Oketa letër të djathtëve: Mos lejoni që pazari PS-PD të na kërcënojë identitetin, bashkoni votën me mua...!

19 Qershor 2017, 08:28Politika TEMA

Gazmend Oketa, i pari i listës së Tiranës për deputet për Frymën e Re Demokratike, u është drejtuar me një letër të hapur të djathtëve shqiptarë, përmes së cilës jep arsyet pse duhet votuar për FRD.

Sipas Oketës, vota për FRD është për të mos lejuar që pazari PS-PD të kërcënojë identitetin e partive të tjera që përfaqësojnë shtresa e kategori sociale.

 

Letra e plote:

Të dashur qytetarë, miq, kolegë dhe votues të së djathtës në Shqipëri,

Prej një muaji dy partitë e vjetra politike kanë rënë dakord në bisedime të fshehta për të eliminuar të gjitha partitë e vogla dhe për të krijuar një sistem dypartiak, ku palët të mbështesin njëratjetrën në ndarjen e pushtetit dhe privilegjeve të tij.

Ato nuk biseduan dhe as ranë dakord të bëjnë reformat që ne duam, as të reformojnë sistemin zgjedhor që bashkërisht deformuan në prill 2008, as të kalojnë në zgjedhjen direkt nga qytetarët të Presidentit të Republikës, as për kufizimin e numrit të deputetëve nga 140 në 100, as për t’u dhënë fund praktikave monopol në treg dhe në politikë, as për të depolitizuar komisionet zgjedhore dhe për t’u hapur rrugë zgjedhjeve vërtet të lira ku vota e gjithsecilit numërohet dhe vlen, as për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE dhe as për ta jetësuar vetingun në drejtësi, si hap të parë drejt nevojës jetike për veting edhe në politikë.

Jo miq. Ato ranë dakord të kontrollojnë partitë e tyre dhe të përjashtojnë kritikët, t’u mbyllin gojën partive të treta dhe të ndajnë mes tyre klientelën e pushtetit.

Në këto rrethana një numër i madh qytetarësh, partish politike, sidomos partitë e djathta të përbëra nga ish­të përndjekur politikë, ish-­pronarë, ish-­dhjetoristë apo reformatorë, liberalë apo monarkistë, – të gjithë pa përjashtim, janë të kërcënuar nga pazari i radhës midis dy individëve, të gjithë janë të kërcënuar në identitetin e mbijetesën e tyre.

Shikoni fushatën: cili kryetar partie i të djathtës është ftuar për të folur në takimet e “të djathtës”, cili ish­i përndjekur është futur në listat elektorale të PD, cili ish­pronar është futur në vendet fituese të listës shumëemërore, cila media e kontrolluar u jep hapësirë mendimeve të atyre që nuk janë dakord me sistemin korruptiv dy e trepartiak në Shqipëri? Asnjë.

Sepse marrëveshja nuk është ajo që është shkruar në letër, por ajo që nuk është shkruar, që i fshihet publikut dhe që përbën thelbin e marrëveshjes, – mbijetesën e dy kryetarëve në partitë e tyre dhe në garën elektorale 2017.

Shqipëria është më e madhe sesa dy parti, demokracia është shumë më përfaqësuese sesa listat e dy individëve, nevojat dhe sfidat e vendit kërkojnë shumë më tepër kontribut e alternativa sesa ato që ofron pazari politik Rama­Basha.

Pikërisht për këtë arsye, duke besuar se ky vend ka ende shpresë të ndryshojë dhe se ende ka vend për zërat e arsyes, njerëzit e ndershëm dhe platformat që ofrojnë një model të ri politik, unë ju ftoj ju miq e kolegë, qytetarë të nderuar dhe të papërfaqësuar, – pavarësisht nga siglat partiake dhe përvoja juaj gjatë tranzicionit, të më bashkoheni më 25 qershor me votën tuaj.

Premtimi im është i thjeshtë: do t’ju përfaqë­ soj dhe do të mundësoj që në parlamentin e ri e djathta moderne, tradicionale dhe liberale të ketë zërin qytetar e të çlirohet nga litarët që dy kryetarë partish u vunë në fyt mbrëmjen e 17 majit.

Unë respektoj idetë tuaja politike, respektoj garën dhe kontributin tuaj për të ruajtur dinjitetin dhe për të mos u asimiluar nga ofertat korruptuese të pushtetit.

Pikërisht ngaqë ju respektoj kam bindjen se bashkimi i votave rreth vlerave dhe një projekti të përbashkët, do jetë shans i të gjithëve për të mos e hedhur votën në Drin apo në Vjosë, siç kërcënojnë partitë e vjetra.

Unë dua t’ju kërkoj votën edhe duke u vetofruar si shans që vota e juaj më 25 qershor të ketë vlerë dhe të shkojë tek ato çështje e parime që ju besoni dhe që në shumicë gjenden në formimin tim, në programin tim, në vizionin tim për të ardhmen e përbashkët.

Në një rast të njëjtë unë do ta bashkoja votën me ju, ndaj kam besim se elitat qytetare të këtij vendi, që i janë ndodhur në krah në ditët më të vështira, do të arrijnë me kurajë e arsye t’u japin një mësim të mirë atyre që erdhën në pushtet me premtimin të ishin shërbëtorët tuaj dhe që pas 17 majit janë shndërruar në padronët e të sotmes dhe të ardhmes suaj. Miq, votoni numrin 11, FRD në fletën e votimit.

Nuk është aty një sigël e thjeshtë partie, por pas saj jam unë, një si ju, një që më njihni dhe më gjykoni, një njeri që nuk është përfshirë në asnjë aferë politike korrupsioni dhe që ka ditur të thotë mjaft kur pushteti ka abuzuar.

Me respekt të veçantë dhe urimet më të mira për ju e familjet tuaja,

Miqësisht Gazmend Oketa

 

3 komente në “Oketa letër të djathtëve: Mos lejoni që pazari PS-PD të na kërcënojë identitetin, bashkoni votën me mua…!”

  1. Fatmir Lohja says:

    Kjo leter eshte teper vone.Ne keto zgjedhje,direkt nga çadra ,e djathta hyri ne vathen e listave pa aspak dinjitet.

  2. Spiros says:

    Pirdh o Gazi pirdh

  3. spartaku says:

    Per mendimin tim nuk eshte vone kjo leter e zotit oketa.Ai ka shume mire mendimin dhe thirrjen qe bene.E djathta shqipetare,duhet te bashkoi votat me FRD dhe te lere menjan pd-ke,duke krijuar nje te djathte te besueshme dhe aktive ne shqiperi. Pd-ke sot eshte nje parti terroriste,e cila kerkon vetem destabilizin,vetem rremuje dhe LUFTE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje