Kryebashkiaku Veliaj inspekton investimet në Njësinë Nr. 4, rikonstruktohen 18 rrugë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Krahas investimeve në qendër, ndërhyrjet e Bashkisë së Tiranës në periferi të kryeqytetit kanë transformuar shumë prej zonave të cilat nuk kishin njohur asnjë investim për vite me radhë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga kandidatët e PS për deputetë Blerina Gjylameti, Ogerta Manastirliu, Ervin Bushati dhe Rakip Suli inspektuan ndërtimin e 18 rrugëve lidhëse në zonën e Alliasit, si dhe punimet që po kryhen për rehabilitimin e Bregut të Lumit, investim i cili prek Njësitë Administrative 4, 8, 9 dhe 11.

Kryebashkiaku Veliaj tha se falë investimeve të Bashkisë së Tiranës është përmirësuar infrastruktura, e cila ka rritur edhe vlerën e pronës në këto zona. Ai siguroi se projektet e bashkisë do të shtrihen në të gjitha njësitë e kryeqytetit për ndërtimin e rrugëve, çerdheve dhe shkollave të reja. “Shumë banesa që konsideroheshin vetëm banesa me mure të larta, sot quhen vila, pa e ndryshuar formën e ndërtesës, por vetëm nga fakti se kanë ulur gardhet, kanë vendosur kangjella, kanë mbjellë lule, është zhvendosur trotuari, janë bërë veshjet me pllakë etj. Angazhimi i Bashkisë së Tiranës është që, siç kemi bërë në Njësinë 4 me rregullimin e 18 rrugëve, me shkollën e re ‘Ardian Klosi’, me çerdhen, me kopshtin, me qendrën sociale, me kompleksin e qendrës shëndetësore, kështu do të vazhdojmë edhe në Njësinë 8, në Njësinë 9 dhe në Njësinë 11, për t’u siguruar që zona e Bregut të Lumit, nga një zonë totalisht e degraduar, të jetë një nga zonat më të preferuara të qytetit”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se pas procesit të legalizimit nga qeveria, Bashkia e Tiranës do të vijojë me urbanizimin e të gjitha lagjeve te zona e Bregut të Lumit. “Kemi parë sot rehabilitimin e një lagje të tërë te Bregu i Lumit, zonë kryesisht informale. Në katër vitet e fundit është bërë një pjesë e madhe e legalizimeve nga qeveria dhe tani Bashkia ndërhyn për ta urbanizuar”, u shpreh ai. Veliaj kërkoi mbështetjen e qytetarëve për një mandat të dytë qeverisës të kryeministrit Rama, si garanci për më shumë investime në kryeqytet.

“Kemi bërë shumë në këto dy vite me mbështetjen e Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare. Imagjino sa blloqe të tilla mund të bëjmë nëse vazhdojmë me këtë mbështetje në datën 25 qershor. Unë si Kryetar Bashkie dhe administrator i këtij qyteti i kërkoj qytetarëve të Bregut të Lumit në njësinë 8, 9, 11 dhe 4 të na ndihmojnë që të vazhdojmë me PS. Të vazhdojmë me Edi Ramën, duke pasur një derë të hapur në qeveri, siç kemi punuar në këtë bllok me 18 rrugë dhe i kemi rritur disa herë vlerën pronën, siç kemi punuar në Pazar të Ri dhe i kemi rritur disa herë vlerën pronës, siç kemi punuar tek Bregu i Lumit, që preket nga projekti i Bulevardit të Ri në njësinë 9 dhe i është shtuar vlera pronës. Imagjinoni se çfarë mund të bëjmë në 2 vitet e ardhshme për Tiranën me një qeveri të fortë dhe me Edi Ramën, që e mbështet me të dyja duart fuqishëm qytetin tonë”, theksoi Veliaj.

Falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës në shtratin e Lumit të Tiranës, është bërë i mundur rehabilitimi i brigjeve të tij me mur mbrojtës, duke dhënë një impakt në shmangien e përmbytjeve dhe në përmirësimin e infrastrukturës kryesore dhe dytësore të kanalizimeve të ujërave të zeza në të dyja anët e lumit.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj-8-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj-8.jpg","attachment_id":"706535"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj1-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj1.jpg","attachment_id":"705138"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj2-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj2.jpg","attachment_id":"705139"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj3-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj3.jpg","attachment_id":"705140"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj4-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj4.jpg","attachment_id":"705141"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj5-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/06\/veliaj5.jpg","attachment_id":"705142"}]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *