Dako: Vota për Edi Ramën, e vetmja rrugë për të rritur punësimin, mirëqenien dhe për të bërë shtet

10 Qershor 2017, 13:13Politika TEMA

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Durrës, njëherësh kryetari i Bashkisë, z. Vangjush Dako, së bashku me Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, njëherësh kandidate për deputete, znj. Milva Ekonomi zhvilluan një takim me banorët e lagjes numër 13 në zonën e Plazhit.

Duke e vënë theksin tek reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë këtij mandati të parë qeverisës, z. Dako kërkoi nga banorët që në datën 25 Qershor të votojnë Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama si të vetmen alternativë për një të ardhme më të mirë për vendin.

“Nga këto reforma, kaq të thella që ka bërë kjo qeveri, ka përfituar çdo shqiptar. E pra, për mos t’u kthyer mbrapa, ne vijmë këtu dhe kërkojmë votën për Edi Ramën, për Partinë Socialiste sepse mendojmë që është e vetmja rrugë që mund të rrisë punësimin, që mund të rrisë mirëqenien, mund të bëjë shtet dhe mund të bëjmë atë që themi ne, Shqipërinë që duam”, deklaroi z. Dako.

Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se lagja numër 13, e njohur ndryshe si zona e Plazhit, është një nga lagjet ku Bashkia, së bashku me qeverinë, ka bërë investimet më të mëdha. Dako bëri të ditur gjithashtu se brenda datës 15 korrik, kjo lagje do të furnizohet rregullisht me ujë të pijshëm teksa solli në vëmendje edhe disa prej investimeve që janë bërë në këtë zonë dhe që tashmë janë një realitet i prekshëm.

“Për zonën e Plazhit kemi bërë investime shumë të mëdha. Ne për këtë zonë kemi bërë më shumë punë se çdo lagje tjetër e qytetit të Durrësit. Në 15 korrik është maksimumi që gjithë zona e Plazhit do furnizohet me ujë që na vjen nga Çerma e Lushnjes. Nga ana tjetër, ujërat e zeza i kemi bërë të gjitha lidhjet me kolektorët kryesor të ujërave të zeza, rrugën e bëmë, kthyem gjelbërimin, ndriçimin e bëmë vitin e kaluar, rrugën tjetër tek kanali e kemi mbyllur dhe e kthyem nga një moçal në një rrugë të asfaltuar, rrugët të cilat lidhin me autostradën i kemi bërë, do të vazhdojmë të bëjmë edhe nëpërmjet blloqeve të pallateve për të mbyllur përfundimisht zonën e Plazhit”, u shpreh kryebashkiaku.

Nga ana e saj, znj. Ekonomi u bëri thirrje të gjitha grave që në datën 25 Qershor të votojnë për kryeministrin Edi Rama, si i vetmi politikan i cili ka mbështetur në vijimësi forcimin e rolit të gruas në politikë dhe vendimmarrje.

“Do t’i bëja thirrje çdo zonje që është këtu, që ti thotë mikeshave që ka, të afërta apo të largëta, të bëjë këtë bisedë në lidhje me liderin që ato mendojnë që udhëheq më mirë dhe kështu mund të kemi më shumë shanse për të qenë dhe më mirë të përfaqësuara por për të çuar deri në fund reformat që ka nisur”, theksoi znj. Ekonomi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje