Maska ra!

Nga Flogert Muça*

Marrëveshja Rama-Basha duket se e ka bërë LSI-në dhe liderin e saj Ilir Meta (tashmë President i zgjedhur) të nxjerrë fytyrën e vërtetë. Meta kishte investuar shumë për të krijuar imazhin e politikanit që sheshonte mosmarrëveshjet, por kur Rama dhe Basha e zgjidhën vetë krizën ( ku Meta kishte kontribuuar jo pak që ajo të agravohej duke u bërë oksigjen i çadrës ), atij iu shemb para syve i gjithë mundi. Mundi që kish hequr për të ngritur imazhin e politikanit që zgjidh kriza, por edhe ai i kontributit që çadra të bëhej laku në fyt i Edi Ramës.

Mbrëmë kryetari i zgjedhur i shtetit, Ilir Metaj, kishte humbur busullat e tij të orientimit, qetësinë dhe dashurinë. Ai kishte dalë në natyrën e tij politikanit që grushton në parlament kundërshtarët politikë, vetëm me ndryshimin që sot është nja 60 kilogram më i dobët. Pa asnjë grimcë qetësie Meta mbrëmë ishte plot mllef, sepse po i ikën pushteti nga duart. I detyruar të thotë se LSI do të dalë forcë e parë, që militantët të mos demoralizohen më tej, Meta mbrëmë tregoi edhe njëherë se atij kur i cënohet pushteti dhe pjella e tij politike (LSI) e cila është instrumenti për të qëndruar përherë në pushtet, ai heq maskën e “dashnorit” dhe “Budës” dhe kthehet në një “kafshë” të egër politike.

Por çfarë humbi Meta nga marrëveshja Rama-Basha?

Siç e thashë edhe më lart, ai humbi imazhin e tij politik të ri që po mundohej të ngrinte, si politikan i qetësisë dhe dashurisë, konsesual e i marrëveshjeve. Pra, nga grushtat e përdorur nga ai në parlament në 2008-ën, po përpiqej të ndryshonte imazhin e tij politik, më çdo mjet. Marrëveshja Rama-Basha ja rrëzoi për 3 orë këtë punë të tijën 9 vjeçare. Kjo ishte humbja e parë e tij që e bëri atë të tregojë fytyrën reale mbrëmë.

Humbja e dytë e tij është fakti që u bë president i vendit. Nëse për cilindo, ky është një privilegj dhe nder i madh, për Metën është e kundërta. Edhe pse ai dhe e shoqja do jenë drejtuesit reale të LSI-së, sërish ai në rolin e presidentit nuk do flasë dot ashtu siç do donte. Nuk do vjellë vrer dot siç bëri mbrëmë. Si i pari i shtetit do i duhet të kafshojë gjuhën papushim dhe nuk do këte mundësinë që të jetë pjesë e tryezave që ka qenë gjithë jetën.

Por, ajo që atij duket se i dhemb më shumë në gjithë këtë histori është mosqënia më “King Maker”. Pra, me shumë gjasë, pas 25 qershorit, Meta dhe partia e tij pas 8 vjetësh në qeveri, do të dalin në opozitë. Ky në fakt është problemi më i madh i tij dhe i tyre. Sepse ai dhe ata e dinë se kanë ngritur një parti e cila nuk ka në themele asnjë parim apo ideal, veç “vend pune në administratë“.

Mosqenia në pushtet e LSI-së do të thotë që të gjithë ata, të aftë ose jo që janë sot në administratë, të kalojnë me partinë e madhe në pushtet. Për ta kjo nuk do të përbënte asnjë problem, sepse siç thamë, aty nuk ka vajtur askush pë parime apo ideale, por thjeshtë dhe vetëm për të marrë ndonjë vend pune e duke iu përgjëruar fisit që ta votojnë LSI-në që ai/ajo të qëndrojë në punë. Ky është një fakt që e di i madh e i vogël dhe që kushdo që përpiqet të thotë të kundërtën e di edhe vetë që po gënjen.

Por nga ana tjetër, Meta kur u zgjodh president trumbetoi fort shprehjen “Midis Pushtetit dhe Demokracisë, ne zgjedhim këtë të dytën”. Ateherë, pse nuk ka dalë nga qeveria Rama sot, ose nga qeveria Berisha dje, kur ka patur aq shumë pakënaqësi sa ç’shprehej mbrëmë? Pse i ka braktisur Meta qytetarët? Pse nuk doli nga qeveria po ndenji derisa erdhën zgjedhjet e radhës? E bëri për të qëndruar në pushtet apo jo? E bëri për të mbajtur nën presion ata të punësuar që nëse si jepnin sërish votën, do i qëronte nga aty?

Sot Meta dhe LSI ka frikë pikërisht nga kjo, nga humbja e pushtetit. Për të dhe LSI-në nuk kanë asnjë rëndësi numrat, atij i mjafton që të ketë numra aq sa për të kushtëzuar qeverisjen e një shumice. Sot nuk i ka më. Me shumë mundësi nuk do t’i ketë as nesër. Duke ditur mirë këtë, Meta mbrëmë hoqi maskën në ballon e madhe politike dhe nxorri fytyrën e tij të vërtetë, që kur i cënohet pushteti i tij dhe humb fuqinë, përpëlitet duke u përpjekur të rrëzojë gjithçka ka përreth.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...