Prapaskena e ngërçit të Etikës, frikë prej precedentit. Pas Skënderbeut duhen dënuar edhe ekipet e tjerë

E gjithë kjo zvarritje dhe shtyrje e pafund për një çështje lehtësisht të zgjidhshme shpjegohet me faktin se ka disa dilema që po ndikojnë në mosmarrjen e një vendimi të shpejtë për të çliruar gjithë këtë tension që është krijuar te Skënderbeu në të radhë të parë dhe te një pjesë e klubeve të Superiores dhe Kategorisë së Parë.

Burime të sigurta pranë FSHF-së bëjnë të ditur se në muajin mars ka mbërritur në zyrat e institucionit tonë të futbollit një direktivë e UEFA-s që i kërkon federatës që të marrë edhe ajo një masë ndaj Skënderbeut. Kujtojmë që klubi korçar u dënua me një vendim paraprak (mund të ketë tjetër) një vit më parë për të mos marrë pjesë për një vit në Kupat e Europës.Vendimi erdhi pas dyshimeve të luhatjes së madhe të koeficienteve të ndeshjeve të klubit korçar në Europë dhe në kampionatin shqiptar gjithashtu. Për herë të parë UEFA dënoi një ekip në bazë të dyshimeve, duke u nisur nga luhatja e madhe e koeficienteve ku në një masë të konsiderueshme bastet rezultonin fituese.

Një sistem që përdoret së fundmi nga UEFA. Dhe ky dënim u la në fuqi edhe nga CAS që certifikoi në këtë mënyrë faktin se organizmi më i madh i futbollit europian mund të dënojë edhe në bazë të luhatjes së dyshimtë të koeficienteve. E gjithë kjo situatë e ka vendosur në një pozitë të vështirë federatën. Nëse do të merrej masë në muajin mars kur mbërriti edhe direktiva nga UEFA, atëherë do të cenohej gara që ishte në kulmin e saj. Dhe gjithçka u la për në fund të kampionatit.

DEBATET

FSHF-ja si anëtare e UEFA-s duhet të zbatojë rregullat dhe të marrë vendimet, duke u nisur nga standardet e organizmit europian. Dhe në këtë mënyrë, ashtu si UEFA, edhe federata duhet të dënojë Skënderbeun për trukimet e ndeshjeve. Klubi korçar është dënuar në bazë të lëvizjeve të dyshimta të koeficienteve të basteve dhe jo nga ndonjë përgjim apo aktor i penduar që të rrëfehet.

Burime të sigurta brenda Komisionit të Etikës kanë bërë të ditur se argumenti mbi të cilin është dënuar Skënderbeu ka krijuar përçarje dhe debate mes anëtarëve. Një pjesë e tyre kanë hedhur idenë se nëse dënojnë klubin korçar vetëm në bazë të luhatjeve të dyshimta të koeficienteve të ndeshjeve, atëherë do të krijohej precedenti që të dënohen thuajse një pjesë e mirë e klubeve shqiptare, kryesisht në Superiore.

Kujtojmë se ka shumë dosje që kanë mbërritur në federatë nga UEFA ndër vite flasin pikërisht për dyshime të mëdha të trukimit të ndeshjeve që kanë bërë klubet tona pikërisht, duke u nisur nga lëvizja e koeficienteve. Në këtë mënyrë, do të duhej të përdorej i njëjti standard edhe në të ardhmen nëse do të ketë dënim për Skënderbeun. Do të duhet të dënohen edhe klube të tjera shqiptare.

Ky është shqetësimi që kanë ngritur një pjesë e anëtarëve të Etikës gjatë mbledhjeve që kanë zhvilluar. Një pjesë tjetër e anëtarëve ka argumentuar se është e vërtet që ka dhjetëra raporte për klubet e tjera, por për momentin vetëm Skënderbeu është i dënuar nga UEFA dhe FSHF duhet të jetë në të njëjtën linjë me organizmin europian si anëtare e saj.

FRIKA

Në një situatë të tillë të krijuar, një frikë e madhe që ekziston është shpërthimi i mundshëm i një megaskandali që mund të trondisë themelet e futbollit shqiptar. Dënimi i mundshëm i Skënderbeut me zbritjen nga kategoria apo një penalizim tjetër i rëndë mund të sillte pendimin e ndonjë aktori të klubit korçar, i cili mund të rrëfehej dhe të tregonte gjithçka ka ndodhur jo vetëm me skuadrën 6 herë kampione radhazi të Shqipërisë, por edhe me klube të tjera.

Një situatë që do të përmbyste praktikisht të gjithë sistemin e futbollit shqiptar. Kujtojmë që në Itali rrëfimet dhe përgjimet sollën dënime të rënda për klube dhe lojtarë duke mbërritur deri në rrëzimin e Juventusit në Serinë B./Panorama Sport/

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *