DENONCIMI/ Tortura e babait që i vdiq vajza në spital 18 vite më parë, gjendja civile e mban ende “gjallë”

29 Qershor 2017, 12:18Kronika TEMA

Prej 18 vitesh ka trokitur derë më derë për të çregjistruar nga gjendja civile fëmijën e vdekur, por ende nuk po gjen zgjidhje.

Denoncimi është bërë nga Zihni Vojka, të cilit i ka vdekur vajza në vitin 1999, në spitalin e Durrësit, për shkak të temperaturës së lartë.

Ai tregon se për 18 vite me radhë ka rendur dyerve të zyrave të gjendjes civile dhe institucioneve kompetente, por pa i dhënë zgjidhje problemit të tyre.

Me gjithë një shkresë përcjellëse nga Kryeministria drejtuar institucioneve, ku u kërkohej të ndihmohej Zihni Vojka për të kryer procedurat e çregjistrimit të vajzës së vdekur, situata ka mbetur e tillë edhe sot e kësaj dite.

“Më presin e përcjellin sikur të mos jem njeri. Po kërkoj një shërbim për një problem që vetë shteti duhet të ndërhyjë për ta zgjidhur. Vajza ka vdekur që në vitin ’99 dhe akoma vazhdon sot të jetë në trungun familjar.

Pra, në certifikatën familjare rezulton edhe ajo që ka vdekur këtu e 18 vite më parë. Kudo që shkoj më nxjerrin justifikime dhe probleme, kam 18 vite që përpiqem dhe endem dyerve të institucioneve përgjegjëse dhe nuk kam mundur ta zgjidh këtë problem”, u shpreh babai i vajzës.

Kryefamiljari tregon se pas ankesës së tij Kryeministria u ka dërguar një shkresë institucioneve përgjegjëse për ta zgjidhur këtë problem, por sërish situata duket se nuk ka asnjë shpresë për zgjidhje.

Zihni Vojka tregon se disponon edhe disa dokumente, ku ish-kryeministri Berisha dhe kryeministri aktual, Edi Rama, u dërgojnë shkresë institucioneve në Durrës që të verifikojnë dhe shqyrtojnë rastin e tij. Por, siç mësohet, tashmë është shumë vonë, pasi kjo çështje zgjidhet veç në gjykatë. Vojka është i papunë bashkë me të shoqen dhe ai thotë se nuk ka mundësi të hapë një proces gjyqësor.

Ai fajëson Bashkinë Sukth që nuk ia çregjistruan fëmijën brenda afatit dhe nuk e informuan në vitet në vijim se e vetmja rrugë ishte gjykata. Sipas tij, punonjësit e bashkisë i kanë përplasur derën dhe ka pak kohë që ai ka më- suar se kjo çështje duhej zgjidhur vetëm me proces gjyqësor.

Askush nuk e ka informuar atë për veprimet që duhej të bënte, ndërsa ai vetë nuk posedon njohuri juridike minimale që t’i kishte dhënë udhë vetë problemit të tij. Në këto kushte, 18 vite pasi ndërroi jetë, foshnja ekziston ende në certifikatën familjare, shkruan Panorama.

“Konform ligjit, katër ditë pas vdekjes së foshnjës kam shkuar në gjendjen civile për të çregjistruar fëmijën, por nëpunësja e gjendjes civile, K. Xhafaj, më kërkoi 20 mijë lekë të rinj për të nisur procedurat. Unë kundërshtova, pasi procedurat nuk kërkojnë pagesë më vlerë aq të madhe.

Ndërsa ajo refuzoi të kryente çregjistrimin, duke më thënë që pa para nuk bëhet asgjë. Nisëm të debatonim ashpër me njëri-tjetrin. Debatin e dëgjoi kryetari i bashkisë asokohe, pasi gjendja civile në Sukth dhe bashkia janë në të njëjtën godinë, i cili urdhëroi rojet të më nxirrnin nga bashkia.

Më thanë që fëmija nuk do të çregjistrohet. Për të kërkuar të drejtat e mia iu drejtova policisë. Shkova për të bërë denoncimin, por edhe atje përgjigjja ishte e njëjtë. Sot e kësaj dite endem nëpër dyert e institucioneve për të kryer procedurat, si një e drejtë ligjore e secilit prej nesh”, shprehet kryefamiljari.

 

 

1 komente në “DENONCIMI/ Tortura e babait që i vdiq vajza në spital 18 vite më parë, gjendja civile e mban ende “gjallë””

  1. Anna Kamp says:

    Administrata e Berishes nuk i cregjistronte te vdekurit sepse emrat perdoreshin per votime! Administrata Rama vazhdon te kete njerez te korruptuar, sepse thuajse cdo shqiptar ne pune shteti kerkon bakshishe pa ju trembur syri, sepse nuk ka penalizime. Drejtesia eshte e vdekur akoma. Administrata mbetet e korruptuar per faktin se nuk ke ku te qahesh. Drejtesia ne Shqiperi blihet me para. Te shohim kur te mbaroje reforma a do te ndryshoje gje. Prit gomar te mbij bare i thone kesaj pune.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje