Idrizi: PDIU merr 10 deputetë më 25 qershor, ja kushti ynë për koalicion

19 Qershor 2017, 10:16Politika TEMA

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ka zhvilluar një takim me përkrahës të kësaj force në qytetin e Peqinit.

Në këtë takim morën pjesë, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, deputeti Aqif Rakipi, i cili kryeson listën për deputet në qarkun e Elbasanit dhe kandidatët Bujar Muça e Elena Xhina.

Idrizi u shpreh se PDIU do të dyfishojë mandatet në 25 qershor, falë mbështetjes së Peqinit dhe të gjithë Shqipërisë.

“Me mbështetjen tuaj, me entuziazmin tuaj, me atë që e shohim çdo ditë në Shqipëri, PDIU do të jetë një parti me grup parlamentar me 10 deputetë, e cila do të jetë pranë atij pushteti që mendon për këtë vend, që mendon për këtë komb, e që do t’i japë dritë kauzave tona, do t’i japë hapësirë, sepse ne jemi krijuar si parti kauzash. E kjo është arsyeja pse unë ju ftoj mos t’i bashkoheni atyre që për 27 vjet nuk kanë ardhur njëherë të japin llogari për atë që ju kanë marrë votën, 4 apo 8 vjet më parë. T’iu thonë që kemi bërë këtë, apo s’kemi bërë këtë. Por jo, sa herë që vijnë stigmatizojnë njëri-tjetrin, merren me histori personale,pikërisht që shqiptarët të mos kuptojnë kush është programi i partive”, u shpreh kryetari i PDIU-së.

Shpëtim Idrizi tha se për 27 vjet është folur për reforma në Shqipëri, por shqiptarëve u është vrarë shpresa.

“Ne nuk kemi një Atdhe të dytë që t’ia falim atyre që për 27 vjet folën për reforma, por nuk e panë asnjëherë deformimin e tyre. Folën që do të bënin progres e do të shkonin drejt integrimin europian, por bënë vetëm zigzage, sepse donin integrimin e Shqipërisë vetëm kur ishin në pushtet. Kjo është arsyeja pse ne kemi 27 vjet që vërtitemi në një rrugë që akoma nuk e dimë. Kjo është arsyeja pse shqiptarëve u është vrarë shpresa, por prania juaj këtu tregon që Shqipëria ka shpresë”,  theksoi kryetari i PDIU-së.

Idrizi u shpreh se PDIU nuk ka importuar kandidatë për deputet dhe në Elbasan përfaqësohet me Aqif Rakipin dhe të gjithë kandidatët e tjerë, të cilët u qëndrojnë pranë njerëzve.

“Ne nuk mund të gjenim në këtë vend, listë më të mirë dhe njerëz më të mirë që të ishin pranë jush sesa Aqif Rakipi, Bujari, Elena, Dritani, Servo e shumë djem dhe vajza nga gjithë qarku i Elbasanit. E arsyeja jonë themelore për ta bërë këtë është sepse ne duam njerëz që i njohin hallet dhe problemet tuaja. I njohin të gjitha ato që ju preokupojnë. Mungesën e zhvillimit, varfërinë, ndasinë, të gjitha ato që na kanë munduar për 27 vjet. Kjo është arsyeja që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk ka importuar kurrë kandidatë për deputet nga qarqet e tjera. Njerëz që ju t’i shihni në muajin e fushatës e pastaj t’i shihni nga televizori. Por këtu në Peqin ne kemi arsye më shumë, sepse këtu në Peqin ne i kemi fillesat e fitores së madhe të PDIU-së me mikun tim, vëllanë tim Aqif Rakipin, që kemi ndezur të gjithë qarkun e Elbasanit e të gjithë Shqipërinë për t’i dhënë vrullin tonë, sharmin tonë, për t’i dhënë patriotizmin tonë të gjithë shqiptarëve. Votoni PDIU-në! Votoni nr 13! Votoni Aqif Rakipin, Bujar Muçën, Elena Xhino, dhe të gjithë kandidatët e tjerë në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Shpëtim Idrizi.

Ndërsa kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet Aqif Rakipi, tha se: “Gjatë kësaj fushate kemi takuar shumë njerëz, të cilët i gjejmë në kafene gjatë gjithë kohës. Pse? Sepse janë pa punë, pa shpresë, por shpresën do ta gjejnë tek Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Ne do ti japim shembull politikës shqiptare. Me përkrahjen tuaj nga 1 deputet që kishim shkuam 5, kurse sot do ti dyfishojmë mandatet. Do të kemi të paktën 10 deputetë në Parlamentin e Shqipërisë. Vetëm në Elbasan ne do të marrim të paktën 3 deputetë”.

Kandidati tjetër për deputet në qarkun e Elbasanit, Bujar Muça, u shpreh se: “Ajo që mund të ndodh brenda disa ditësh, apo në një ditë të vetme, mund të ndryshojë rrjedhën e jetës të gjithsecilit prej jush. I tillë në fakt është edhe 25 qershori, një ditë e veçantë, që mund të ndryshojë jetën e çdokujt. Unë jam i bindur që mbështetja juaj në 25 qershor do të jetë akoma më e madhe, nga ajo që ka qenë më parë. Jam i bindur që edhe qyteti i Elbasanit, do të ndjekë të njëjtën traditë ashtu si Peqini dhe forca jonë politike në qarkun e Elbasanit do të jetë fituese në 25 qershor”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje