Themelimi i PS, Rama fton të gjithë aleatët në festë

9 Qershor 2017, 08:53Politika TEMA
Themelimi i PS, Rama fton të gjithë aleatët në festë

Aktiviteti do të zhvillohet pranë selisë qendrore të Partisë Socialiste në orën 19:30 dhe është konceptuar si një takim i të gjithëve pas një kohe të gjatë shpërndarjeje në terren.

Burime të Shqiptarja.com pranë organizatorëve të PS, bëjnë me dije se ftesë ju është dërguar të gjithë aleatëve të PS-së, me të cilët Rama nënshkroi marrëveshjen e koalicionit në vitin 2013.

Këtu përfshihet dhe Ilir Meta, Shpëtim Idrizi dhe Paskal Milo, pavarësisht se së fundmi, tonet mes tyre janë ashpërsuar dhe marrëdhënia nuk duhet aspak e mirë që ndonjëri prej tyre t’i përgjigjet pozitivisht ftesën. Janë ftuar po ashtu figurat historike të PS-së ndër vite, deputetë e ish-deputetë, sikundërse edhe kandidatët e kësaj sfide elektorale.

Të pranishëm do të jenë dhe njerëzit kryesor të shtabeve elektorale në çdo bashki, dhe kësaj feste do t’i bashkohen dhe njerëz të medias apo të shoqërisë civile. Festa është konceptuar deri më tani si një format jo zyrtar bashkëbisedimi dhe komunikimi, teksa Edi Rama do të ketë një fjalë përshëndetëse.

Viti 2016
Nuk dihet nëse do të surprizojë këtë vit, por vitin e shkuar, ditëlindja e 25-të e Partisë Socialiste dogji shansin e fundit të Fatos Nanos për të rivendosur marrëdhënie të afërta me partinë e tij. Thirrjes së Edi Ramës përsëritur vazhdimisht dy vitet e fundit, Nano zgjodhi t’i përgjigjej me refuzim, përpos vlerësimeve të kryetarit aktual të PS-së për kontributin historik të tij.

Por kjo festë e kremtuar në një ceremoni të posaçme në oborrin e pasmë të selisë rozë, me rreth 1500 të ftuar shërbeu për takim brezash, themelues të PS, anëtarë, deputetë, ministra, partnerë të koalicionit si dhe përfaqësues të medias.

Një ndër të rikthyerit që ra më shumë në sy vitin e shkuar ishte Arben Malaj. Profesori socialit u pa mes të tijve pas shumë vitesh shkëputjeje, që prej fraksionit të Lëvizjes së Mendimit Ndryshe udhëhequr nga Blushi. Po ashtu, edhe rikthimi i Ndre Legisit ishte një ngjarje interesante e festës.

Ai u pa të kishte takime miqësore me kolegët e tij. Në këtë festë ishin të pranishëm aleatët Shpëtim Idrizi dhe Nard Ndoka, teksa Ilir Meta mungoi për shkak të vizitës së tij në Malin e Zi. Nga LSI ishte i pranishëm Spartak Braho. Edhe pse i ftuar Lulzim Basha preferoi të vinte në 25 vjetorin e partisë kundërshtare, duke vijuar traditën e Sali Berishës. Si çdo vit, PD u përfaqësua në festën e socialistëve nga Tritan Shehu.

Edi Rama organizoi pas festës së hapur për 25 vjetorin e Partisë Socialiste, një darkë të gushtë me aleatë, bashkëpunëtorë, deputetë, ministra dhe drejtues të lartë të PS-së ndër vite.  Darka u zhvillua në një prej restoranteve të njohura në qendër të Tiranës, ku atmosfera festive u gërshetua me elementë interesantë të atyre që munguan e atyre që u respektuan me vende nderi.

Në tavolinën qendrore, përkrah Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit kanë qenë dy aleatët Nard Ndoka dhe Shpëtim Idrizi, si dhe deputeti tjetër i PDIU-së, Aqif Rakipi. Në këtë takim të ngushtë kanë munguar deputetët e LSI-së, teksa Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi kanë lënë bosh karriget me emrat e tyre në këtë festë. Me sa duket, këta emra historikë të moshës së mesme të PS-së, do të mungojnë edhe këtë vit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje