Rezultatet në Kosovë/ Pse ‘koalicioni i luftës’ mori një tore si ajo e Pirros dhe nuk ka shumicën qeverisëse..?!

12 Qershor 2017, 08:52Rajoni TEMA

Koalicioni PDK-­AAK-NISMA ka arritur të fitojë më së shumti vota në zgjedhjet e së dielës, por njëkohësisht ka shënuar humbje të madhe, në raport me votat që kishin fituar veç e veç në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.

Tri partitë politike parlamentare që u bënë bashkë me koalicion parazgjedhor nuk arritën të marrin më shumë vota se PDK-­ja që kishte marrë para tri vjetëve.

Revolucion elektoral ka shënuar vetëm lëvizja “Vetëvendosje”, e cila pa asnjë koalicion ka arritur t’i dyfishojë votat. LDK-­ja doli më së keqi nga këto zgjedhje. Bashkimi jo gjithmonë do të thotë fuqi, ashtu sikur futja në një garë pa ndihmën e askujt jo gjithmonë do të thotë hendikep.

Këtë e dëshmuan më së miri zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë, ku lëvizja “Vetëvendosje”, e cila hyri në zgjedhje pa asnjë koalicion, doli partia e vetme, e cila jo vetëm që pati rritje, mirëpo dyfishoi numrin e votuesve të saj, duke dalë partia e dytë në vend.

“Fillimi i Ri” i Kadri Veselit, i cili mori në armatën e tij edhe dy ishushtarakë me nam të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, është dashur të kënaqet me vetëm një “Fitore të Pirros”.

Ky koalicion megjithëse ka dalë i pari, ka marrë rreth 12 për qind më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2014, kur kishin garuar të vetme.

E nëse ka një humbës të madh në këto zgjedhje, kjo është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nuk ka arritur as në kuotën prej 30 për qind, përkundër faktit që në ndihmë kishte AKR-­në e Behgjet Pacollit dhe Alternativën e Mimoza Kusarit.

Madje partia e Isa Mustafës tash edhe zyrtarisht ka humbur pozitën si partia e dytë në vend. Me këto përqindje tani sfida do të jetë në formimin e qeverisë.

Koalicioni PAN, si formacioni politik më i votuar, do ta ketë një betejë jo të lehtë në formimin e ekzekutivit, pasi që me pakicat do ta krijojë vetëm shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje