Presidenti amerikan nuk është statujë

Nga Andrea Danglli

Presidenti amerikan është një ndër figurat më të rëndësishme në arenën e politikës botërore dhe si i tillë s’mundet kurrsesi të konsiderohet si një statujë për të pozuar me të.

Ky veprim mund të quhet një abuzim i madh që është bërë dhe vijon të bëhet nga pothuajse të gjithë liderët politikë që ka pasur vendi.

Historia ka treguar qartë se ata janë nisur drejt Washington-it me synimin për të bërë një fotografi dhe jo për të përfunduar me benifite një punë konkrete.

Misioni për këtë shkrepje të shumë dëshiruar nuk është i thjeshtë. Fillimisht nënshkruhet një marrëveshje me një kompani lobimi, e cila pasi të zhvat mirë e bukur, përpiqet të të sigurojë një takim.

Nga ky moment kreu i SHBA-së gjyrmohet në çdo shteg, në çdo event, në çdo tubim dhe në çdo vrimë për të gjetur momentin e përshtatshëm ku mund të përfitohet 15-20 sekonda, sa për t’i dhënë kohë fotografit që të fokusojë aparatin.

Pastaj ky imazh i hidhet si “kërmë” opinionit publik për tu shqyer dhe për tu zënë gojën skeptikëve, llafazanëve apo edhe njerëzve të logjikshëm të këtij vendi.

Gjithsesi duhet thënë se nuk janë plotësisht fajtorë politikanët tanë. Kjo situatë vjen si rrjedhojë e një problemi të hershëm që kemi ne si popull ku pyetja që shtrojmë teksa mësojmë se një lider shqiptar takon një personalitet të huaj është: A ka bërë foto me të?

Këtë pikëpyetje e ngremë në një kohë kur duhet të interesohemi nëse foli për programe, u dakortësua për projekte, shkëmbeu ide, ndërmori iniciativa, vendosi për bashkëpunime, zyrtarizoj shkëmbime, etj…

Këto pyetje fatkeqësisht kanë munguar dhe mungojnë.
Më herët gjatë samitit të NATO-s diskutohej nëse kryeministri Edi Rama takoi Donald Trump-in apo jo, pastaj analizohej nëse lideri i opozitës Lulzim Basha ka shanse ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë ndërsa Ramës i është vendosur viza e kuqe, ndërkohë së fundmi parashikohej se Basha është dështak dhe do kthehej duarbosh pa fotografi. Sa qesharake.

Nuk kam asgjë me Ramën, me Bashën apo me Metën se fundja mirë të na e bëjnë kur na i shesin këto shkrepje si suksese gjeniale dhe ne me gjykimin tonë të cekët pranojmë t’i blemë.

Mbase i duhet bërë pyetja se “kujt i hyn në xhep pozimi i tyre i thatë kur ne na intereson puna?”

Personalisht i sugjeroj t’i marrin dhe t’i varin në muret e shtëpive të tyre dhe mos t’ja shesin shqiptarëve si mbërritje në Everestin e politikës.

Arritje miqtë e mi është kur unë dhe ti shohim se hapet një horizont i ri përtej asaj fotografie dhe jo të na konsiderojnë si të prapambetur mesjetarë duke na shitur sapunin për djathë.

Besoj se koha kur thuhej se ne do hamë me lugë floriri, do jetojmë pa punuar, do vijë “çeku i bardhë” apo pozoi me x dhe y, ka fluturuar njëherë e mirë bashkë me naivitetin e viteve të para të gjasmedemokracisë.

Nëse shqiptarët do ta bazojnë votën e tyre mbi një fotografi dhe jo mbi një program, unë mendoj se do vijojmë rrugëtimin tonë duke ecur një hap përpara dhe dy hapa mbrapa.

Ndaj si Rama, si Basha, si Meta apo ndonjë tjetër, është mirë që përpara se të fshehin dështimet pas ndonjë fotografie qorre, të shtrëngojë rripin dhe të punojnë për vendin.

Në këtë mënyrë, nesër kur ta takojnë presidentin amerikan, do t’i shkojë ballë lartë si përfaqësues të një vendi që kanë ditur ta ndërtojnë dhe jo ta shkatërrojnë.

Historitë e fotografive, e shkrepi se shkrepi, e lahu se lahu apo e dogji se dogji, duhet të shndërrohen në histori progresi për t’i treguar botës se cila është Shqipëria, nga vjen dhe për ku është nisur të shkojë.

Kaq, për të tjerat kemi veshë për të dëgjuar, sy për të parë dhe mendje për të gjykuar se presidenti amerikan nuk është statujë.

REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Presidenti amerikan nuk është statujë”

  1. Haka Tekizoti says:

    Po, presidenti amerikan nuk është statujë!! Ç’është ky titull?! Po, a mund të thuhet që presidenti amerikan është një klloun, përderisa pranon të veprojë si një nga këta që zënë ndonjë shesh, vishen çuditshëm ose si ndonjë personazh i bujshëm për idiotët dhe u vetserviret turistëve për të bërë foto me të kundrejt pagesës?! Ne shqiptarët nuk e kemi traditë të paguajmë për t’u fotografuar me dikë. Për ne kjo është fyese. Por politikanëve tanë u ka plasur cipa dhe s’kanë dinjitet e prandaj s’kanë as turp. Se me kë fotografohen, pse dhe si s’besoj se i rruhet ndonjë shqiptari, por shqiptarët kaë një faj: atyre që përpiqen të na shiten si mall i mirë me anë të këtyre idiotësive të turpshme duhet të vendosin të mos u japin asnjë votë. Sa për predentin Trump, ai është në të drejtën e vetë e të moralit amerikan të shfrytëzojë çdo mundësi e çdo idiot për të bërë para.

  2. Redi says:

    Kete lloj paturpesie, provincializmi ,e filloi Rama me foton me Obamen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *