Një fitore urbane dhe estetike e Edi Ramës

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Veton Surroi

 

Kryeministrin e Shqipërisë e presin katër vjet për t’u transformuar nga politikan i suksesshëm në burrë shteti

1.

Shqipëria duket më bukur se ç’dukej para katër vjetësh.

Me kaq do të mjaftonte për të bërë, në formë anekdotale, pra pa ndonjë studim të duhur empirik apo debat ideologjik, një interpretim të thjeshtë e të dyfishtë të psesë së fitores së Edi Ramës e të Partisë Socialiste në zgjedhjet e Shqipërisë.

Së pari, Edi Rama, si artist pamor, e ka të natyrshme detyrën e transformimit estetik të vendit. Transformimi estetik i Tiranës qe projekt i suksesshëm për Edi Ramën si kryebashkiak dhe ai këtë transformim e riemërtoi Rilindje urbane në makroprojektin e ri. Sheshe e pedonale, çerdhe dhe kënde lojërash për fëmijë, pazare të rinovuara, shëtitore me emra italian (Lungomare) që duhet të tregojnë ngjashmërinë, në mos dëshirën imituese – që të gjitha e bëjnë Shqipërinë më të bukur. Dhe, më urbane.

Kjo puna e urbanizimit është elementi i dytë interpretues i fitores. Të bërit Shqipërinë më urbane prek tek nervi i votuesit të vitit 2017, sepse Shqipëria është urbanizuar, nga aspekti i transformimit demografik. Në çerekshekullin e kaluar është zhvilluar një dyndje e madhe jo vetëm jashtë Shqipërisë, por edhe brenda saj. Popullsia e Shqipërisë ka lëvizur nga lindja e vendit në Perëndim, nga lartësitë për në bregdet, nga fshatrat në qytete. Shqipëria e sotme është jeta në qytete, prej Shkodrës në Sarandë. Dhe, në këto qytete jeton një shumicë dërrmuese të rinjsh, të lindur pas rënies së komunizmit, që komunikojnë me Facebook – sikur bashkëmoshatarët e tyre urban në Evropë.

Edi Rama, një simbol urban, që do të ishte për një dozë ekcentrik kudo në Evropë u pa si model i dëshiruar, dhe i nevojshëm në ekcentrizmin e tij për një gjeneratë tashmë të urbanizuar shqiptare. Për votuesin e ri, Edi Rama i Facebookut është i kuptueshëm, flet dhe duket si ai.

2.

Shqipëria më e bukur nuk është as fasadë e as “fshat Potemkin”, i bërë prej kartuçit që do të bjerë me shiun dhe erën, apo kur ta kalojnë mysafirët e huaj, kur pastaj del zbuluar shteti i korruptuar, i padrejtë, i kriminalizuar. Shqipëria më e bukur është këtu për të mbetur dhe për t’u zhvilluar më tutje.

Për më tepër, është një Shqipëri që ka emër më të mirë në Evropë se ç’kishte para katër vjetësh. Ashtu si në transformimin urban, qeverisja e Edi Ramës ka krijuar një identifikim të natyrshëm në vendet e Bashkimit Evropian. Ekziston sot identifikim më i fortë i natyrshmërisë së shqiptarit evropian tek drejtuesit e vendeve të mëdha të BE-së, dhe kjo nuk është punë e vogël.

Por ndonëse nuk është “fshat Potemkin” nuk do të thotë se Shqipëria e këtyre katër vjetëve është vetëm më e bukur, më urbane, më evropiane. Ajo është edhe më e padrejtë, edhe më e korruptuar dhe më e kriminalizuar. Që të dyja këto shkojnë së bashku për një arsye të thjeshtë: është rritur vëllimi i parasë dhe në formë eksponenciale edhe gara e rishpërndarjes së saj. Oligarkët në Shqipëri janë më të fortë se ç’ishin para katër vjetësh edhe prodhuesit dhe shpërndarësit e drogave po ashtu. Institucionet e shtetit, ndërkaq, nuk kanë përcjellë këtë rritje; rendi dhe ligji kanë ecur shumë më pak se ç’kanë pasur kapacitet oligarkët apo industria e kanabisit.

3.

Shqipëria urbane dhe evropiane nuk mund ta fshehë atë të korruptuar e të kriminalizuar. Që të dyja bashkëjetojnë.

Këtë e shoh nga ballkoni im në fshatin Qerret. Aty ku deri vjet loznin fëmijët e fshatit, në fusha futbolli e basketbolli, njëri prej oligarkëve të rinj ,”nouveau riche” me të meta të dukshme urbanizimi, arriti të ndërtojë një vilë të bukur. Në ditët e fundit të Qeverisë së Sali Berishës arriti të gjoja blejë një tokë që nuk ishte në shitje, ta transferojë në emër të tijin dhe gjatë Qeverisë së Edi Ramës të marrë lejet e nevojshme ndërtimi. Tërë këtë operacion arriti ta bëjë në – të përdorim shprehje të artit figurativ – surrealizëm, me një leje që mbante një datë, ndërsa ligji me të cilin do të arsyetonte lejen do të miratohej pas dy vjetësh. Qe një lloj aventure futuriste, e mirë për Salvador Dali-në, e keqe për qeverisjen e Edi Ramës. Vetë kryeministri, kur u problematizua kjo punë në Gjykatë deklaroi se të gjitha ishin në rregull nga ana ligjore.

Ky ilustrim i vogël (dhe në dukje banal) tregon për një dimension të sfidave që e presin Edi Ramën. Pas këtyre zgjedhjeve, është më i fuqishëm se ç’ishte. Favoret që mund t’ju bëjë oligarkëve mund të jenë edhe më të mëdha: gjithnjë do të gjendet një plazh i virgjër, një koncesion transporti a shëndetësie, një punë e madhe infrastrukturore. Dhe, në Shqipërinë e institucioneve të dobëta, fjala e Edi Ramës do të ketë më shumë peshë; në gjyqet e Shqipërisë gjithnjë do të gjendet një jurist që do të nënshkruajë leje ndërtimi a kontratë në bazë të ligjeve që do të miratohen në vitin 2030.

4.

Çështja është se a është kjo Shqipëria që dëshiron ta paraqesë Edi Rama? Dhe pyetjen po e personalizoj, sepse suksesi i Shqipërisë në masë të madhe është i lidhur me invencionin e tij; tash edhe me credo-n, me bindjen se çka dëshiron të lë trashëgimi. Siç dëshmohet në fshatin Qerret, oguri nuk është i mirë. Në momentin kur i bën favor një pronari mediash dhe kur për këtë favor mbështet shkeljet ligjore, ka prekur në dy sfida të rëndësishme të shtet-ndërtimit që e presin.

E para, mediat e lira. Edi Rama, me fuqinë e paprecedent që ka në politikë pas këtyre zgjedhjeve ka nevojë për media të lira, të pamanipulueshme nga pushteti i tij dhe favoret që u bën pronarëve. Korrupsioni i sotëm medial është pjesë e korrupsionit të përgjithshëm shoqëror. “Kazani”, siç e ka quajtur, nuk i përket vetëm mediave – në të janë të zhytur të gjithë, përfshirë kryeministrin. Shqipëria demokratike ka nevojë për media të lira, ato që do ta transformojnë debatin e tanishëm të batutave e sharjeve në debat racional. Sot, kur është më i forti, Edi Rama ka nevojë të ndihmojë që të artikulohen zërat që nuk do të çirren, shajnë, fyejnë e ofendojnë, por që megjithatë do t’i thonë se gjërat mund të bëhen më mirë, se ndoshta po gabon. Apo se mund të gabojë.

E dyta, pavarësia e gjyqësorit. Në këtë mandat zëri i kryeministrit nuk mund të jetë më i fortë se ai i gjyqtarit. Në fund të këtij mandati, testi i pavarësisë së gjyqësorit është nëse një lëndë korrupsioni vendoset kundër një personi të profilit të lartë, të afërt me kryeministrin, e kryeministri nuk ndërhyn për ta penguar. “Vettingu” është me rëndësi: është mirë që gjyqësori të reflektojë një Shqipëri tjetër, urbane dhe evropiane. Por, po aq me rëndësi është sjellja e pushtetit ekzekutiv, madje, tash kur është më i forti.

5.

Dhe, mu sepse është në potencialin e vetë më të madh, Edi Rama në krye të ekzekutivit ka mundësi të ballafaqohet me sukses me sfidën më të madhe që ka Shqipëria, e që atë dhe Shqipërinë do ta nxirrnin prej “Kazanit”. Sfida më e madhe për Edi Ramën, sot, është si ta përdorë votën e fuqishme për vendosjen e transformimit në binarë të pakthyeshëm. Kjo do të thotë, në praktikë, që të bëjë listën e gjërave që i konsideron si pjesë e një konsensusi shtetëror të nevojshëm për anëtarësim të Shqipërisë në BE (në shtetin e të drejtës, ekonominë, të drejtat sociale). Këto pika do t’i ofroheshin opozitës, në mënyrë që të jenë të përbashkëta, për më tepër, të udhëhequra nga opozita në procesin parlamentar.

Edi Rama ka katër vjet para vetes në të cilat mund të bëjë shumë transformime. Ndoshta transformimi më domethënës do të mundë të jetë ai prej politikanit të suksesshëm në burrë shteti.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

9 komente në “Një fitore urbane dhe estetike e Edi Ramës”

  1. Neutrino says:

    Cili eshte koncepti i mirefillte i burrit te shtetit. Historikisht, burra shteti jane quajtur diktatore, aventuriere qe kane marre pushtetin, mercenare qe kane marre ne dore ushtrine, luftetare nacionaliste. Por te gjithe jane dalluar ne momentet e luftrave me armiqte/kundershtaret e jashtem. Edhe Enver Hoxha ishte burre shteti, se arriti te tregoje “bole” kunder superfuqive. Sa i suksesshem ishte, kjo eshte ceshtje tjeter. Keshtu qe nuk ka vend t´i kerkohet Edi Rames qe te quhet burre shteti. Megjithese ka treguar (edhe ne fotografi) bole me te medha se Sali Berisha kunder Serbise dhe Greqise. Edi u tregua burre shteti kur drejtoi me sukses zemren e shtetit shqiptar Tiranen dhe e pastroji aq sa kishte mundesi nga acidi urik i bandave te frymezuara nga “dhjemokracia” e PD-se. Lidhur me teorine se Shqiperia ka kohe qe eshte urbanizuar dhe Rilindja Urbane nuk eshte ndonje arritje e madhe, tregon se nga cfare koncepti vini ju nga Kosova (pavaresisht petkut “intelektual” qe keni vite qe na shisni). Me maloke te pagdhendur nuk behet urbanizem e aq me pak qytet. Rilindja Urbane qe promovon Edi (qe ju nuk e kuptoni) eshte rilindja e shpirtit qytetar dhe civzilizimi i shoqerise shqiptare. Po te kishte lidhje vetem me fasadat, Edi do ta quante Restaurimi Urban. Per ankesat e lejes se ndertimit te malokut tjeter qe ti e ke komshi ne Qerret, nuk eshte faji i Edit qe kolegu yt i kishte sigururar dhe gurin dhe arren dhe per Edin do te ishte humbje kohe te merrej me nje kasolle katundari. Ketu del perseri Rilindja Urbane. Ju, intelektuale te dhjamosur, perse nuk dilni ne proteste (keni edhe para qe ta financoni dhe mobilizoni/bleni masat) kunder ketij ndertimi qe te vritka syte mor Sy-rroi

    1. çentrale says:

      Nuk do i shtoja as edhe një presje më shumë
      Saktë

  2. Bekimi says:

    Kur shqiptarët të ndalin shitjen e ujit në restorante, do të bëhet më tërheqëse.
    Kur shqiptarët të merren me dhëmbët para ndreqjes së ndonjë gërrvishtjeje në makinë, do merren për më të zgjuar nga turistët.
    Kur shqiptarët të lënë tregtimin me tezga rrugëve, edhe pas 27 vjetësh postkomunizëm, do të duken më të saktë në tru.
    Kur shqiptarët t’ia lënë muzikën kompozitorëve e këngëtarëve e jo të bëjnë të gjithë “muzikë”, do merren për më seriozë e të përkorë nga bota.
    Kur shteti shqiptar të financojë edhe për artin skenik e filmik, dhe jo vetëm në palma e mermer, do të rrisë cilësinë artistike, por jo vetëm.
    Kur do mësohen shqiptarët të ngasin makinën si gjithë bota, e jo t’u ndezin dritat parangarësve që t’u hapin rrugën se do kalojnë ata?
    Janë një sërë vesesh, si mënyrë jetese në Shqipëri që duhen rishikuar, që duken si njerëz para botës.
    Nuk duhet të lejohen shqiptarët të shesin alkol vetëm pse janë regjistruar edhe për të shitur byrekë e groshë.
    Alkoli i pahapur mund të shitet vetëm në dyqane ushqimore (dhe mos i quani supermarkete, vetëm pse ke 50 lloje makaronash e kartëpicetash) jo edhe në rërën e palzhit, që e ke zënë me çadër deri në[ gjysëm të hapësirës për plazh.
    Facebook, telenovela spanjolle e turke, filma italianë e amerikanë, nuk arritën t’i bëjnë dot njerëz. As Edi Rama nuk mundi dot.
    Të shikojmë mandatin e dytë të tij.

    1. floriri i Bençes says:

      Ben shaka a jo? 500 vjet nen petkun e mendjen e suniteve jane shume, pra detyrimisht do mendo, jetosh e veprosh si sunit. Puna qe beri kuminizmi ne ato 40 vjet, u eliminua nga gati 20 vjet te qeverive Salehu, pra u bene akoma me sunita. Per keto motive, pyeta se mos ben shaka, sepse 4 vjet … jane hiç., pra pashprese.

    2. DRINI says:

      PLOTESISHT SAKTE BEKIM

  3. Pashai says:

    Politikani që i mungon Shqiptarisë!

  4. @ says:

    Keq me vjen per intelektualin nga Kosova, por artikulli sasior (i tjerrun sipas porosise se klientit) qe lexova me dha nje ndjesi konformizmi, siperfaqesore dhe larg problematikave shqiptare.. Per krahesim dhe model, sugjeroj shkrimin e Shenasi Rames te para dy diteve..

  5. pronari i atij trualli ku ti ndertove fale serbit berisha says:

    kush na flet per ligj? Ai qe ate shtepi n’ate fshat e ka ble jashte cdo ligj e cdo moral(nuk e ka dite se ajo toke ka pronar, apo eshte mesuar nga baballaret e tij komunist se ka te drejte me zaptuar cka t’i doje shpirti?
    kush na flet per estetik? Njeri qe as nje fije dijeni per estetik nuk ka ,as ne jeten e tij as ne vepren e tij…
    Kush na flet per urbanitet. katundari… ne cdo aspek mental e fizik..

  6. Tani says:

    BRAVOOO!!!!!👍🏻👍🏻

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *