Politikë me shëndetin nga një qafir kandidat

11 Qershor 2017, 09:47Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Në çdo takim të vetin elektoral, Lulzim Basha ka rritur retorikën e vet duke deklaruar se do anulojë çdo partneritet publik – privat që ka ndërmarrë qeveria “Rama”. Ndër to do veçoja PPP për kontrollin bazë të shëndetit ose quajtur ndryshe “Check Up”, për të cilën Basha ka ngritur një furtunë në gotë në çdo artikulim publik. Kudo ku shkon nis e tregon se në këtë lloj shërbimi burri ngel me barrë, kurse gruaja del me prostatë. Mesa mbaj mend është diskutuar në fillimet e ofrimit të këtij shërbimi për ndonjë rast sporadik që gjithmonë ndodh sa herë ka një shërbim të ri i cili shoqërohet edhe me fluks të madh aplikimesh. Por, një lider politik, që është edhe kryetar i opozitës, nuk mund të ngelë kurrsesi peng i një rasti të izoluar e ta tundë si flamur edhe pas tri vitesh. Po mirë, lind pyetja: pse nuk janë referuar më raste të ngjashme pas atyre të fillimit? Mos vallë kjo do të thotë se sistemi ka funksionuar? Natyrisht që po, ndryshe do kishim në vijueshmëri denoncimesh për analiza të gabuara. Përderisa nuk ka patur, atëherë kjo tregon se ky shërbim, jashtëzakonisht i domosdoshëm, është vënë në rrugë të mbarë dhe ka funksionuar.

Personalisht më ka shqetësuar vazhdimisht ky sulm që Lulzim Basha po i bën Check Up-it. Ky lloj shërbimi është parandalues për një sërë sëmundjes, sepse u jep mundësinë çdo shqiptari, nga mosha 35 – 70 vjeç, të verifikojë një herë në vit gjendjen e vet shëndetësore. Është i njëjti rregull që ndiqet për kontrollin vjetor të makinave. Kur është e domosdoshme siguria e makinës, pse mos të jetë edhe ajo e shëndetit?! Kur na ha meraku për hekurishtet e një makine, mos vallë duhet të neglizhojmë organizmin tonë?! Duke e thënë vazhdimisht se kush bën Check Up-in  del me barrë si burrë e me prostatë si grua, thjesht dekurajon njerëzit për t’u paraqitur në qendra shëndetësore për të aplikuar për këtë shërbim. Cili është ai burrë që merr nismën të shkojë në poliklinikë kur ai në mendje ka se do dalë me barrë?! Po një grua që kujton se do dalë me prostatë?! Përsëritja pafund e këtij artikulimi bëhet enkas e me qëllim që ata që kanë ndërmend ta bëjnë Check Up-in t’u humbasë besimi.

Dihet nga ligjet e mjekësisë se një sëmundje është më lehtë ta parandalosh se sa ta kurosh. Dhe parandalimi bëhet vetëm nëpërmjet Check Up-it, i cili të tregon në kohë se cila është situata jote e brendshme, pavarësisht se ti si individ mund të mendosh se je i shëndetshëm. Kur një lider politik e kthen në qesharak këtë shërbim (e shoh në çdo takim elektoral të Bashës se si zgërdhihen të pranishmit pas batutave të tij për këtë çështje serioze), mos prit që të rritet numri i të interesuarve. Duke ditur që ne si popull nuk kemi shumë kulturë shëndetësore pasi kujtohemi të shkojmë tek mjeku kur jemi në gradë të fundit, këto thirrje bëjnë që jo vetëm të rrezikohet shëndeti i popullit, por edhe të rriten shpenzimet për shëndetin pasi dihet që kostot parandaluese janë më të lira se sa ato kur gjendja është e rënduar.

Ajo që më bën çudi është se Lulzim Bashën nuk e kam parë asnjëherë të shkelë në qendrat shëndetësore publike ku ofrohet Check Up-i, apo të aplikonte vetë si shembull. Pastaj të shkonte të interesohej personalisht në laboratorët modernë ku kryhen analizat e këtij shërbimi. Të shihte me sy se si janë kushtet, të merrte informacion se cila është zbulueshmëria parandaluese dhe pastaj të nxirrte konkluzione nëse duhej apo jo të bëhej anulimi i konçesionit. Ai s’e ka bërë kurrë këtë dhe flet gjithë paragjykim duke marrë nëpër gojë një zonjë të nderuar, e hershme në biznes, që kontribuon për këtë vend me taksa e punësime. Një kandidat i denjë për kryeministër, kur sheh se këto shërbime janë në të mirë të popullit, angazhohet që t’i avancojë më tej duke kërkuar që të shtohet gama e analizave. Por, si i paskrupuj që është, po i ofron popullit anulimin e analizave falas. Rrjedhimisht kjo çon në urimin që ata të sëmuren pa e kuptuar.

Një risi pozitive e shërbimit të Check Up-it është se ai, brenda 7 ditësh nga marrja e analizave, të del i aksesueshëm edhe në faqen personale që ofron portali qeveritar “e-albania”. Çdokush prej nesh gjen aty arkivin digjital të Check Up-it dhe sado vite të kalojnë ai shkarkon e printon gjendjen e vetë në vite duke krahasuar se si ka evoluar situata shëndetësore  e tij. Njëkohësisht edhe qeveria ka mundësinë të njohë gjendjen e popullatës së kësaj grupmoshe duke parashikuar më mirë të ardhmen dhe politikat e saj në fushën e shëndetësisë. Gjithë këtë arritje, e cila duhet përshëndetur dhe përkrahur fuqishëm, duke i nxitur sa më shumë njerëzit që të mos e neglizhojnë, do që ta hedhë në erë një qafir kandidat për kryeministër si Lulzim Basha, që s’e ka për gjë të bëjë politikë me shëndetin e popullit të vetë. Një arsye më shumë kjo që më 25 qershor ai të ndëshkohet me votë edhe për  këtë qasje negative ndaj shëndetit të popullit. Në fund të fundit, e meriton plotësisht!

4 komente në “Politikë me shëndetin nga një qafir kandidat”

  1. taraboshi says:

    Lulushi nuk don qe populli te beje vizita falas por me para ne dore se ashtu i del fitimi i tyre . Nga njera ane premton per shkollim falas spitale falas drita falas asnje takse per popullin cdo gje falas te “” lumt ne sa mire do jetojme me Lulushin kryeminister “” Keto premtime nuk mund ti bente edhe Marksi po te ishte gjaĺle pra as P K SH ja qe merr pjese ne zgjedhje nuk mund ti beje.

  2. taraboshi says:

    O Mero pse nuk i nxjerr komentet e taraboshit ?

  3. Anarko-Sindikalisti says:

    Luli nuk genjen, e ka nga pervoja personale, vete ka ngelur me barrë, kurse gruaja ka dale me prostatë. Edhe ky shembull tregon se sistemi funksionon.

  4. Doktori says:

    Ti qe shkruan keto artikujt qenke me trap se Lulushi, prandaj i shkruan me sinonim. Nuk ka kundershtuar kush check-upin, kane kundershtuar faktin qe eshte paguar sa qimet e kokes per nje sherbim qe:
    a) nuk ka mbuluar aq njerez sa duhet mbulonte
    b) nuk ka sjelle investimet per laboratoret privat qe duhet te sillte

    Dmth ti je komplet idiot qe merr te shkruash per politika qe as nuk i kupton

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje