstrojnë se çmimi i kokainës është në rënie. Domethënë, gjithçka të bën të mendosh se nga Amazona arrin në Europë një lumë kokaine. Efektet vërehen edhe në Zvicër. Analiza e gjurmëve të drogës të pranishme në ujërat komunale kanë zbuluar se, pas Londrës dhe Anversës, Zyrihu është qyteti i tretë europian për konsumin e kokainës. Por edhe Gjeneva, Sen Galeni dhe Bazeli janë midis 10 qyteteve europiane më konsumatore të kësaj substance.

Kontinenti i Vjetër është bërë tërheqës për prodhuesit latinoamerikanë të drogës. Nga njëra anë është frika se mos në Shtetet e Bashkuara narkotrafiku mund të bëhet më i vështirë nëse Presidenti Donald Trump do ta mbyllë vërtet kufirin me Meksikën apo do të intensifikojë kontrollet përgjatë kufirit. Nga ana tjetër në Europa kokaina nxjerr fitim shumë më tepër: sipas të dhënave të Drug Enforcement Administration (DEA), agjencia amerikane e antidrogës, çmimi për konsumatorin është me rreth 60000 dollarë kilogrami, mesatarisht dyfishi karshi Shteteve të Bashkuara. Në Rusi 1 kilogram pluhur i bardhë kushton 80000 dollarë, në Azi më shumë se 100000 dollarë. Tradicionalisht, rrugët e kontrabandës së kokainës përshkojnë jugun e Brazilit. Pjesa më e madhe e drogës vjen nga Baolivia dhe nga Peruja në shtetet e pasura e të industrializuara São Paulo e Rio de Janeiro. Brenda pak vitesh Brazili është bërë konsumatori i dytë më i madh botëror i kokainës dhe i drogave kimike pas Shteteve të Bashkuara. Por trafiku i drogës po zgjerohet gjithnjë e më shumë: “Në Amazonë çështja është e lidhur mbi të gjitha me kontrollin e rrugëve të reja drejt Europës”, thotë Marília Pimenta, hulumtuese braziliane e Syracuse University në Shtetet e Bashkuara. Kështu, objektivi i narkotrafikantëve nuk është më vetëm tregu i brendshëm.

Një korridor ideal

Autoritetet tashmë kanë dhënë alarmin. Në fillim të muajit shkurt, ish Ministri i Mbrojtjes brazilian José Aldo Rebelo ka takuar kolegun e tij kolumbian në një takim në Manaus: “Duhet të pengojmë me çdo mënyrë që trafiku i drogës i sapobraktisur nga FARC-u të përfundojë në duart e grupeve të tjera ushtarake”, ka thënë Luis Carlos Villegas, ministri kolumbian. Por është shumë vonë. Në vend që të prodhojë më pak kokainë, sot Kulmbia prodhon më shumë. Edhe dhuna, ashtu sin ë Brazil, është rritur. FARC-u dhe kartelet e drogës i kanë shfrytëzuar 4 vitet e negociatave të paqes me qeverinë e Bogotásë për ta dyfishuar prodhimin e kokës, që sot ka kaluar 100000 hektarët. Vetëm në 2007, kartelet e drogës kishin mbjellë kaq shumë. Gjatë negociatave të paqes, qeveria kolumbiane i kishte premtuar FARC-ut se do t’i ndërpriste hedhjet e gazrave mbi arat e mbjella me kokë. Grupi guerrillas ka arritur që t’i zgjerojë të mbjellat në kohë të shkurtër, edhe me objektivin që të akumulojë rezerva financiare për të përballuar fazën e rifutjes në shoqërinë civile apo në eventualitetin që marrëveshja e paqes të dështonte.

Tani bosët e plantacioneve të kokës dhe të laboratorëve kimikë që kanë zënë vendin e FARC-ut janë në kërkim të tregjeve të reja ku të eksportojnë këtë prodhim rekord. Amazona braziliane është një korridor ideal: në një sipërfaqe të madhe sa gjysma e Europës jetojnë vetëm 25 milion njerëz. Për të kuptuar sesa e vështirë është të kontrollohet zona mjafton që të vizitohet qyteza kufitare Tabatinga, që në anën kolumbiane quhet Delicia. Në këtë pikë takimi midis tri vendeve – Perusë, Vrazilit dhe Kolumbisë – përgjatë lumit Solimões, lumi më i rëndësishëm amazonas, jetojnë 100000 njerëz. Prej viteve Tetëdhjetë qyteti, që mund të arrihet vetëm nëpërmjet anijeve apo avionëve, është vendi më i madh i përgatitjes së drogës në Amazonë. Pablo Escobar, kreu i kartelit të Medellín, e dërgonte këtu kokainën nëpërmjet kufirit peruan. Në Tabatinga nuk ka zyra dogane dhe pothuajse asnjë nga makinat apo motorët në qarkullim nuk është regjistruar. Lumi Solimões dhe shumë prej degëve dytësore të tij në fakt nuk kontrolohen nga askush. 40 kilometra larg, duke ndjekur rrymën, Brazili ka vendosur një traget me 33 agjentë. Por qysh prej janarit mungon karburanti për fjeneratorin elektrik dhe të dy motoskafët e patrullës janë prej një viti pa karburant. “Trafikantët qeshin me ne”, thotë një officer. Duhet të kontrollojnë një zonë të madhe sa e gjithë Franca dhe të survejojnë një vijë kufitare 10000 kilometra të gjatë, rreth 3 herë ajo midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Një objektiv i vetëm

Ende nuk dihet me siguri se kush do t’i marrë në dorë frenat e trafikut të drogës në Amazonë. Tri banda po luftojnë midis tyre për kontrollin e këtij “biznesi”: quhen mafie burgu, duke qenë se kumbarët e tyre janë të burgosur dhe drejtojnë direct nga burgjet trafiqet ilegale dhe rekrutët e rinj. Lufta midis bandave zhvillohet në të njëjtit burgje të mbipopulluara të Amazonës, ku dominon Família do Norte (FdN), një bandë me mjaft influencë që deri më tani kishte kontrolluar narkotrafikun në rajon. Me 1 janar 2017 njerëzit e FdN-së kanë organizuar një masakër në Complexo Penitenciário Anísio Jobim të Manaus, duke vrarë brenda pak orësh 56 të dënuar të lidhur me Primeiro Comando da Capital (PCC). Ky grup criminal me origjinë nga São Paulo është një ndër më të organizuarit e vendit dhe do të donte t’i hidhte kthetrat mbi trafiqet fitimprurëse të Amazonës. Katër ditë më pas, PCC-ja ka realizuar hakmarrjen në një burg të Boa Vista, një qytet në shtetin Roraima, në veri të vendit: 31 të lidhurve me FdN-në u është prerë koka dhe janë bërë copa copa.

PCC-ja përfaqëson gjeneratën e re të narkomafieve. Në ndryshim nga grupet guerrilase që financoheshin edhe me narkotrafikun, si FARC-u në Koloumbi ose, më përpara akoma, Sendero Luminoso në Peru, PCC-ja nuk ja bashkangjit aferat e saj një ideologjie të majtë. Banda qeveriset si një kompani dhe ka si objektiv të vetëm fitimin. Ekspertët e sigurisë ia atribuojnë PCC-së rënien e numrit të vrasjeve që ka pasur në São Paulo gjatë viteve të fundit. Në fakt, në zonën e saj banda nuk toleron asnjë lloj dhune që mund të interferojë me trafikun e drogës. Kriminelët e vegjël janë vrarë pa mëshirë dhe lagjet në lindje të São Paulo, ku PCC-ja ushtron një autoritet të padisuktueshëm, konsiderohen të sigurta. Atje përdhunimet, vjedhjet e makinave dhe rrëmbimet praktikisht nuk ekzistojnë. Bandit lokale të drogës kërkojnë gjithmonë të bëjnë marrëveshje me PCC-në, pasi herët a vonë të gjithë bosët përfundojnë në burg ose i janë dorëzuar grupit kriminal. Primeiro Comando da Capital ka lindur në vitet Nëntëdhjetë sepse të burgosurit dëshironin të mbroheshin nga agresionet e policisë së São Paulo. Sot kontrollon gjithnjë e më shumë e pashqetësuar shumicën e burgjeve të Brazilit dhe nga ato drejton trafikun e drogës, përveç aferave të tjera të paligjshme. Nga fillimi i vitit, lufta për kontrollin e korridorit të Amazonës ka shkaktuar 150 të vdekur në revoltat e burgjeve në very të vendit. Kjo kasaphanë në stil mesjetar të kujton luftërat midis karteleve meksikane.

Hugo Acero Velásquez, ekspert i sigurisë për kryeqytetin komlumbian Bogotá dhe sot konsulent i Kombeve të Bashkuara, ka frikë se Brazili mos ndjek gjurmët e Meksikës. Brenda pak kohësh, narkotrafiku i ka transformuar bandat e vogla e çorganizuara të Amazonës në sipërmarrje të mëdha me funksionim të përkryer. Në Meksikë, kriminelët e vegjël lokalë u kanë ofruar prodhuesve kolumbianë të kokainës që ta kontrabandojnë drogën në Shtetet e Bashkuara dhe brenda pak vitesh qendra të thjeshta logjistike të kontrabandës janë shndërruar në narkomafie që pak e nga pak kanë marrë në dorë edhe prodhimin e kokainës. Pasojat janë të njohura për të gjithë. Meksika ka përfunduar prej kohësh në një spirale dhunë jashtë çdo kontrolli. Pakashumë ajo që po ndodh tani në qytetet portuale të bregut atlantik në veri të Brazilit. Deri pak kohë më para Natal, Salvador, Fortaleza, João Pessoa, Belém apo Maceió qenë qyteza të vogla provinciale të pëlqyera nga turistët për plazhet e tyre përrallore të rrethuara nga palmat. Sot numri i vrasjeve në këto zona ka arritur nivele preokupuese. Midis 30 qyteteve me koeficentin më të lartë të vrasjeve në botë, 11 ndodhen në shtetet e Amazonës dhe të verilindjes së Brazilit.

(Alexander Busch për Neue Zürcher Zeitung)

Përgatiti: Armina Tirana- Bota.al

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *