Zgjedhjet nën masa të rrepta sigurie, Altin Qato: 5851 punonjës policie të angazhuar

20 Qershor 2017, 15:35Politika TEMA

Drejtori i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike, Altin Qato ka dalë në një deklaratë për median në lidhje me “Masat e Policisë së Shtetit për zgjedhjet e datës 25 Qershor 2017”.

Në fjalën e tij Altin Qato u shpreh se Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndërsa do angazhohen 5851 punonjës policie.

Ai tha se bashkëpunimi me OSBE ka qenë permanent dhe se çdo punonjës policie do të raportojë në kohë reale.

DEKLARATË PËR SHTYP

Masat e Policisë së Shtetit për zgjedhjet e datës 25 Qershor 2017

Drejtues i Lartë Altin Qato – Drejtor i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike

Jemi në fazën më të rëndësishme të periudhës zgjedhore, sepse mbeten vetëm disa ditë që ajo të përfundojë, prandaj nga strukturat qendrore dhe vendore të Policisë po ndiqen me kujdes masat e planifikuara sipas fazave për sigurimin e rendit publik.

E kjo jo vetëm për mbarëvajtjen e çdo aktiviteti elektoral të subjekteve politike edhe këto katër ditë në vijim, por edhe për ruajtjen e qendrave të votimit, shoqërimin e materialeve zgjedhore dhe sigurimin e vendeve të numërimit të votave, gjatë këtij procesi.

Puna e strukturave të Policisë së Shtetit, për përgatitjen e masave për sigurimin e zgjedhjeve ka filluar që në muajin Shkurt 2017, me hartimin e detyrave në Programin e Punës, për sigurimin e rendit dhe të sigurisë në procesin zgjedhor, detyra të cilat vazhdimisht janë përditësuar.

Në zbatim të Programit janë përgatitur Urdhra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; plane masash dhe dokumente të tjera që kompletojnë masat tona dhe detyrat për procesin zgjedhor.

Punën tonë e kemi filluar me trajnimin e 7.040 punonjës të Policisë që do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas niveleve të menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor.

Për sigurimin e 5.362 Qendrave të Votimit, 90 KZAZ dhe 90 VNV, janë bërë përllogaritjet paraprake të punonjësve të Policisë, për automjete, pajisje, komunikim, ushqim etj.

Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, në datën 15 Qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ, në afatin e përcaktuar:

1. Listën me 5851 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë.

2. Listën me 276 automjete civile që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë. Përveç punonjësve të Policisë në Drejtoritë Vendore, nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë dhe Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit do të dërgohen 1356 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor; do të vihen në dispozicion 65 automjete.

Është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Ministrit të Mbrojtjes, Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje të 93 objekteve të rëndësishme që sigurohen me punonjës policie, nga forcat ‘Komando’.

Rreth 270 punonjës të Policisë të objekteve do të lirohen nga detyra për sigurimin e tyre dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor.

Në bashkëpunim me Gardën e Republikës kemi hartuar dhe po ndjekim me kujdes Planin e Bashkëveprimit, për marrjen e masave të sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore. Është siguruar rrugëkalimi për lëvizjet e tyre dhe nuk kemi patur asnjë shqetësim në këtë drejtim.

Nga strukturat e Policisë së Shtetit, nga data 26 maj – 18 qershor, është përballuar një ngarkesë pune për mbarëvajtjen e rreth 2.049 aktiviteteve elektorale, duke aktivizuar 9.443 punonjës policie me 19.600 orë shërbimi, 1.836 automjete dhe nuk kemi patur asnjë incident gjatë këtyre aktiviteteve.

Nga strukturat policore në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve gjyqësore janë trajtuar dhe po hetohen 14 vepra penale, ngjarje të dyshuara si vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Konkretisht: sipas nenit 325 të Kodit Penal “Pengimi i subjekteve zgjedhore”,

6 vepra penale; § sipas nenit 328 të Kodit Penal “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,

3 vepra penale; § sipas nenit 329 të Kodit Penal “Kanosja apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”,

5 vepra penale.

Në këto ngjarje janë përfshirë 24 autorë, 4 prej tyre janë arrestuar, 16 ndiqen në gjendje të lirë dhe 4 persona janë shpallur në kërkim.

Shqetësim kemi patur raste të vendosjes së materialeve propagandistike nga subjekte të ndryshme elektorale, në kundërshtim me Ligjin Nr.90/2017 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8580 datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, i ndryshuar, si dhe Udhëzimin e KQZ Nr. 1 datë 31.05.2017 “Për përdorimin e materialeve propogandistike dhe vendet e afishimit të tyre gjatë fushatës zgjedhore”.

Për këtë, i kemi kërkuar TASK FORCËS në Kryeministri që pushteti vendor të luajë rolin e vet në ndjekjen e këtij problemi. Policia e Shtetit është e gatshme për ushtrimin e përgjegjësive të saj edhe në këtë drejtim, për realizimin e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së organeve të qeverisjes vendore për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore.

Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare të OSCE/ODIHR, të cilat monitorojnë zgjedhjet, ka qenë permanent. Me Prezencën e OSCE në Shqipëri, por edhe me disa institucione shqiptare si KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme kemi kryer trajnimet e punonjësve të Policisë për procesin zgjedhor, të cilat kanë kontribuar edhe me lektorë të fushës.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, na ka mbështetur në procesin e trajnimeve, por edhe për financimin e ‘Librit të Xhepit’, e cila është shpërndarë në të gjithë punonjësit e policisë.

Në zbatim të Urdhrit të MPB Nr. 285 datë 17.05.2017 lidhur me vëzhguesit afatgjatë të OSBE/ODIHR, është siguruar e organizuar puna në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, që ata të kenë akses dhe të monitorojnë masat lidhur me procesin zgjedhor.

Janë përcaktuar koordinatorët e Policisë së Shtetit me insitucionet ndërkombëtare, nëpunësi ndërlidhës i saj me KQZ dhe punonjësi i kontaktit pranë Sekretariatit Teknik të Task Forcës në Kryeministri për zgjedhjet, duke bashkëpunuar ngushtë me këto institucione.

Deri tani nuk kemi raste që punonjës të Policisë së Shtetit, të jenë evidentuar në shkelje të kërkesave ligjore, të kenë kompromentuar pozicionin si punonjës të depolitizuar, apo të kenë reflektuar qëndrime të njëanshme apo politike.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nga data 26 Maj 2017 që ka filluar periudha zgjedhore është ngritur dhe funksionon grupi i drejtimit në nivel qendror, për menaxhimin e masave të sigurisë për procesin zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjithë burimet, verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij.

Jemi në fazën e përfundimit dhe trajnimit të punonjësve për një projekt raportimi të masave të Policisë së Shtetit për ruajtjen e objekteve zgjedhore duke pasqyruar raportimin në hartën digitale, për punonjësit e policisë për çdo qendër votimi, me përgjegjësit e tyre dhe numrat e telefonit.

Do të jetë nën përgjegjësinë e Grupit të Drejtimit në DPPSh i cili do të ndjekë on-line, të gjitha masat e policisë duke bashkëpunuar me Grupet e Drejtimit të 12 Drejtorive Vendore të Policisë.

Synimi është që ne jo vetëm të zotërojmë situatën për realizimin e detyrave tona në ditët finale, por edhe të kemi një komunikim në kohë reale për çdo rast që punonjësit e policisë me shërbim, do të kenë nevojë, të japim orientime të shpejta që zgjidhjet të jenë vetëm ligjore.

Lidhur me detyrat në këtë fazë të procesit zgjedhor Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako u ka dërguar një telegram me udhëzime drejtuesve qendrorë e vendorë të Policisë së Shtetit, nëpërmjet të cilit ka kërkuar angazhim maksimal dhe profesional të të gjitha strukturave policore në bazë e zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit, Kodin Zgjedhor dhe aktet e tjera normative, duke kryer veprime të shpejta dhe profesionale në bashkëpunim me Prokurorinë në rastet kur ka kallëzime penale që mund të bëhen nga subjekte të ndryshëm, si dhe të ruhet gjakftohtësia në komunikim dhe etika policore.

Ju faleminderit!

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje