Mavraj: Humbja me Izraelin dhemb, por duhet të reagojmë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Mërgim Mavraj nuk e ka harruar ende atë disfatë të rëndë në “Elbasan Arena” kundër Izraelit ku rrugëtimi i Shqipërisë në këto eliminatore u vështirësua. Mbrojtësi kuqezi në konferencën për shtyp përpara sfidës së kthimit, e pranon se ai 90 minutësh mbetet një plagë e hapur për kuqezinjtë, por shton se një pjesë të madhe të fajit e kishte skuadra shqiptare për shkak të gabimeve të bëra.

 “Humbja me Izraelin në shtëpi na dhëmbi shumë, edhe për mënyrën sesi erdhi. Jo vetëm ne lojtarëve, por të gjithë shqiptarët pritën një lojë më të mirë. Gjatë lojës e dëmtuam edhe pak veten. Në këto eliminatore, golat që i kemi pësuar kanë qenë gabimet tona individuale. Ne ishim fajtorët që humbëm me Izraelin dhe ua falëm golat. Nuk besoj që skuadra ka ndryshuar në krahasim me përpara Europianit. Edhe mënyra e lojës ka ndryshuar, sepse nuk po rrimë vetëm në mbrojtje por edhe po dalim përpara. Kjo nuk është shumë e lehtë, sidomos me ekipe më të dobta se ne. Duhet të përqendrohemi shumë, për mënyrën se si mbrohet gjithë skuadra”.

Shiriti i kapitenit nuk është një çështje që e shqetëson skuadrën dhe Mavraj thekson se kryesore është që ekipi të ketë një mendim loje për një qëllim të përbashkët. Në vijim, ai analizon edhe gabimet e kësaj faze eliminatore.

“Janë gabime individuale që nuk na ndodhin vetëm ne. Reparti i mbrojtjes ka katër lojtarë, por për të mbrojtur portën nevojiten 11 futbollistë. Nuk kanë qenë raste që i kanë krijuar kundërshtarët. Nuk është se nuk jemi maksimalisht të përqendruar, por në këto nivele kundërshtarët shfrytëzojnë çdo gabim të vogël. Duhet të marrim përgjegjësitë dhe të gabojmë sa më pak”.

Humbja me Luksemburgun ishte e pesta rresht për Shqipërinë, por Mavraj thekson se ai moment duhet hedhur pas krahëve.

“Atmosfera në ekipin tonë, nga ditën e parë që jam unë këtu është e shkëlqyer. Normalisht që nuk është e lehtë pas një humbje me një kundërshtar që është më i dobët se ne. Ajo humbje ndikon disi te atmosfera. Ne si lojtarë më të vjetër jemi ulur bashkë, për të qenë të qartë për mënyrën e lojës, për mentalitetin që na duhet për të fituar në Izrael. Atmosfera nuk është problem. Cilësia sesi kemi luftuar për njëri-tjetrin nuk ka ndryshuar”.

Por cili është objektivi i Mavrajt dhe skuadrës për këtë transfertë?

“Dëshira ime është që të dalim me faqe të bardhë nga kjo ndeshje. Objerktivi ynë duhet të jetë që pas humbjes me Izraelin t’ia zbardhim faqen skuadrës dhe popullit tonë. Është një mundësi shumë e mirë për të kthyer disi atë eufori të vogël që kemi pasur. Ne kemi ardhur për të fituar. Ky është objektivi ynë”.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *