ANALIZA/ Ç’po ndodh pas mureve të Partisë Demokratike?

Kriza e nisur dje me “vetë- ngrirjen” e Lulzim Bashës ka krijuar një situatë absurde në selinë blu. Në partinë që humbi rëndë zgjedhjet dhe që arriti të sigurojë vetëm 43 deputetë, të gjithë përkrahësit e kryetarit të ngrirë po heshtin në mënyrë të frikshme. Deri më tani asnjë nuk ka dalë në mbrojtje të Lulzim Bashës ndërkohë që kundërshtarët e tij janë hedhur në mësymje. Menjëherë pasi dëgjuan deklaratën e liderit që mbajti mbi vete të gjitha përgjegjësitë ata konstatuan se ky ishte një vendim anti statuaor, se Basha po vepronte në kundërshtim me ligjin e brendëshëm të PD-së kur tha se i përcillte kompetencat tek sekretari dhe nënkryetarët dhe se ai nuk po tregonte asnjë shenjë reflektimi.

Ky qe edhe momenti që të martën në mbrëmje bëri të shpërthejë rrebeshi i deklaratave të forta kundër kryetarit humbës. Fillimishtnga studio e Nevs 24 foli demokrati i parë që i kërkoi publikisht dorëheqjen, Besnik Mustafaji: “Me këtë deklaratë që ngrin direkt funksionet në parti ai nuk ka të drejtë të hyjë me në selinë e Partisë Demokratike që sot. Pra nuk duhet të shkojë më në zyrën e tij. Basha e ka kuptuar që gara duhet bërë me kushte të barabarta”.

Ndërsa Jozefina Topalli shkoi edhe një hap më tej. Ajo i bëri thirje demokratëve të pushtojnë selinë dhe të ngrihen kundër një kryetari hileqar dhe tinzar: “Partisë Demokratike duhet me i dal zot. Në një situatë si kjo, kur Lulzim Basha nuk pranon të marrë as përgjegjësinë që i takon, siç ndodh ne çdo vend të botës perendimore, (pasi e çoi buze gremine PD), reagimi i tij është hileqar, tallje, tinzi, banalitet dhe papergjegjshmeri e frikshme që mund të çojë në asgjesimin total të PD .

Në këto kushte, nëse Basha nuk jep doreheqjen e parevokueshme, demokratet duhet të marrin fatin në dorë, me protesta dhe forma të ndryshme demokratike  me synim kthimin e PD -se demokrateve”. Deklarata e znj Topalli pasoi një shkrim të ashpër në Facebook të ish ministrit për 8 vite të Berishës, Genc Rulit : “Ky (Basha) sot duhej vete te deklaronte largimin pa asnjë kusht nga drejtimi i partisë qe e çoi ne gremine. Ju them atyre qe qe ende e duan PD e jo qe ende ju duhet PD , në qoftë se ai nuk jep dorëheqjen vete deri nesër shkoni te selia e PD e përzëreni atë, gruan e kunatin siç përzuri Jezusi tregtaret nga Tempulli” -shkruajti Ruli.

Pas nuk ngeli as Arben Imami që doli me vullnetin e tij në Nevs 24 dhe deklaroi se humbja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit ishte një ‘llahtar’.

“Humbja ishte një llahtar, ligjor dhe moral. Veprimet e Bashës janë në shkelje të statutit të Partisë Demokratike. Ai është përgjegjës për shkatërrimin e themeleve të bashkëjetesës në PD. Nëse Basha e uzurpon vendin e kryetarit duhet nxjerrë me dhunë.” – deklaroi Arben Imami. Në të njëtën frymë, pasi renditi në Facebook të gjitha gjërat që basha kishte marrë përsipër dhe që më pas dështoi me turp Majlinda Bregu shkroi në Facebook: “A do gjesh ndonje dite kurajo t’i thuash vetes te verteta para pasqyres”?

Mirëpo në këtë valë stuhie kundër Bashës dy gjëra po bëjnë tejet përshtypje. E para është heshtja prej sfinksi e Berishës. Ai që flet për çdo gjë dhe në çdo kohë nuk e ka hapur gojën fare për humbjen katastrofike të PD-së. Shumëkush mendon se doktori po luan pas kuintave se koncepti “ngrirje” është një praktikë e tij e vjetër që ia ka imponuar ai Bashës, se ai po kërkon ta ndihmojë kryetarin që e ka zgjedhur vetë ta kalojë edhe këtë tallaz. Po të gjitha këto pandehma zbehen pak kur shihet se në listën e firmosësve që kërkojnë dorëheqjen e kryetarit gjendet edhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës. Dhe me sa duket kjo diklemë do të vazhdojë përderisa vetë doktori të japë ndonjë sinjal të qartë.

Dilema e dyta që mbizotëron është fakti se me gjithë kritikat ulëritëse ndaj Bashës, askush nuk po guxon të dalë në mbrojtje të tij. Jo vetëm atë natë por edhe paraditen e së mërkurës asnjë nga deputetët e zgjedhur rishtaz nuk ka folur në mbrojtje të kryetarit. A është kjo një taktikë e vetë Bashës për të mos ndezur gjakrat apo thjeshtë atë nuk ka më kush ta mbrojë? (Lapsi.al)

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “ANALIZA/ Ç’po ndodh pas mureve të Partisë Demokratike?”

  1. Tonini says:

    Problemi i Bashes,eshte problemi i mbijeteses se p.d.Partija demokratike, po nuk gjeti kurajon te analizoje humbjet e njepasnjeshme te saj,shkaqet dhe autoret pergjegjes dhe po u tentua qe drejtimi i saj ti kaloje pinjolleve te familjes,eshte e sigurt qe P.D do te ndahet dhe Luli me mbeshtetsit e tij ne parlament te krijoje nje alternative te re me nje grup te konsiderushem deputetesh qe do te jete alternativa kryesore mbeshtetse per reformat e medha ne vend sebashku me P.S,alternative te cilen nuk ka fuqi ta ndale njeri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *