A do t’i mjaftojë Bashës mbështetja e Berishës për të mbijetuar?!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Astrit Patozi është sfidanti i fundit që i shtoi emrin e tij listës së kandidatëve për kryetar të Partisë Demokratike, ndërkohë që ai i dha jehonë akuzave se gara po manipulohet nga kreu aktual i partisë Lulzim Basha.

Nga Besar Likmeta

Nëpërmjet një deklarate për shtyp nga selia e Partisë Demokratike, deputeti Astrit Patozi njoftoi të shtunën kandidaturën e tij për kreun e PD-së, duke kërkuar gjithashtu rregulla loje të qarta në garën për të zgjedhur liderin e ri të demokratëve.

“I shqetësuar për rezultatin dramatik të PD në këto zgjedhje dhe i bindur se ringritja e saj mund të ndodhë vetëm pas një procesi të ndershmëm reflektimi dhe një gare të drejtë, jam ketu sot që të marr të gjitha përgjegjësitë e mia në funksion të këtij qëllimi,” deklaroi Patozi nga foltorja e PD-së.

“I mbështetur nga një numër shumë i madh anëtarësh dhe drejtuesish të Partisë Demokratike në vite dhe i vendosur në kushtet e mosdaljes së një kandidature tjetër të vërtetë dhe serioze, deklaroj se jam i gatshëm të kandidoj për kryetar te Partisë Demokratike, në rast se do të ketë garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pandikuara,” shtoi ai.

Astrit Patozi është kandidatura e tretë për kreun e Partisë Demokratike pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit nga demokratët, ku ata shenjuan rezultatin më të dobët elektoral që nga viti i mbrapshtë 1997- kur vendi ra në anarki pas falimentimit të firmave të investimeve piramidale dhe një numër i madh shqiptarësh humbën kursimet.

Në 25 Qershor Partia Demokratike mori vetëm 29 % të votave në rang kombëtar, duke udhëhequr kundër rivalëve socialistë vetëm në qarkun e Kukësit dhe të Shkodrës. PD morri në total rreth 440 mijë vota, duke marrë rreth 85 mijë vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013-të. Në qoftëse llogarisimin dhe votat e partive të vogla aleate në 2013-tën, të cilat në 25 Qershor garuan si pjesë e listës së PD-së, atherë gropa e votave të munguara shkon në 185 mijë..

I përballur me një peticion për të dhënë dorëheqjen pas rezultatit negativ elektoral, lideri demokrat Lulzim Basha ‘ngriu’ të enjten funksionet e tij në parti, ndërkohë që nëpërmjet një deklarate për shtyp deklaroi se zgjedhjet ishin manipuluar.

“Me gjithë përpjekjet që unë dhe Partia Demokratike bëmë, me ligjin e dekriminalizimit, me betejën pa kompromis me drogën, me imponimin që i bëmë Edi Ramës duke i hequr gjysmën e qeverisë, me ndërgjegjësimin e partnerëve ndërkombëtarë, sërish krimi dhe paraja e pisët, presioni i shtetit nuk u ndalën,” tha Basha.

“Blerja e votës u bë masivisht, duke zëvendësuar edhe një herë debatin për alternativën, me shukun e parave për votën, duke zhvleftësuar planin dhe projektin, me pagesë për varfërinë e thelluar, për ta bërë më të lehtë këmbimin e saj me të holla. Me para të pisëta droge dhe korrupsioni qeveritar,” shtoi ai.

Përpara se të ngrinte funksionet e tij, Basha i delegoi dy nëkryetarëve të PD-së Edmond Spaho dhe Edi Paloka dhe Sekretarit të Përgjithshëm Arbën Ristani, detyrën për të organizuar zgjedhjet sipas parimit një anëtarë një votë.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp të shtunën me 29 Qershor, Paloka dhe Spaho shpallën të hapura zgjedhjet për kreun e ri të PD-së duke caktuar dhe datën 22 Korrik si ditë të votimit.

Vendimi i Bashës dhe shpallja e zgjedhjeve nga dy nënkrytarët u kundërshtua nga Sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani, i cili u shpreh nëpërmjet një deklarate për shtyp se delegimi i kompetencave nga kryetari Basha te dy nënkrytarët ishte jo statutor.

“Delegimi i kompetencave organizative nga Kryetari tek nënkryetarët është jo statutor dhe pa përmbajtje, sepse kompetencat organizative i takojnë në bazë të statutit Sekretarit të Përgjithshëm,” tha Ristani.

“Neni 43 thotë se në rast dorëheqje etj të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshem mbledh Këshillin Kombëtar i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë. Pra kompetenca e komandimit i takon Këshillit Kombëtar i cili thirret nga Sekretari i Pergjithshëm. Vendimi i dy nënkryetareve për të thirrur zgjedhjet, caktimin e datës së zgjedhjeve dhe datës së paraqitjes së kandidaturave është vendim i pa mbështetur në statut,” shtoi ai.

Megjithë kundërshtitë për procesin, sfidanti i parë i Bashës për kreun PD-së u deklarua ish kryetari dhe deputeti i kësaj partie Eduard Selami.

“Demokratë të nderuar, me ndjenjë përgjegjësie dhe synim për t’i rikthyer së bashku PD-së, lavdinë e merituar, shpall kandidaturën për Kryetar!,” deklaroi ai me 27 Korrik të Twitter, pas fljalimit të Bashës për humbjen e zgjedhjeve.

Ndryshe nga Selami, Patozi në deklaratën e tij ku shpallte kandidimin për kreun e Partisë Demokratike, kërkonte dhe dorëheqjen e kreut aktual Lulzim Basha si dhe përmbushjen e 6 kushteve të tjera për të siguruar një garë të barabartë dhe të ndershme për lidershipin.

“Në emër të mijëra demokratëve, që më mbështesin në këtë sfidë, kërkoj, as më shumë dhe as më pak, por rregulla të pastra loje… dorëheqje të menjëhershme dhe jo ngrirje të kryetarit Lulzim Basha, si përgjegjësi kryesor për rezultatin zhgënjyes në këto zgjedhje,” tha Patozi.

“Vendosjen e tij në pozitën e cdo kandidati tjetër, që do të futet në garë, si kushti minimal për paritet. Largimin e tij nga zyra bashkë me stafin e vet dhe çlirimin e selisë nga prania e të gjithë kandidatëve deri sa të përfundojë procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD,” shtoi ai.

Patozi gjithashtu kërkoi normalizimin e garës sipas parashikimeve statutore, kohë të mjaftueshme për debat dhe reflektim mbi rezultatin zgjedhor, si dhe ngritjen e Komisionit të Organizimit të Operacioneve Elektorale në PD.

Patozi tha se garancitë për garën e lidershipit që ai kërkonte ishin minimumi për të garantuar një proces gjithëpërfshirës.

“Ftoj zotin Lulzim Basha që të dalë mbi ambiciet personale dhe të vendosë fatin dhe të ardhmen e Partisë Demokratike mbi interesat e tij të momentit,” tha ai.

“Por, në rast se kërkesat tona të drejta për një garë reale nuk do të plotësohen, ai do te marrë të gjithë përgjegjësinë për hedhjen në erë të së vetmes mundësi për nxjerrjen nga kriza të Partisë Demokratike, për shkak të atij vetë,” përfundoi Patozi.

Kritike e ashpër e procesit tashmë të filluar për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së ka qenë edhe ish kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila e ka cilësuar atë si të manipuluar nga kryetari aktual Luzim Basha.

“Lulzim Basha ka urdhëruar nisjen e një procedure antistatutore për t’i imponuar Partisë Demokratike një garë të rreme për drejtimin e ri. Duke e bërë procesin zgjedhor në Parti antistatutor, të nxituar, jo serioz dhe të papërgjegjshëm, zoti Basha po kërkon jo thjesht të mbajë peng partinë dhe të grabisë një mandat të ri drejtues, por së pari po kërkon që t’i shmanget dhënies llogari dhe marrjes përsipër të përgjegjësisë për humbjen katastrofale në zgjedhjet parlamentare,” tha Topalli nëpërmjet një deklarate me 30 Qershor.

Në të njejtën frymë është shprehur dhe Besnik Mustafaj, themelues i Partisë Demokratike dhe ish Ministër i Jashtëm, i cili në një deklaratë për gazetën “Panorama” ka thënë se Basha nëpërmjet dy nënkryetarëve po e shkatron garën në PD.

“Basha e bëri…veprim e gabuar duke treguar se nuk do të qendrojë aspak i ngrirë,” tha Mustafaj. “Nëpërmjet dy nënkrytarëve ai caktoi datën e zgjedhjeve. Ky vendim e nxjerr zbuluar Bashën dhe tregon se ai ka ndikim të plotë mbi dy nënkryetarët e caktuar nga ai për të administruar procesin zgjedhor brenda partisë. Unë kuptova kështu që Basha kërkon një fushatë të shkurtër për të shmangur debatin mbi bilancin e tij,” shtoi Mustafaj.

Ndryshe nga Mustafaj dhe Topalli, ish kreu i Partisë Demokratike dhe sponsori kryesor i Lulzim Bashës në politikë, Sali Berisha, i ka miratuar hapat procedurale të pinjollit të tij politik për garën e re për kryetar në Partinë Demokratike.

“Kryetari i PD ka njohur përgjegjësine e tij personale kryesore për këtë humbje. Statuti i partisë parashikon hapjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të partisë, dhe ky i fundit ka deklaruar se do të ngrijë funksionet e tij si kryetar partie për kohën e procesit të zgjedhjes së kryetarit, për të mos ndikuar në këtë proces,” deklaroi Berisha nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Unë mendoj se mënyra më e mirë për të evidentuar shkaqet, për të përcaktuar përgjegjësite e humbjes, është t’i japim zë dhe mundësi të gjithë strukturave dhe anëtarësisë së PD për të thënë fjalën e tyre lirshëm dhe me përgjegjësi në analizën dhe ndryshimin e thellë që nevojitet për të dalë prej saj dhe ringritur përsëri fuqishëm Partinë Demokratike,” shtoi ai.

Katër vjet më parë, pas humbjes së PD-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013-të, Berisha luajti një rol kyç në instalimin e Lulzim Bashës në krye të PD-së. Ngjashëm me garën e tanishme edhe në 2013-tën ky proces është shoqëruar me akuza për manipulime. Megjithatë, pas furtunës elektorale të 25 Qershorit, mbetet për t’u parë nëse mbështetja e Berishës do t’i mjaftojë Lulzim Bashës për të mbijetur si kreu i Partisë Demokratike – e cila po përjeton në këtë verë të nxehtë një nga periudhat më të vështira të historisë së saj 26-vjeçare.

BIRN

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

4 komente në “A do t’i mjaftojë Bashës mbështetja e Berishës për të mbijetuar?!”

  1. Aureli says:

    Patoz je i njejti mall si Berisha e kompani, Shqiptaret nuk ju duan. Keni nje defekt ju te PD , kujtoni se Shqiptaret e kane memorien e prishur. Je i njejti mall i Gerdecit, shitjes se detit, korrupsionit dhe vrasjeve masive ne Shqiperi, je mbeshtetes i antireformes ne drejtesi, shkurt pjese e llumit te PD. Edhe te fitosh tek PD nuk fiton tek Shqiptaret.
    DILNI NE PENSION O MONSTRA TE PD

  2. perkthyesi says:

    Te kesh ende besim te Saliu, qe ka kohe qe kundermon, si kufome politike, eshte pak ta quash idiotizem politik! Koha e tij ka mbaruar! Mendoj, se pikerisht kjo eshte arsyeja kryesore e humbjes se PD ne zgjedhje, pa permendur dhe mjaft te tjera, sigurisht!

  3. vezhgues says:

    Qe PD te vije ne pushtet i duhet,midis te tjerave,qe te behet e besueshme nga turmat duhet te perjashtoje nga partia demokratike ish kryetarin e saj,Jozefina Topallin,e shume te tjere qe kane ndjekur nje politike antikombetare qe me themelimin e saj, si shkaterrimin e gjithe fabrikave e uzinave te vendit e te pasurise kombetare, heqja nga puna e gjithe ish antarevete ish te Partise socialiste,heqja nga puna e oficerave te ushtrise popullore, injorimin e luftes NCL duke e quajtur lufte civile, shitja e teritorit detar Greqise, shkaterrimin e policise se shtetit, cuarjen e vendit ne lufte civile ne 1977,shkaterrimin e teritorit me ndertime pa kriter,asgjesimin e hapsirave te gjelbera, mbushtjen e shqiperise me kioska, ku u hodhen miljona dollar ne ndertime koti,krijimin e nje administrate shteterore partiake me militant ,shkaterrimin e gjyqesorit, vrasjet ne bulevard te jenarit etj,futjen e politikes se mosndshkimit, zhvillimin e korrupsionit etj.etj. Vetem ne se dele me nje autokritik te thelle ,duke e shoqeruar me perjashtime nga partia te personave kryesor qe kane drejtuar PD,dhe te gjithe personave injorant qe kane kontribuor ne shkaterrimin e gjishckaje, vetem atehere ajo ndoshta mund te behet e besueshme per turmat e mund te vije ne pushtet, mbasi aktualisht ajo nuk ka asnje mbshtetje nga asnje segment i shoqerise shqiptare sepse ajo ka qene ne lufte me te gjitha shtresat shoqerore ne vend,,ku ne zgjedhje ajo eshte mbshtetur vetem ne teorine e vjedhjes e mashtrimit te votimeve.PD ka shume per te bere autokritik dhe asgje per tu lavderuar.Vendi ka nevoje per opozite, por per nje opozite seroze

  4. spartaku says:

    Lulezim Basha do jete kryetar i ardhshem i pd-ke.Ai do fitoi se eshte deshtak ne zgjedhje.Kush deshton fiton.Fiton i keqi mbi te mirin.Pse? Sepse sot sundon djalli kudo.Djajt jane ne krye.Sali Berisha eshte djall.Po keshtu edhe Basha,eshte djall qe shoqerohet nga djaj te tjtere te pd-ke.Pd-ke eshte çerdhja e djajve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *