Për Metën, Bashën dhe Ramën!  

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Altin Ketro

 Zgjedhjet e 25 qershorit tashmë mund të quhen të përfunduara pas qartësimit të të gjithë mandateve që morën forcat kryesore politike që garuan. Po, cilat mund të quhen të fituarat e cilat humbëse të këtyre zgjedhjeve? Pa i hyrë shumë gjatë në analiza të thelluara shkaqeve, po ndalem në disa aspekte kryesore për të tri formacionet politike që do dominojnë skenën parlamentare në 4 vitet e ardhshme.

 Për LSI-në dhe Ilir Metën

 Lëvizja Socialiste për Integrim mund të konsiderohet “fituesja” humbëse e këtyre zgjedhjeve. Kur Ilir Meta doli me sloganin “LSI forcë e parë, LSI forcë e paparë”, kjo nuk do të thotë se ajo vërtetë do ishte partia e parë fituese e zgjedhjeve të 25 qershorit. Në fushatë elektorale ky slogan duhet mirëkuptuar si nxitës dhe motivues për elektoratin e saj, ndonëse ishte tejet i ekzagjeruar.

As vetë drejtuesit e LSI-së nuk e besonin atë që thoshin, e jo më populli dhe rezultati e tregon vetë këtë. Në kushtet e reja që iu krijuan LSI-së ku, pas një koalicioni bashkë qeverisës 4 vjeçar me PS-në, në fund dolën si kundërshtarë të njëri – tjetrit, duhet thënë se LSI-ja doli më mirë seç pritej nga këto zgjedhje. Të mos harrojmë se ky formacion politik është tejet i organizuar dhe kishte 4 vjet që punonte në funksion të 25 qershorit. Po të shikosh edhe drejtoritë që ka pas drejtuar, duhet thënë se LSI-ja ishte treguar strategjike në atë përzgjedhje duke kapur vende me burime monetare e njerëzore. Jo vetëm kaq, por ishin agjenci që kishin në dorë fate të mijëra njerëzve, kësisoj kjo forcë politike ka ditur se si t’i përpunojë atë kategori votuesish tek të cilët besonte se do të arrinte suksesin.

Ilir Meta e dinte që nuk dilte dot forcë e parë, ama ai shpresonte që projeksionet e tij elektorale të dilnin të sakta në tri drejtime të tjera: së pari, që PS-ja të mos kapte dot e vetme 71 mandate, përfshi këtu edhe mandatet e partive të tjera të vogla; së dyti, LSI të kapte shifrën e jo më pak se 25 mandateve; së treti, PD-ja të merrte jo më pak se 50 mandate. Çfarë do arrihej nga kjo dëshirë e fshehur e Metës? Duke qenë se PS nuk arrinte dot numrat e nevojshëm për të formuar qeveri, praktikisht ajo dilte në opozitë, edhe pse do ishte parti e parë. Pak a shumë si rasti VMRO e Gruevskit në Maqedoni.

Duke qenë se mandatet e LSI-së dhe PD-së kalonin numrin e nevojshëm 71, atëherë gjasat do ishin që qeveria e ardhshme do ishte PD-LSI. Meqenëse PD-ja mbetej në dorë të LSI-së për të formuar qeverinë, si kompromis do gjendej kjo formulë: Kryeministri t’i takonte LSI-së, kurse shumica e portofolave në qeveri PD-së. Ilir Meta jepte dorëheqje si President dhe merrte drejtimin e qeverisë. Presidentin i ri zgjidhej një propozim i PD-së, po kështu PD-ja merrte kryetarin e Kuvendit. Pjesa tjetër e qeverisjes në nivel të dytë do ishte një ndarje tepsie në raporte 50:50 për qind. Të gjithë këtë skemë fatale për të ardhmen e Shqipërisë e prishi më sukses populli shqiptar me votën e vet të qartë e të vendosur për Partinë Socialiste. Pas daljes në opozitë duhet parë se si do të reagojë elektorati i saj i cili është një ndërthurje midis pragmatistëve dhe mercenarëve. Të parët e votojnë për të ruajtur vendet e punës, të dytët për shkak të pagesave që marrin.

Të parët nuk mund të jenë besnikë për sa kohë LSI-ja nuk është në pushtet, për të dytët duhet parë se sa do mjaftojnë fondet për 4 vitet në vijim. Gjithashtu me kuriozitet pritet roli i Ilir Metës, nëse do i përmbahet angazhimit që ka dhënë se sapo të marrë zyrtarisht detyrën e Presidentit, do shkëpusë çdo lidhje me LSI-në. Në kushtet kur roli i Metës në tri javët e fundit të fushatës elektorale u bë përcaktues që LSI të ruante pozita të forta, koha do ta tregojë nëse pasardhësi Vasili do të jetë në gjendje ta mbajë të karikuar LSI-në, apo Meta do ta flakë tej mantelin presidencial dhe do marrë sërish atë rol të shëmtuar që mori gjatë fushatës elektorale.

Për PD-në dhe Lulzim Bashën

Nën drejtimin e Lulzim Bashës, Partia Demokratike doli nga zgjedhjet e 25 qershorit më keq se në ditët e saja më të këqija. Praktikisht atij i faturohet edhe humbja dhe këtu s’ka vend për diskutim. Realistët e kishin parashikuar me kohë disfatën dhe ia kishin thënë pas çdo disfate që kish korrur në zgjedhje të pjesshme e të përgjithshme vendore, kurse optimistët pranë Bashës thjesht ia shtuan edhe më shumë dozat e narkozës që ende atij s’i kishin dalë qysh prej kohës kur qe kryetar bashkie.

Lulzim Basha filloi të funksionojë si institucion opozitar vetëm gjatë tri muajve të çadrës, por që mbyllja vetëm në Tiranë nuk arriti që ai të përcjellë frymën e tij në të gjithë Shqipërinë. Televizioni nuk mjafton, pasi njerëzit duan kontaktin fizik, të të shohin në sy për të parë se sa i sinqertë e i vërtetë je. Basha e humbi për 4 vjet kontaktin me Shqipërinë dhe kujtoi se do mjaftonte vetëm çadra dhe orët e transmetimit televiziv për të korrur sukses. Realiteti rezultoi mjaft i hidhur për atë dhe do i duhet të vuajë pasojat. Ndonëse sondazhet nuk e avantazhonin, ai sërish u besonte optimistëve pranë tij dhe vijonte të shkonte me këmbët e veta drejt greminës. Edhe pas humbjes poshtëruese, Basha po gabon duke e gjetur fajin jo tek vetja, por tek kundërshtari PS, që demek, sipas tij, ka blerë votat me lekë.

Po vijuan, si ai, si të tjerët aty, që t’i bien kësaj daulle, dihet se do e kenë davanë të humbur. Përpos tek vetja dhe mënyra e organizimit, PD-ja duhet ta shohë të keqen edhe tek LSI-ja, e cila është rritur falë votave që ka peshkuar në detin e PD-së. Partia Socialiste pak e shumë ka ruajture votat e saj, kurse LSI-ja rritet me nga 40 mijë vota në çdo zgjedhje, ndërkohë që PD-ja tkurret. Prandaj ajo duhet të fokusohet në rikthimin e votave të saj që ia ka marrë LSI-ja, jo të lodhet kot më kot duke akuzuar PS-në për gjëra që nuk i ka bërë, ndërkohë që dihet se cila është ajo forcë politike që punon 4 vjet për të grumbulluar paratë e nevojshme për blerje votash dhe që punon fort që në 5 mijë e ca qendrat e votimit të marrë nga 40 vota me të cilat arrin ato shifra prej 220 mijë votash.

Përveç humbjes që i solli PD-së, Lulzim Basha është edhe në një moment kritik për të ardhmen e vetë politike. Nuk do parapëlqeja të jepja receta se si duhet të procedojnë demokratët në këtë rast, megjithatë dy sugjerime do i jap. Së pari, Lulzim Bashës nuk duhet t’i mohohet e drejta e kandidimit për kryetar partie. Pavarësisht humbjes, askush nuk duhet përjashtuar nga gara. I vetmi që duhet të vendosë se cili do te jetë kryetar duhet të jetë elektorati demokrat. Ajo që kërkohet është që procesi zgjedhor duhet të jetë i ndershëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit. Gabimet e rënda që u bënë në përballjen me Olldashin duhet t’i përkasin historisë së errët dhe nuk duhet të përsëriten më.

Së dyti, kryetari i ri i PD-së, duhet të jetë domosdoshmërish edhe deputet. Precedenti që kryetari i partisë bën opozitë nga selia, kurse përballjen në Kuvend e bën Berisha, do të jetë me risk të lartë për PD-në. Problemi është që në Kuvendin e ri PD-ja nuk ka më personalitete që të mund të ishin frymëzues për drejtimin e PD-së dhe për ironi duket se vetëm Lulzim Basha do të jetë ai që do të “shkëlqejë” aty si lider, ndonëse në humbje. Kjo besoj se do të jetë dilema e madhe për PD-në, por që i bie barra demokratëve të thjeshtë që me votën e tyre t’i japin drejtim. Pa bërë diversion, shpresoj që të jetë ai i duhuri.

Për PS-në dhe Edi Ramën

Fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve është pa pikë dyshimi kryeministri Edi Rama. Është një nga bastet më të rrezikshme që ai vuri dhe e fitoi me një besim të palëkundur tek populli duke qenë njëkohësisht burim frymëzimi për mesazhin që përçoi. I akuzuar fort nga kundërshtarët se nuk kishte program, në fakt ai zotëronte programet më të fuqishme që ishin shfaqur ndonjëherë. Ato ishin reformat e forta e herë- herë të dhimbshme, por të domosdoshme ama, të cilat pa diskutim duhet të shkonin deri në fund. Dihet se reformat asnjëherë nuk i japin efektet menjëherë, pasi duan njëfarë kohe që të konsolidohen e të shtrihen në mënyrë kapilare në çdo qelizë të administratës dhe shtetit në tërësi.

Prandaj nevojitej një mandat i dytë që ato të jepnin efektin e dëshiruar. Kur pak më lart e konsiderova bastin e tij të rrezikshëm, kam parasysh faktin që ai u fut i vetëm në zgjedhje. Duke ditur që një koalicion me LSI-në praktikisht e kthente të majtën të përjetshme në pushtet (74+19=shumicë kushtetuese), përçarja gjithsesi do kishte një farë pasoje. Po ta shikosh dhe nga rezultati i zgjedhjeve për bashkinë Kavajë, kjo lloj frike deri diku ekziston. Megjithatë kësaj here duhet theksuar se ai u tregua një super strateg duke bërë që edhe me copëzim të votës mes së majtës, arriti t’i mundë të dy, si Bashën ashtu edhe Metën.

Përballë një opozitë të bashkuar (të paktën në letër) dhe një LSI-je të mirë organizuar, ai diti me shumë mjeshtëri të bindë elektoratin shqiptar që t’i besojë PS-së timonin për të qeverisur e vetme dhe për ta shpërbërë përgjithmonë tepsinë e ndarjes së portofolave me LSI-në, që më shumë se zbatim programesh, kish hall se si të shtonte vota mercenarësh për zgjedhje. Por, pavarësisht këtyre, tashmë mbi supet e Edi Ramës dhe PS-së ka rënë një barrë shumë herë më e madhe, barrë që në finale nuk i pranohet më justifikimi për asnjë lloj dështimi.

Përballë tashmë do të ketë dy lloj opozitash të cilat, ndonëse do të flirtojnë me njëra tjetrën (urimi i Kryemadhit për PD-në për bashkinë e Kavajës), prapëseprapë përballë PS-së do të luftojnë fort për të nxjerr në pah se cila do dijë të bëjë më mirë opozicionin. 4 vitet e ardhshme nuk do të jenë të lehta për qeverinë. Suksesi do arrihet vetëm nëse Rama dhe PS-ja do vijojnë të ruajnë aleancën e fortë me shqiptarët e 25 qershorit, duke mos i tradhtuar ata në besimin e tyre. Kjo do të jetë sprova e vërtetë, por që besoj fort se kryeministri Rama është i vetëdijshëm për këtë fakt dhe do të dijë se si ta ruajë. Në të kundërt, ndëshkimi i parë është vetëm 2 vjet larg.  

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

9 komente në “Për Metën, Bashën dhe Ramën!  ”

  1. taraboshi says:

    O z. Ketro E para…ti na e bane parlamentin me146 vete nga ku P.s 71 L.S.I 25 dhe P.D 50..E dyta .Populli e sheh kush punon dhe kush e ka me hile pra punon Edi qe edhe ndonje gabim te vogel populli ta fal (sic ishte problemi i kanabisit qe nuk e luftoj sa duhej,poe prap ky eshte nje problem qe don nje nate dimri me e sqaru) ndersa hilet populli nuk i duron dhe nuk ti fale sic eshte rasti i L .S .I se ku edhe ata 19 deputet i mori me ato leket e popullit te vjedhura nga njerezit e tij te vendosurz ne vende pune qe te jep leke ja do ta shikoni ne zgjedhjet tjera tash qe eshte opozite si do shkermoqet. Etreta Per P D ne Une habitem cfare elektoratit eshte a kane gjak shqiptari si i japin vote asaj perti me gjithe ato krime qe ka bere qe tashti nuk mund ti permend se me dhemb kryet.

    1. EZ says:

      Ta gëzojmë diktatorin

      1. hahaha says:

        Vetem nje koqe si ty mund ta quaj Ramen “diktator” te fala Lulushit qe e dhjeu e shurrosi fare ne keto zgjedhje do benit mire te reformoni ate Klub qe quhet Parti Demokrati perpara se te perfundoni si mos me keq

        1. Pasko says:

          Duhen edhe keta koqet qe te qeshim cik o shoku po mos ua thuaj se nuk do shkruajn me karagjozet dhe si do qeshim pastaj

  2. Haka Tekizoti says:

    Ilir Meta është skuth. Ai do shtiret sikur do t’i shkëputë marrëdhëniet me partinë e vetë (kujtoni sa i qetë e babaxhan hiqej kur mendonte se vija e ujit shkonte te mulliri i tij, medemek tip presidenti, dhe si u shpërfytyrua sapo pa t’i rrezikohej partia- tashmë tip garipi). Nën rrogoz ai do punojë vetëm për interesat e partisë së familjes së vetë, edhe sikur kjo t’u kushtojë shqiptarëve më shumë nga sa u ka kushtuar këto 25 vjet gangsterizmi i politikanëve të tipit Berisha-Meta.

  3. babkulla says:

    Zgjedhjet vendore dhe parlamentare te ardheshmet do te t.rgojne forcen e vertete te LSI ,po qe se Rama nuK e afron ne koalicion . Une mendoj se eshte rrit ne kurriz te PD e PS .

  4. Tralala says:

    Shqiptaret e votuan Edi Ramen sepse kane pare te ai njeriun reformator, punetor e te drejteperdrejte. Ai u tha troc shqiptarve se shteti nuk behet me hajdut ne qeveri, u tha ate qe populli e dinte. Edi Rama tregoi me disa fakte se ky vend mumd te behet. Reforma ne drejtesi e diferencoi Ramen nga te tjeret.

  5. albaniafirst says:

    Zoti Ketro, harron se LSI-ja doli me mire se c’prisnin disa analiste, pasi per te votuan ato qe jane futur ne pune si anetare te kesaj partie dhe familjaret e tyre. Shume nga keta individe vertet besonin se LSI do dilte e para, ose te pakten shpresonin ne kete slogan. Ne zgjedhjet e ardhshme LSI do shkoje ne “fis”. Do tkurret vetem ne disa deputete, kryesisht nga zona e Skraparit, ku duhet thene se Meta ka investuar shume, duke nxitur hapjen e bizneseve te vendit dhe te huaja sa kohe qe ishte ne krye te puneve. Keto mundesi te tijat jane zgjeruar me daljen e LSI-se ne opozite.

  6. Lennard says:

    Kjo qe nje goditje e madhe per Like Floririn.Ai Legen kishte planifikuar plane te zeza per Shqiperine ,vetem e vetem qe te kishte pushtetin qe te shtonte dhe me teper Pasurine e tij te paligjeshme.Duhet qe Rama te mbaje fjalen .Te beje dhe zbatoje reformat e nisura.Te godase pa meshire qofte dhe njerez te rrethit te Tij nese kane abuzuar me Pushtetin dhe kane shperdoruar fondet dhe pasurite Publike.Ja perse eshte Votuar RAMA.Populli ka shprese qe Ai do te beje detyren .Kam shprese qe e ka kuptuar se Rruga e vetme qe te mbese per mire ne Histori eshte ti sherbeje Aspiratave te Popullit.Une per vete prandaj e kam votuar .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *