Humbja/ Deputetja Valentina Duka: PD u sabotua nga brenda prej të vjetërve, Basha s’duhet të japë dorëheqjen…!

Deputetja e zgjedhur e PD-­së, Valentina Duka, njëherësh kryesuesja e listës së demokratëve në Korçë është e bindur se Basha është njeriu i duhur për ta ringritur PD-­në me një fuqi të re dhe për ta risjellë atë në pushtet në një të ardhme të afërt.

Në një intervistë për “Panoramën”, ajo shpjegon edhe arsyet e humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet parlamentare. Një nga arsyet e humbjes, sipas Dukës, është edhe sabotimi që edhe një pjese e vetë demokratëve i bënë procesit, duke sulmuar kandidatët e rinj që u bënë pjesë e garës.

Cilat mendoni se ishin shkaqet e humbjes së PD­-së dhe çfarë e solli një rezultat edhe më të keq se ai i 2013?

Të gjithë demokratët e ndershëm kudo në Shqipëri i ka tronditur humbja që pësoi PD në zgjedhjet e 25 qershorit. Pezmatimi na shtohet akoma më shumë kur mendojmë se në ç’rrethana kemi humbur! PD ka humbur në një kohë kur shumicës së shqiptarëve u kishte ardhur në majë të hundës nga qeverisja amatoreske, abuzive, arrogante dhe antipopullore e Kryeministrit Rama dhe ekipit të tij.

Jetojmë një kohë kur papunësia, varfëria dhe mjerimi janë ulur këmbëkryq anembanë Shqipërisë. Gjendja e pashpresë, ankthi e pasiguria për të nesërmen te një masë e madhe njerëzish, kanë rrënjosur fort idenë e braktisjes së atdheut në kërkim të një jetese më të mirë e më të sigurt jashtë vendit. Të gjitha këto nuk janë thjesht një retorikë politike, por një realitet i hidhur të cilin e kam prekur ditë për ditë e orë për orë edhe në qytetin e Korçës gjatë fushatës zgjedhore.

Kam takuar shumë e shumë njerëz, të cilët më kanë shprehur indinjatën e tyre për gjendjen dhe gatishmërinë për ta ndryshuar atë me votë. Në këto kushte, e mendoja të sigurt fitoren e PD­së jo vetëm në qarkun e Korçës, por në të gjithë Shqipërinë.

Megjithatë, ndodhi ndryshe. Në vend që ne të flisnim sot për shkaqet e fitores, jemi të detyruar të diskutojmë për shkaqet e humbjes! Që të jesh i saktë në përcaktimin e shkaqeve të humbjes së PD­së, duhet një analizë politike e thelluar që do kohën e vet. Por informacionet që kemi nga terreni, si dhe vlerësimet e bëra deri tani nga analistë e politikanë të ndryshëm, bëjnë të mundur të identifikohen dy shkaqe themelore: Së pari, zgjedhjet e 25 qershorit u goditën rëndë nga segmentet e makinerisë shtetërore të komanduar nga zoti Rama dhe njerëzit e tij, të cilët nëpërmjet presioneve, blerjes masive të votave me anën e parave të drogës, punësimeve të improvizuara etj., devijuan në mënyrë dramatike votën në favor të PS­së.

Së dyti, PD u sabotua rëndë edhe nga brenda saj. Të gjithë e pamë se si sulmoheshin e përgojoheshin kandidatët tanë nëpër portale të financuar nga ish-funksionarë të PD­zë, duke qenë në sintoni të plotë me sulmet dhe insinuatat e pushtetit të Ramës kundër tyre. Përtej kësaj, njerëz të caktuar brenda PD­së u përpoqën të dekurajojnë e të shmangin pjesëmarrjen në votime të mbështetësve tanë.

Si e shihni debatin për garën për kryetarin e Partisë Demokratike?

Personalisht mendoj se debatet dhe diskutimet janë një instrument i dobishëm që e shëndoshin gjendjen e një partie politike që funksionon mbi principe demokratike. Por në momentin kur po zhvillohen dhe mënyra se si po bëhen, shpien ujë në mullirin e kundërshtarëve tanë.

Do të ishte më mirë që të merreshim me çështjet parimore që preokupojnë PD­në në këtë moment dhe jo me mllefe personale.

E gjykoni të drejtë iniciativën e një grupi të madh ish-funksionarësh për dorëheqjen e Bashës?

Më duket e padrejtë që të bëhet një gjë e tillë kur vetë zoti Basha e ka bërë një gjë të tillë në mënyrën që ai e ka gjykuar të drejtë.

A ka përgjegjësi Basha dhe a duhet të largohet ai nga drejtimi i PD­së. Kujtojmë këtu që listat e hartuara u konsideruan një vendimmarrje personale dhe nuk u konsultuan me kryesinë?

Mendoj se zoti Basha është një aset për PD­në, një personalitet me kapacitetet e duhura politike dhe intelektuale, një njeri me aftësi të veçanta komunikimi, cilësi këto të domosdoshme për një lider të një force të madhe politike, siç është PD­ja. Ata që e lidhin humbjen e tashme të PDsë vetëm me kryetarin, në rastin më të mirë janë jorealistë. Humbja është para së gjithash, rrjedhojë e shkaqeve të lartpërmendura. Personalisht kam bindjen se Lulzim Basha është njeriu i duhur për ta ringritur PD­në me një fuqi të re dhe për ta risjellë atë në pushtet në një të ardhme të afërt.

Ka një debat të nisur me përcaktimin e datës së zgjedhjeve brenda PD­së. Mendoni se duhet të ketë shtyrje të zgjedhjeve?

Mendoj se zgjedhjet duhet të bëhen në afatin e përcaktuar.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...