INTERVISTA/ Astrit Patozi: Rruga ime nuk mbaron këtu

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Astrit Patozi është një prej figurava të larta të Partisë Demokratike që mbeti jashtë listave të kandidatëve për deputetë të Lulzim Bashës, për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Pas publikimit të listave ai kë bërë disa reagime, si edhe është takuar me pjesën tjetër të grupit të ‘senatorëve’ që Basha nuk i kandidoi më. Në një intervistë ekskluzive për Lapsi.al Patozi flet për zhvillimet në PD, fushatën elektorale dhe të ardhmen e tij në politikë.

Lapsi.al- Megjithëse po i afrohemi datës së zgjedhjeve ende flitet shumë për listën e kandidatëve të Partisë Demokratike. Përse e gjitha kjo dhe a pritet që të ndikojë në rezultatin e 25 qershorit?

Fakti që ky debat nuk po mbaron, ndërkohë që po mbyllet fushata elektorale ka vetëm një shpjegim: lista ose është shumë e mirë, ose shumë e keqe. Po të kishte qenë normale, do të ndodhte si zakonisht…cudia më e madhe zgjat 3 ditë. Por për shkak se mund të më quajnë në konflikt interesi, preferoj të mos zgjatem shumë me këtë cështje. Mendoj se të gjithë duhet të kemi durimin të presim 25 qershorin, sepse vlerësimin e vërtetë do ta bëjnë votuesit. Lulzim Basha ka thënë se ajo është lista e tij fituese dhe unë uroj shumë që atij t’i dalë fjala.

Cilët jane ata që nuk duhet të largoheshin dhe si i shikoni prurjet e reja të kësaj liste?

Nuk mund të kem unë asnjë koment për emra të përvecëm. Nuk e kam bërë kurrë në jetën time. Aq më pak mund t’ia lejoja vetes kësaj radhe. Ajo që vlen të analizohet nuk janë emrat, por fenomeni. Mënyra si u hartua, koha dhe shija që ka lënë tek njerëzit. Ndryshe, do të hynim në një labirint konsideratash dhe impresionesh subjektive, prej të cilit nuk do të dilnim dot asnjëherë.

Keni qenë një prej emrave më të lakuar nga largimet e bujshme në listën e Bashës. Cila mendoni se ka qenë arsyeja e vërtetë?

Sinqerisht e them që nuk e di dhe nuk më intereson shumë arsyeja, ndonëse nuk e kam të vështirë ta marr me mend. Ajo që dua të theksoj dhe që mendoj se ka vlerë për publikun është se Lulzim Basha nuk kishte asnjë detyrim ndaj meje si person. Me sa duket ai ka gjykuar se nuk jam më i aftë apo ndoshta jam i papërshtashëm për të kryer detyrën e deputetit, dhe ky ka qenë vendimi i tij, të cilit nuk kam, as cfarë i heq, dhe as cfarë i shtoj.

Nga ana tjetër, unë në një farë mënyre ia kisha dorëzuar mandatin e deputetit zotit Basha. Rreth një javë para marrëveshjes së 18 majit patëm një debat të gjatë dhe të vështirë në grupin parlamentar të PD. Një koleg prorevolucionar i atyre ditëve tha se nëse do të binim dakord me Edi Ramën, kjo do të ishte tradhti ndaj cadrës dhe njerëzit që po sakrifikonin do të mendonin se ne kishim hallin e karrigeve tona në parlament. Për të dalë nga ai moment hipokrizie ekstreme, unë propozova që, për të shmangur keqkuptimet, cdo deputet i PD të ofronte moskandimin e tij për në parlamentin e ardhshëm dhe se unë isha i gatshëm ta bëja i pari.

Propozimi im u shoqërua me heshtjen e thellë të Lulzim Bashës, natyrisht, për pasojë edhe të të tjerëve. Pak ditë më vonë marrëveshja u arrit dhe u harrua si tradhtia e kauzës, ashtu edhe meraku i deputetëve për karriget e parlamentit, por kjo tashmë nuk ka më asnjë rëndësi. E tregova këtë për të thënë se këtu nuk ka asnjë shqetësim personal, si për mua ashtu edhe për shumë kolegë të tjerë, të cilët gjithësesi nuk marr përsipër t’i përfaqësoj.

Por është po kaq e vërtetë se Lulzim Basha ka prej katër vjetësh një kontratë me demokratët, për ta cuar PD-në në pushtet, dhe këtij detyrimi as nuk mundet dhe as nuk do t’i shmanget dot. Nëse ia del më 25 qershor, i gjithë debati për ata që janë apo ata që s’janë në listën e tij, nuk do të ketë më asnjë vlerë. Sepse, fituesi nuk gjykohet dhe koha i jep gjithmonë të drejtë atij.

Zoti Basha ka thënë se kishte ardhur koha që disa njerez të largoheshin dhe se askush nuk mund ta ketë lidhur jetën me karrigen e deputetit. E gjeni veten edhe ju tek kategori apo jo?

Tek kjo pyetje nuk më ndihmon dot konflikti i interesit, që të shmangem. Së pari, unë mendoj se të qenit i vjetër apo i ri në politike nuk përcaktohen nga mosha biologjike. Unë jam vërtetë disa vjet më i madh se Lulzim Basha (fati e ka sjellë që të jem vërsnik me Edi Ramën), por kontaktin e parë me pushtetin e kemi pasur në të njëjtën ditë. Të dy kemi hyrë në parlament në shtator të vitit 2005, ai i sapoardhur nga jashtë, unë pas 8 vjet opozite të vështirë. Por ndërsa unë hyra në parlament me firmën e Sali Berishës, po dal prej tij me firmën e Lulzim Bashës, duke qenë thjesht dhe vetëm deputet.

Në ndryshim nga unë, Lulzim Basha provoi dhe ushtroi cdo funksion të lartë, që i doli përpara Partisë Demokratike, përvec atij të kryeministrit, duke dalë nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës vetëm në vitin 2015, dy vjet pas kolegëve të tij ministra në kabinetet e Sali Berishës. Dhe ndërsa unë kam firmosur 12 vjet rresht vetëm në borderonë e deputetit, Lulzim Basha ka nënshkruar për ekzekutimin e mbi 2 miliard eurove, si titullar i disa institucioneve të rëndësishme të shtetit.

Natyrisht, kjo nuk është kritikë, e aq me pak akuzë. Të tilla i ka pasur detyrat. Por vlen thjesht për të sqaruar këdo që mund ta ketë harruar se nuk e pranoj dot sot që dikush të më konsiderojë mua si një përfaqësues problematik të Republikës së Vjetër, ndërsa Lulzim Bashën si një “hero” të Republikës së Re. Minimumi, mund t’i perkisnim të njëjtës markë politike, ndonëse diferencat e mëdha nuk lënë vend për interpretim. Dhe nëse flitet për bilanc konsumimi, mund të them me siguri që Lulzim Bashës nuk i është dashur ndonjëherë gjatë kësaj kohe të konsumohet për të më mbrojtur mua, kurse mua dhe dikujt tjetër mund të na jetë dashur ndonjëherë për ta mbrojtur apo mbështetur atë. Ky nuk është opinion, por fakt.

Cili ishtë sipas jush gabimi i Bashës dhe pse nuk kishte ai të drejtë të caktonte listën e vet?

Sipas meje Lulzim Basha mori përsipër dy gjëra, përgjegjësinë personale për shkeljen e statutit të PD, por mbi të gjitha autorësinë e plotë për listën e tij, të cilën e cilësoi si ekipin e vet fitues. E them me bindje që është një risi në politikën shqiptare, që nga viti 1991 e deri më sot. Nuk ka guxuar ta bëjë asnjeherë Sali Berisha, që nga dita e themelimit të PD e deri sa dha dorëheqje të parevokueshme më 2013. Por përtej nesh, nuk e kishte bërë asnjë drejtues tjetër i një partie të madhe, që nga Ramiz Alia, Fatos Nano, Ilir Meta dhe së fundi Edi Rama, për të mos u shtrirë tek forcat e tjera politike.

Dhe kjo është meritë që i duhet njohur Lulzim Bashës, si njeriu që pati kurajon ta eksperimentojë për herë të parë në prag zgjedhjesh në një parti të madhe politike.

Kurrë dhe në asnjë rast Sali Berisha nuk ka cuar në KQZ një listë të tij, pa e konsultuar, minimumi me kryesinë e PD. Për mendimin tim, kjo traditë ka pasur dy arsye, respektimin qoftë edhe formal të një neni të rëndësishëm statutor, por po aq edhe ndarjen e përgjegjësisë, me aq sa mund të ndahet në raste të tilla, me të tjerët.

Lulzim Basha e theu në mënyrë arbitrare këtë normë, duke marrë njëkohësisht mbi vete cdo pasojë, që mund të vijë, në rast se premtimi i tij nuk realizohet. Por ai është gjithësesi sinqertë në vendimmarrjen e tij, sepse nuk bëri asnjë përpjekje për ta mbuluar, por i doli zot asaj. Qoftë edhe për kaq ai duhet respektuar.

Zoti Basha thotë se i takonte atij të zgjidhte ekipin fitues. Pse nuk e pranoni ju këtë argument?

Koncepti im per politikën është në fakt shume i ndryshëm nga ai i zotit Basha, por kjo nuk mund të shtjellohet, as në një ditë dhe aq më pak brenda një interviste. Sa për termin e përdorur gjerësisht nga ai për të mbrojtur listën e vet unë nuk mendoj kurrë që grupi parlamentar i një partie të jetë ekipi fitues apo humbës i kryetarit. Sepse për mua atje reflektohet përfaqësimi politik i partisë, i cili mund të mos përputhet gjithmonë me shijet dhe me sentimentet e liderit. Kështu ka bërë Sali Berisha, që nga viti 91 e deri më 2013, pa u lodhur dhe mërzitur asnjëherë. Por edhe cdo rival tjeter i PD, duke filluar nga Fatos Nano e deri tek Edi Rama, për palën tjetër. Tek grupi parlamentar i PD në vite Sali Berisha ka përfshire në jo pak raste individë apo personalitete, krejtësisht jashtë modelit të tij, madje edhe nga ata me të cilët kishte bërë beteja të forta publike.

Arsyeja, sipas meje, ka qenë se kur vjen fjala për të tilla nivele, nuk udhëhiqesh për të zgjedhur atë që do, por atë që të duhet. Përfaqësimi politik ka të bëjë me korrentet, flukset, ndarjet krahinore, fetare, gjinore, etj, pra me ekuilibret e domosdoshme të një partie të madhe. Ekipi politik ka kuptim vetëm pasi dikush bëhet kryeministër, ose dhe ministër, dhe zgjedh të punojë me ata që gjykon se janë të papërshtatshëm ta ndjekin dhe mbështesin. Në rastin e opozitës, ekipi i kryetarit është ekzekutivi i partisë, por në asnjë rast grupi parlamentar.

Kështu veproi fjala vjen edhe Edi Rama, i cili respektoi gati me peshore farmacie balancat e PS për grupin parlamentar më 2013, por më pas zgjodhi të qeverisë vetëm njerëz, që përputheshin me stilin dhe interesat e tij.

Në kontrast të fortë me të, Sali Berisha e ka ruajtur deri ne një farë mase përfaqësimin politik të partisë së vet edhe në qeveri, ndonëse nuk ka qenë i detyruar ta bënte. Askush nuk do t’i thonte gjë, edhe po të kishte vendosur ndryshe. Ndaj në këtë trajtim unë e gjej veten shumë më afër me konceptin e Sali Berishës, dhe shumë larg atij të Lulzim Bashës.

Meqë përmendët zotin Berisha, a e besoni ju që ai nuk ka pasur fare rol në hartimin e listës së PD?

Këtu nuk ka rëndësi se cfarë besoj unë, por se cfarë ka thënë vetë Sali Berisha. Nëse ai do të kishte heshtur, gjithkush mund të hamendësonte. Por ai foli dhe cdo koment është i tepërt. Politika për mua është qëndrim dhe akt publik, ndonëse ka të tjerë të prirur nga teoritë e konspiracionit, të cilët kanë vëmendje vetëm për kulisat. Unë nuk i përkas asaj race politikanësh.

Folët për kritere përfaqësimi, cfarë kini parasysh me to?

Eshtë shumë e thjeshtë, të dhënat dhe kushtet që duhet të plotësojë dikush që të ngjitet në nivelin më të lartë të përfaqësimit politik të një partie. Që janë në fakt edhe arsyeja e argumentuar, pse dikush mund të jetë, e dikush tjetër jo. Ajo i shmang në maksimum keqkuptimet apo ambiciet e gjithkujt për t’u bërë deputet dhe e minimizon efektin e pakënaqësive, që janë fenomen i pranueshëm njerëzor.

Tek lista e Bashës, sipas meje, ato mungojnë krejtësisht. Fjala vjen, a mund të flitet për  kriter, kur njëri nga nënkryetarët e partisë udhëheq qarkun, tjetri është numri 3, kurse sekretari i Përgjithshëm i 4-ti në listën e një qarku tjetër?E pra flitet për bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit dhe figurat më të rendësishme të partisë, të cilët mbi të gjitha kanë qenë zgjedhje të atij vetë. A ka kuptim të shkosh më thellë? Do të ishte humbje kohe them unë.

Mendoj se zbatimi i rregullave (statuti), kriteret dhe performanca në përzgjedhjen e përfaqësuesve janë të vetmet kolona që garantojnë bashkëjetesën dhe suksesin në një organizatë politike serioze. Nëse ato bien, si bashkëjetesa ashtu edhe suksesi elektoral janë të kërcënuar.

Cfare mendimi keni për fushatën e deritanishme?

E kam shprehur edhe herë tjetër që është në kufinjtë e komikes ajo që po ndodh në ballafaqimin politik mes partive kryesore. Në vend të një përballje të ashpër, kemi  një debat, i cili ka në qendër të tij hedhje-pritje batutash. Sipas meje, kjo qasje favorizon më shumë Edim Ramën. Së pari, se e zhvendos atë nga llogaridhënia për temat e mëdha të keqqeverisjes. Por edhe sepse mendoj që tek ky terren ai ndjehet shumë konfident, ndaj PD nuk ka pse ia jep kënaqësinë, që të luaje në fushën e tij.

Nga ana tjetër, është shumë e dukshme një zbehje e luftës politike me kundërtarin më të madh, që është Partia Socialiste, dhe ka një ashpërsim të pazakontë të toneve me LSI-në. Kjo ka krijuar perceptimin se PD ka hequr dorë nga beteja për kurorën, por thjesht po lufton që të fundosë shemrën e vet, në sfondin e një legjende të shumëpërhapur dhe kaq shumë të përfolur për një koalicion të madh pas zgjedhjeve. Kam bindjen se kjo, jo vetëm nuk e ndihmon, por përkundrazi, e zbeh shumë fushatën e opozitës, ndërkohë që vetëm 2 javë mbeten nga dita e verdiktit të sovranit.

Gjithësesi këto mbeten opinione të miat. Uroj ta kem gabim dhe kjo strategji elektorale të rezultojë eficente më 25 qershor.

Megjithëse jeni përjashtuar nga lista, a jeni ju i përfshirë në fushatë, zoti Patozi?

Sigurisht që po. Natyrisht, në përputhje me statusin e ri, por në mënyrën e duhur, po bëj gjithcka më takon që i gjithë ndikimi im, kudo që është, të reflektohet pastër dhe qartë në rezultat.

Cili do të jetë roli juaj në të ardhmen, pas mbetjes jashtë parlamentit?

Nuk kam ndonjë shkencë të madhe për të bërë. Do të vijoj të mbetem aktiv në politikë, madje nuk e fsheh ta them, që sot ndjehem shumëfish i motivuar për të mbrojtur dhe promovuar vlerat dhe parimet që besoj. Po e lë pak mënjanë modestinë. Unë nuk u bëra i njohur, se u zgjodha deputet, por u bëra deputet, se kisha një emër. Dhe ky është një investim i gjatë, që nuk ka asnjë lidhje me ofiqin. Parlamenti nuk është vendi i vetëm ku mund të shpalosen ide dhe projekte të vlefshme, ndonëse nuk e kam fare kompleks të them se është më i miri dhe më i përshtatshmi. Jam më tepër se kurrë i bindur se ka një etje zhuritëse të publikut për të ndryshuar gjërat në Shqipëri dhe se asgjë e mirë nuk duhet pritur të ndodhë, nëse gjithcka nuk fillon tek demokratizimi i partive.

Cfarë mendoni se do ta ndodhë më 25 qershor dhe a keni një prognozë për rezultatin?

Lidhur me rezultatin e kam të vështirë të bëj një parashikim të përafërt, sa për arsyet e cituara më lart, aq edhe për shkak të subjektivizmit tim. Pavarësisht atyre që kanë ndodhur, unë jam palë dhe e shoh botën me syzet e ngjyrosura të një demokrati.

Por një gjë mund ta them që tani me siguri. Në rast se PD fiton zgjedhjet, unë do të jem i pari që do të përshëndes dhe uroj publikisht Lulzim Bashën. Duke marrë me këtë rast mbrapsht cdo rezervë për mënyrën si e ka drejtuar këto 4 vjet dhe se si  po e con drejt zgjedhjeve të 25 qershorit Partinë Demokratike. Në ndryshim nga disa miq të mi, që ndoshta me shumë të drejtë thonë se asnjë rezultat nuk i përligj shkeljet e statutit, të cilat janë të rënda dhe të paprecedenta, unë jam i gatshëm t’i kapërdij edhe ato. Mjafton që Lulzim Basha të bëhet kryeministër pas fitores dhe unë do ta konsideroja mision të kryer.

Por në rast se kjo nuk ndodh, (gjë që nuk e uroj), është jashtë cdo dyshimi se demokratët kanë vetëm një vendim për të marrë…/LAPSI.AL/

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

3 komente në “INTERVISTA/ Astrit Patozi: Rruga ime nuk mbaron këtu”

  1. Mondi says:

    Jo Astrit jo…une jam me grupin tuaj,por ju duhet te flisni qarte miku im,Bashen e vuri Berisha kryetar dhe listat ne se nuk i beri Berisha ai i mirato dhe ai i dha te drejte Bashes tek intervista me Lutfi Dervishin.Ju mos beni sikur nuk e dini kete por lind pyetja cfar te beni???? po per respektin qe keni per Berishen heshtni se nuk mund te beni asgje,por asgje ama,ose beni ate qe kam bere une dhe disa miq tjere tuajt,merrni nga nje cifteli dhe bjeruni.

  2. Peco says:

    Zoti Patozi! Nuk di, por do kisha shume deshire ta lexoje kete koment timin. Dhe ja perse:
    Universitetet private mbine si kerpudha. Ata nuk bene gje tjeter vec paisen me diploma pa asnje vlere nje mase te madhe “dhish te zgjebosura”. Ata nuk bene asgje tjeter vec u lyen me llak bishtin ketyre dhive per tua mbajtur gjithmone perpjet. Pra universitetet private vetem pergatiten dhi te zgjebosura me bishtin perpjete. Ku dua te dal? Ja:
    Ju ishit deputet pe nje periudhe jo te vogel kohe. Natyrisht, si deputet, asgje nuk mund te beje tjeter vec tja beje amin Sali Berishes. Nje qendrim mjaft komod per nje jete te qete, qe ju kishit enderruar Do te donit me gjithe zemer qe kjo te vazhdonte deri sa ju te dilnit ne pension. Aq I deshiruar paskeni qene pas kesaj ideje sa duket shkoqur ne ato qe thoni ne kete interviste. Mundohesh te tregosh se nuk I ke trubulluar ujin askujt dhe se nuk e prisje nje qendrim te tille ndaj teje. Vertet nuk po e pertyp dot kete qe te ndodhi. Kjo sepse nuk je mesuar dhe ta kishe menduar se jeta do te vinte perballe ndonje veshtirsie. Situaten ku je, ndonse mundohesh ta fshehesh, vetem nje femije nuk e ka te qarte se ti po e perjeton si tragjedi.
    Ndaj them qe ti therrasesh mendjes, te mesohesh me ate qe te ndodhi, ta konsiderosh vertete dicka normale dhe te mbledhesh energjite per nje zgjidhje tjeter per jeten. Sepse, ke per te pare, do perfundosh keq dhe me keq me kete mendje. Askush nuk ka per ta varur me dhe do te te kthejne shpinen. Pra, mblidhe mendjen, se njerzve ju ka ndodhur gjema 100 fish me te medha dhe kane ditur ti perballojne, jo ty qe ste ka ndodhur pothuaj asgje. Nuk varet jeta e Shqiperise nga ty, ndaj mblidhe mendjen…

  3. Ilo says:

    Astrit me gjithe sqimen tende te RD e 2004-2005 ku nuk le njeri pa pergojuar me lloj lloj thashethemesh duke nisur nga zyrtaret e larte te Ps e deri te mesues e mjek provincash ,pas 2005 u mundove te marrrsh pozicionin e kritikut brenda PD por kur ndodhi Gerdeci 21 janari heshte,pas 2013 kur e pe se anija jote po fuste uje ne te gjitha anet u perpoqe te marresh rolin e te moderuarit po ishte vone kete rol ta kishte marre Meta me ndihmen e diversantit Fahri Balliu ,tani qe mbete jashte nuk ka as kurajen ti thuash te keqes te keqe por po mundohesh te mbahesh me frymen e Fiqos dhe Fates .Je bere pet te ardhur keq nuk arrite as Blushin si zhurmues.

Lini një Përgjigje te Mondi Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *