Rrahja e militantit të LSI në Zharrëz, prokuroria nis hetimin për konfliktin për një vijë uji. Policia: Ja e vërteta e sherrit

15 Qershor 2017, 00:01Politika TEMA

Incidenti në Zharrëz të Fierit që përplasi dy forcat e mëdha politike në qeverisje, Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim është vënë në hetim nga Prokuroria e Fierit, e cila ka ngritur akuzën e “dëmtimit me dashje” dhe “shkatërrimit të pronës”.

Bëhet fjalë për dhunimin e një maturanti, Orgest Grembi i cili u rrah pasi deklaroi se do të votonte për LSI-në. Nga drejtues të kësaj force politike ky incident u ngjalli reagime të shumta, me argumentin se personi që e ka dhunuar është anëtar i partisë Socialiste.

Prokuroria e Fierit do të hetojë në gjendje të lirë, 57-vjeçarin Agim Grembi, fqinj i të riut. Sipas kallëzimit në polici që ka bërë 18-vjeçari, rreth orës 13:00 të ditës së sotme, pas një konflikti për motive të dobëta është dëmtuar në trup si dhe i është thyer telefoni i tij nga 57-vjeçari.

Nga ekspertimi mjeko-ligjor rezultoi se të dy personat kishin marrë dëmtime të lehta.

Policia thotë se i kaloi materialet procedurale Prokurorisë së Fierit për hetime të mëtejshme për veprat penale

“Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrim prone” në ngarkim të shtetasit Agim Grembit.

Ndërsa për Orgest Grembin u ngrit akuza për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.

Përmes një komunikate, Policia thotë se rrahja e maturantit nuk ka ardhur për shkaqe politike, por për një sherr në lidhje me një vije uji vaditëse.

Deklarata e plotë

Nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

1. A.G, 57 vjeç, banues në Belinë, Patos.

Procedimi penal ndaj këtij shtetasi u bë pasi në datën 14.06.2017 në orën 14:00 u paraqit në Stacionin e Policisë Patos shtetasi O.G, i cili ka kallëzuar se në datën 14.06.2017 rreth orës 13:00 pas një konflikti për motive të dobëta është dëmtuar në trup si dhe i është thyer telefoni i tij nga shtetasi A.G.

2. O.G, 18 vjeç, banues në Belinë, Patos. Procedimin penal ndaj këtij shtetasi filloi pasi sot në datën 14.06.2017, në orën 16:00, u paraqit shtetasi A.G, 57 vjeç, banues në Belinë, Patos, i cili ka kallëzuar se në datën 14.06.2017 rreth ores 12:00 pas një konflikti për motive të dobëta është dëmtuar në fytyrë me grushta nga shtetasi O.G

Policia ka dhënë vendimin për kryerjen e ekspertimit mjeko ligjor për shtetasit A.G dhe O.G.

U krye këqyrja e personave ku u vërejt se shtetasit A.G dhe O.G kishin dëmtime të lehta.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për hetime të mëtejshme për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Shkatërrim prone” parashikuar nga Nenet 90 dhe 150 të Kodit

Penal në ngarkim të shtetasit A.G.

Për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga Neni 90 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit O.G.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje