Prokuroria e Gjykata “lajnë duart” me kompjuterët e Kuvendit: Dolën mall kinez

23 Qershor 2017, 16:00Politika TEMA

Më 5 qershor 2017, Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e Prokurorisë për mosfillimin e procedimit penal në lidhje me kallëzimin për “mashtrim” me procedurën në fjalë.

Bazuar në shqyrtimin e materialeve të dosjes, ka rezultuar se në datën 16.03.2017, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar me nr.3299 kallëzimi penal i bërë nga shtetasi me iniciale G.Sh. për veprën penale të “Mashtrimit”.

Ai është administrator i një shoqërie dhe inxhinier elektronik. Sipas denoncimit, ai i ka dhënë të paditurit një shumë 6000 euro për të blerë pajisje kompjuterike në Kinë.

Pas kësaj ai ka komunikuar dhe me shtetasin e paditur, i cili ka qenë përkthyes për llogari të tij në Kinë.

Pikërisht këtij personi paditësi i ka dhënë një shumë tjetër parash me qëllim blerjen e pajisjeve kompjuterike për llogari të Kuvendit të Shqipërisë me të cilin autori i padisë, shtetasi G.Sh., kishte një kontratë.

Në momentin kur pajisjet kanë ardhur nga Kina në Kuvendin e Shqipërisë, ai ka konstatuar se pajisjet kompjuterike nuk kishin specifikimet teknike të kërkuara dhe për këtë fakt është prishur dhe kontrata me Kuvendin e Shqipërisë.

“Për sa më sipër kallëzuesi kërkon fillimin e procedimit penal, pasi ndihet i mashtruar, sepse të kallëzuarit kanë blerë pajisje në vlerë më të vogël dhe nuk ishin pajisje origjinale”, thuhej në padinë e bërë nga ana e shtetasit me iniciale G.Sh.

KOMPJUTERËT E KUVENDIT

Çështja e kompjuterëve të rinj të Kuvendit të Shqipërisë ka bërë bujë për shkak të aludimeve që u artikuluan në lidhje me procedurën e ndjekur.

Në fakt, edhe rasti i fundit, për të cilin Prokuroria e Gjykata kanë hequr dorë nga hetimi penal, duke i hapur rrugë trajtimit të çështjes në rrugë civile, është diçka që ka ndodhur herët.

Shtetasi G.Sh. ka bërë kallëzim për të njëjtin fakt në vitin 2010, kur është regjistruar procedimi penal e më pas është vendosur pushimi i këtij procedimi penal me arsyetimin se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.

Ky vendim është prishur nga ana e Gjykatës dhe është kthyer përsëri për hetime të mëtejshme. Këtu e në vazhdim ka ndodhur më pas një “ecejake” e vërtetë me çështjen, e cila është rihapur e pushuar nga Gjykata e Prokuroria disa herë derisa ka mbërritur para togave të zeza edhe këtë vit.

Vendimi i ditëve të para të këtij muaji duket se do të jetë i fundit për këtë rast së paku në aspektin penal.

“Pavarësisht se në thelb kemi të bëjmë me një çështje që është hetuar dhe gjykuar disa herë e kemi një vendim pushimi, i cili nuk lejon që të fillohen hetime, përsëri edhe nëse do të merret i mirëqenë pretendimi i kallëzuesit këtu del qartë që jemi para një kontrate shitjeje me shoqërinë kineze.

Pala blerëse ka pretendime për sendet e blera, pasi pretendon se këto sende janë me të meta (nuk janë origjinale). Në këto kushte del qartë që ndodhemi para një marrëdhënieje juridiko-civile dhe konkretisht para kontratës së shitjes”, thekson Gjykata në vendimin e saj.

Sipas saj, blerësi në këtë rast duhet t’i drejtohet me padi Gjykatës për përmbushjen e detyrimit kontraktor sipas specifikimeve teknike dhe shpërblimin e dëmit ose zgjidhjen e kontratës, kthimin në gjendjen e mëparshme dhe shpërblimin e dëmit.

Për këto arsye, organi procedues ka vendosur mosfillimin e procedimit penal lidhur me kallëzimin nr.3299 të datës 16.03.2017./panorama/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje