STATISTIKAT/ Ekonomia rritet, por kredia dhe depozitat bien

30 Qershor 2017, 20:22Ekonomia TEMA

tatistikaNdonëse të dhënat e INSTAT të publikuara sot për rritjen ekonomike flasin për përshpejtim, me një zgjerim prej 3.9% për tremujorin e parë, kjo nuk rezulton të jetë reflektuar në treguesit e kredisë (investimeve) dhe depozitave (shtim i kurismeve si rrjedhojë e përmirësimit të mirëqenies).

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë zbriti në maj në 554 miliardë lekë, me një rënie prej 854 milionë lekë në krahasim me muajin e kaluar.

Rënia mujore ka ardhur nga kredia për sektorët jo financiarë në valutë, që është reduktuar me 3.9 miliardë lekë, duke dhënë ndikimin e vetëm në trendin rënës të huasë. Ndërkohë kredia në lekë për këtë sektor është rritur me 1.3 miliardë lekë.

Në rritje gjatë muajit maj ishte kredia për individë, si në lekë dhe në valutë, që u zgjerua me gati 1.8 miliardë lekë.

Në total, në krahasim me fundin e vitit të kaluar, huaja për ekonominë ka rënë me 3.1 miliardë lekë, ose 0.6%, duke treguar për një ngërç të investimeve në ekonomi, teksa huaja për biznesin ka rënë me gati 8 miliardë lekë gjatë të njëjtës periudhë.

Edhe tendenca e depozitave nuk ka qenë pozitive. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursimet e shqiptarëve kanë rënë me 4.4 miliardë lekë në muajin maj, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur në rreth 995 miliardë lekë.

Rënia më e fortë ka qenë nga valuta (-30 milionë euro), por këtu është dhe efekti i zhvlerësimit të euros, teksa treguesi total i depozitave raportohet në lekë. Nëse shihen të dhënat e depozitave vetëm në euro, të raportuara po në monedhën e përbashkët, në maj ato rezultojnë të jenë tkurrur realisht me 17 milionë euro.

Në krahasim me dhjetorin 2016, depozitat në total rezultojnë të kenë rënë me 19 miliardë lekë, apo 2%, ku tkurrja më e fortë ka ardhur nga kursimet në lekë (-11.5 miliardë lekë), ndërsa kursimet në euro kanë rënë rreth 7.7 miliardë lekë.

Rënia e normave të interesit në lekë, që jep kthime minimale për kursimtarët, e ka bërë këtë jo interesante këtë alternativë investimi. Në kahun tjetër politika e deeuroizimit që po ndiqet nga Banka e Shqipërisë po bën që bankat të “refuzojnë” depozitat në valutë.

Në kahun tjetër, kompanitë, të gjendura në mungesë likuiditeti po shpenzojnë kursimet në valutë për të bërë pagesa të ndryshme, një dukuri që është konstatuar nga aktorët e kursit të këmbimit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat pa afat në euro të korporatave jo financiare kanë rënë me 32 milionë euro në pesë muajt e parë të vitit, në raport me dhjetorin 2016.monitor.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje