STATISTIKAT/ Fushata elektorale ndezi motorët në maj, shpenzimet kapitale në 5 mujor rritje vjetore me 71%

19 Qershor 2017, 18:05Ekonomia TEMA

Fushata elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare ka nisur të reflektohet edhe në treguesit buxhetorë, teksa shpenzimet kapitale kanë pësuar rritje me 71 për qind ne janar -maj në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave gjatë pesemujorit të parë shpenzimet buxhetore ishin mbi 22 miliardë lekë, nga rreth 12 miliardë lekë që ishin janar-maj 2016, me rritje mbi 70 për qind. Por ky është niveli më i lartë e shpenzimeve buxhetore për investime që nga viti 2013.

Për herë të parë shpenzimet në këtë zë tejkaluan edhe programin e pesëmujorit, por me vetëm 0.5 për qind.

Në vitet e mëparshme zgjedhore ka pasur një tendencë të qeverive në largim të rrisnin shpenzimet buxhetore në periudhën parazgjedhore, duke shkaktuar kështu një ezaurim të buxhetit të planifikuar vjetor në gjysmën e parë të vitit, duke sjellë një rritje të shpenzimeve vjetore në tërësi.

Por ndryshimet që u bënë në ligjin organik të buxhetit vitin e kaluar jo më shumë se, 30, 55 dhe 80 për qind e buxhetit vjetor të mund të ekzekutohet përkatësisht në tre, gjashtë dhe nëntë muajt e parë të vitit fiskal elektoral, përveç rasteve të veçanta të shpenzimeve të pa-parashikuara, konform legjislacionit në fuqi.

Për vitin 2017, investimet publike janë planifikuar në masën 4.8% e PBB ose 76 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe Fondin e Zhvillimit Rajonal prej 9.5 miliardë lekësh, si dhe mbështetjen buxhetore për Sektorin e Energjisë prej 1.5 miliardë lekësh).

Ligji i buxhetit të 2017 ka sanksionuar se një fond prej 3 miliardë lekësh ose më shumë se 22 milionë euro do të qëndrojë i ngrirë si një kontingjencë për të mbrojtur deficitin buxhetor nga një mosrealizim i mundshëm i të ardhurave.

Për sa i takon strukturës së investimeve në raport me statusin e projekteve të programuara për financim, vlerësohet se rreth 84,9% e vlerës së investimeve gjithsej të planifikuar në PBA për vitin 2016 shkon për financimin e projekteve në vazhdim.

Por fondet e pakta për investimet duket se janë bërë shkak për rikthimin e detyrimeve të prapambetura karshi kompanive/monitor.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje