Rikthehet shpresa për 15 vjeçaren, Spitali Amerikan i vë në dispozicion mjekun ortoped të mirënjohur italian Dr. Bassi

20 Qershor 2017, 14:28Shëndeti TEMA

Kirurgu italian apel prindërve: Mos neglizhoni shenjat!

Prej 5 vitesh S.X  nga Tirana nuk ka mundur të bëjë një jetë normale si të gjithë bashkëmoshatarët e saj. E privuar nga një deformim i aksit të shtyllës kurrizore, bashkë me familjen e saj nuk ka ndalur për asnjë çast përpjekjen për të marrë trajtimin e duhur për Skoliozën strukturale, sëmundjen nga e cila ajo vuan, ku deformimi i shtyllës kurrizore ka një shmangie prej gati 45 gradë. Nuk ka qenë e lehtë, jo vetëm për shkak të shërbimit shpesh të munguar, por edhe për të përballuar ekonomikisht orët e shumta të fizioterapisë, trajtimi më i rëndësishëm për të cilin ka nevojë. Me shpresë të humbur, e gjendje të përkeqësuar të së bijës, prindërit e 15 vjeçares,  kanë bërë vetëm pak javë më parë, një apel për ndihmë!

Spitali Amerikan, gjithmonë i ndjeshëm ndaj shtresave në nevojë, i është përgjigjur këtij apeli, duke i rikthyer shpresën familjes. Ky rast po ndiqet nga një prej kirurgëve më të mirënjohur në Itali, Prof. Dr. Guido Bassi, i cili i është bashkuar stafit të mjekëve të spitalit amerikan. Që prej 15 qershorit Dr. Biassi, pjesë e ekipit te kirurgëve më të mirë në Itali, te cilët kanë realizuar mbi 15 000 ndërhyrje me sukses, do të ofrojë eksperiencën e tij edhe në Tiranë. Për 1 javë janë kryer dhjetra vizita falas për qytetarët, ndërsa pas diagnostikimit të imtësishëm të 15 vjeçares që vuan nga skolioza, Spitali Amerikan, duke mbajtur premtimin e dhënë do t’i ofrojë asaj shërbim të specializuar fizioterapie. Shërbimi i fizioterapisë në spitalin amerikan, është një nga shërbimet më model të këtij spitali, të cilit i bashkohet edhe teknologjia më e avancuar e diagnostikimit.

Tashmë në spitalin amerikan 3, ky shërbim është zgjeruar me një qendër të mirëfilltë fizioterapie, e vetmja e këtij lloji në vendin tonë.  Dr. Biassi shprehet optimist për ecurinë e sëmundjes së 15 vjeçares, duke nënvizuar se trajtimi i duhur në këtë fazë të rritjes është i domosdoshëm. Në vijim do të shihet mundësia e një ndërhyrjeje kirurgjikale. Shifrat në Shqipëri flasin për një rritje të dukshëm të fëmijëve dhe adoleshentëve që diagnostikohen nga forma të ndryshme të Skoliozës. Mjeku i mirënjohur italian u bën apel prindërve të jenë të vëmendshëm pasi sëmundja  jo gjithmonë shfaqet me shenja të dukshme të deformimit nga jashtë, por fëmija ankohet për nga dhimbjet të shtyllës kurrizore gjatë qëndrimit në këmbë për një kohë të gjatë.  Shkaqet janë të panjohura, por rol shumë të madh në këtë lloj deformimi luan lëvizja, peshat e rënda apo qëndrimi jo siç duhet i trupit. Trajtimi kirurgjikal  përdoret pasi janë shterur të gjitha teknikat e tjera të trajtimit dhe kryesisht për devijimet e rënda.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje