FOTOT/ Hapet edhe parkingu nëntokësor tek sheshi “Skënderbej”. Veliaj: Zgjidhje për drejtuesit e automjeteve

11 Qershor 2017, 13:12Sociale TEMA
FOTOT/ Hapet edhe parkingu nëntokësor tek sheshi

Përveçse një qendër pedonale, sheshi “Skënderbej” ka tashmë edhe parkingun nëntokësor me mbi 300 vende, duke i dhënë zgjidhje problemit të parkimit të automjeteve në qendër të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, inspektuan sot ambientet moderne të parkimit nëntokësor, i cili nga mëngjesi i sotëm është hapur për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi të gjithë qytetarët e Tiranës për pjesëmarrjen në koncertin e mbrëmshëm, i cili shënoi hapjen e sheshit “Skënderbej”, ndërsa tha se numri i lartë i atyre që e vizitojnë është treguesi më i mirë i suksesit të arritur. “Kishim mijëra njerëz në shesh mbrëmë në darkë që ishte freskët, por kemi mijëra njerëz edhe sot paradite kur ka diell. Ndaj, besoj se sheshi ka marrë notën 10 nga vlerësimi që po i japin njerëzit që e vizitojnë. Fakti që mijëra qytetarë ishin dje në mbrëmje në koncert, ku disa prej tyre e gdhinë, kurse sot në mëngjes shumë të tjerë po e shijojnë sheshin “Skënderbej”, them se kemi bërë gjënë e duhur”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se ky shesh është i vetmi sot në Europë i cili ka kaq shumë përqindje gjelbërim dhe një nga më funksionalët në gjithë hapësirën e tij. “Jam shumë i lumtur që po hapim edhe një pjesë funksionale të sheshit. Nga paraditja e sotme ka filluar funksionimi i parkimit nëntokësor; është i vetmi shesh i cili ka shfrytëzuar maksimalisht si mbitokën, ashtu edhe nëntokën. Ndaj, besoj që të gjithë ata që kërkojnë një cen, duhet të kërkojnë shumë fort sepse besoj se kemi marrë mësime nga të gjithë sheshet e Europës për të bërë realisht sheshin më funksional që arkitektët mund të kenë zhvilluar vitet e fundit”, tha ai.

Kryebashkiaku Veliaj ftoi qytetarët që të shfrytëzojnë parkingun nëntokësor publik, i cili ofron jo vetëm çmimet më të lira, por njëkohësisht standarde dhe siguri. “Të parkosh sot në qendër të Tiranës është më mirë se sa një orë parkimi në rrugë. Nëse qytetarët kanë më shumë se një orë punë në qendër, u bie më lirë të parkojnë në parkingun e sheshit “Skënderbej”. Politika e parkingut është e vështirë si mentalitet, por të mos harrojmë se njerëzit gjithmonë e kanë paguar parkimin, thjesht nuk ia kanë paguar bashkisë, por ia kanë paguar atij që me një arkë zinte vendet e parkimit dhe nën kërcënimin se do t’i gërvishte makinën, ua merrte ato para”, u shpreh kreu i Bashkisë, teksa shtoi se të ardhurat nga parkingjet publike bashkia i investon në mbjelljen e pemëve dhe investime të tjera publike si çerdhe, kopshte, shkolla.

Veliaj tha se ky parkim ofron një zgjidhje ideale për ata që i lidh puna me institucionet kryesore rreth sheshit. “Për këdo që ka punë te Banka e Shqipërisë, te Muzeu Kombëtar, te Opera, te Pallati i Kulturës, te Biblioteka Kombëtare, te Bashkia e Tiranës dhe kompleksi i ministrive, nga Ministria e Brendshme, e Ekonomisë, e Bujqësisë, e Energjetikës, iu del më

mirë sikur të parkojnë nëntokë dhe pastaj në këmbë të aksesojnë gjithë kompleksin e zyrave publike gjatë orëve të punës”, tha Veliaj.

Për herë të parë në Shqipëri, në parkingun nëntokësor të sheshit është vendosur një sistem i posaçëm për karikimin e automjeteve që funksionojnë me energji elektrike, duke e renditur Tiranën mes qyteteve më të zhvilluara që aplikojnë një projekt të tillë. “Është një risi që po e programojmë. Ky është parkimi i parë nëntokësor në Tiranë, por edhe parkimi i parë nëntokësor me karikim elektrik. Edhe parkingu nëntokësor te Bulevardi i Ri do të ketë vende të posaçme për makina elektrike. Flota më e madhe e makinave elektrike momentalisht është e Policisë së Shtetit, por do të shtohet edhe me flotën e bashkisë. Ka rreth 70-80 qytetarë që tashmë kanë makina elektrike dhe kemi menduar që ta kapim menjëherë teknologjinë me të cilën po ecën bota sot”, tha ai duke shtuar se kjo nismë është një hap cilësor teknologjik, duke e pajisur qytetin shumë shpejt edhe me një rrjet për karikimin e makinave elektrike.

Kryebashkiaku Veliaj dha një lajm të mirë edhe për të gjithë banorët e Njësisë 9 dhe 10, të cilët do të pajisen me kartën e rezidentit. “Banorët e njësisë 9 dhe 10 do të marrin kartën e rezidentit. Vetëm ata do të mund të parkojnë në lagjet e tyre; kurse punonjësit e bashkisë, apo kushdo tjetër që vjen nga rrethet, do të përdorin parkimin nëntokësor. Besoj se për këdo që vjen në Tiranë, nuk ka pasur kurrë shans të parkojë makinën te kali i Skënderbeut”, tha Veliaj. Ai garantoi qytetarët që janë marrë të gjitha masat që sheshi të ketë të gjitha kushtet edhe për plotësimin e nevojave bazike. “Sot ka një ashensor për personat me aftësi të kufizuara, që mund ta aksesojnë parkingun; ka tualete, të gjitha me sensorë, si larja e duarve, ashtu edhe tharja, dhe u kërkoj të gjithëve që t’i shfrytëzojnë për të gjithë nevojat higjienike që kanë. Është hera e parë që kemi bashkuar në një projekt edhe këtë nevojë që qytetarët e kanë kërkuar në qendër të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Projekti parashikon që hapësira e parkingut të përdoret edhe për aktivitete të ndryshme, si panairet. Duke garantuar se sheshi “Skënderbej” do të jetë një hapësirë fantastike edhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme artistike, kryebashkiaku Veliaj ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë sot në mbrëmje në koncertin rok me “Tre musketjerët”, për të dëgjuar hitet e tyre më të mira ndër vite.

“Dua të falenderoj të gjithë artistët, rreth 500 artisë që na nderuan mbrëmë nga të gjitha trevat shqiptare, me kostumet, këngët dhe vallet e tyre. Ishte një moment fantastik emocionues për të gjithë. Sot do të ndryshojmë, do të kemi një koncert rok me “Tre musketjerët”, me Elton Dedën, Aleksandër Gjokën, me Redon Makashin. Është krej tipologji tjetër e muzikës, kështu që kush e ndjen veten rroker dhe do ta shikojë sheshin “Skënderbej” rok, sot është mbrëmja e duhur. Ju presim të gjithëve në darkë, në orën 20:00 të mbrëmjes. Do të vazhdojmë çdo ditë me aktivitete, që kushdo vjen të shohë sheshin “Skënderbej” të ketë mundësinë edhe të shijojë muzikë shqiptare në varësi të temës që kemi për atë natë”, tha kreu i Bashkisë.

1 komente në “FOTOT/ Hapet edhe parkingu nëntokësor tek sheshi “Skënderbej”. Veliaj: Zgjidhje për drejtuesit e automjeteve”

  1. spartaku says:

    Bravo,bravo,bravo! Ju lumt,ju lumt,ju lumt! Kini bere nje mbrekulli.Per ke te shesh (Skenderbej) meritoni lavderimet me te larta.Erion Veliaj eshte shume punetor,dhe i dashuruar pas kryeqytetit Tiranes.Edi Rama si kryeminister ka pjesen e tij te lavderueshme.Votat ne 25 qershor jane per ps-te dhe nuk diskutohet qe do jete ne udheheqje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje