Akuzat ndaj Bashës, gazeta e PD i përgjigjet Mustafajt: Lexoje RD, hajde e monitoro çdo lajm në redaksi

Gazeta e PD-së, “Rilindja demokratike” përmes një editoriali të kryeredaktorit te saj, Bledi Kasmi i është përgjigjur mes të tjerash edhe akzuave të bëra nga ish ministri Besnik Mustafaj, i cili nje dite me pare tha se “Basha po përdor sekretariatin, makinën, telefonin e partisë, zyrën e shtypit, gazetën e partisë për të ushtruar ndikimin e vet mbi zgjedhjet e ardhshme”.

Besnik Mustafaj Sipas Kasmit, jo vetem qe kjo nuk eshte e vertete, por “gazeta në asnjë ditë të vetme gjatë kësaj periudhe kohore nuk ka pasur madje asnjë lajm të vetëm për zotin Basha”.

Ai fton Mustafajn qe para se te beje deklarata te paverteta eshte i lire te monitoroje cdo lajm te gazetes para se te botohet.

“Nisja e garës për Kryetarin e PD e cila pritet të zyrtarizohet do të jetë edhe fillimi i një fushate të brendshme mes kandidatëve të PD.

Disa nga kandidatët për postin e Kryetarit të PD janë shpallur tashmë, ndërsa priten edhe emra të tjerë sfidantë për këtë post. Gara e brendshme në PD është një nga momentet më të rëndësishme të një partie.

Ajo do të zhvillohet me parimin një anëtar një votë dhe do të zgjedhë njeriun që do të drejtojë partinë për katër vitet e ardhshme.

Klima politike brenda Partisë Demokratike ka qenë e mbartur me shumë emocione gjatë ditëve të fundit e kushtëzuar kjo nga humbja e zgjedhjeve të 25 Qershorit.

Shpërthimi i këtyre emocioneve herë të ligjshme dhe herë të tjera të tepruara me doza të sulmeve personale janë brenda etheve të garës elektorale të brendshme në PD, ndërsa ditët e ardhshme pritet të përcaktohet edhe formati i ballafaqimit të kandidatëve me demokratët si dhe axhenda e tyre.

Duke pasur si detyrim ndaj lexuesve pasqyrimin e plotë të këtij debati, “RD” do të jetë e paanshme në këtë garë elektorale dhe do të jetë e hapur për të gjithë kandidatët për Kryetar të PD për të botuar të gjithë qëndrimet e tyre. Në dispozicion të secilit kandidat do të vendosen hapësira të barabarta në gazetë dhe pasqyrimi do të jetë i plotë dhe krejtësisht i balancuar.

Kjo nuk është një risi në politikën editoriale për “RD”. Kjo është vazhdim i pasqyrimit real dhe të barabartë që gazeta “RD” ka bërë edhe katër vite më parë, kur zoti Basha kandidonte me zotin Olldashi për Kryetarin e PD për të cilën kemi pasur vlerësime në atë kohë nga të dy kandidatët.

Duke parë ndjeshmëritë e demokratëve për pozicionin e “RD” është një detyrim sqarimi ndaj reagimit të ish-ministrit të Jashtëm Besnik Mustafaj ditën e djeshme, i cili u shpreh në një prononcim për mediat se, “Basha po përdor sekretariatin, makinën, telefonin e partisë, zyrën e shtypit, gazetën e partisë për të ushtruar ndikimin e vet mbi zgjedhjet e ardhshme”.

Duke e mirëkuptuar me dashamirësi shqetësimin e zotit Mustafaj, duam ta sqarojmë atë se në asnjë rast gjatë këtyre pesë ditëve gazeta nuk është përdorur nga zoti Basha për të ushtruar ndikimn e vet mbi zgjedhjet. Për më tepër, gazeta në asnjë ditë të vetme gjatë kësaj periudhe kohore nuk ka pasur madje asnjë lajm të vetëm për zotin Basha.

Gazeta gjatë këtyre ditëve ka pasur dy qëndrime editoriale mbi garën në PD. Në thelb të tyre nuk ka qenë asnjë referim me emër për sicilin nga kandidatët për Kryetar të PD. Vija editoriale e “RD” ka qenë e qartë si kristali, duke i bërë thirrje të gjithë demokratëve se më e rëndësishme se çdo gjë tjetër për PD është bashkimi dhe mos futja e frymës së përçarjes dhe përjashtimi, ashtu sikurse i është bërë thirrje të gjithë demokratëve që të ruajnë etikën e tyre dhe debati të përqendrohet tek alternativat.

Fatkeqësisht, deklarata e zotit Mustafaj vjen një ditë pasi dy portale të kontrolluara nga pushteti dhe paratë e pista të oligarkëve dhe mafies postuan në mënyrë klandestine një lajm sipas të cilëve “gazeta “RD” po i shërben Bashës” pa dhënë asnjë provë, asnjë shkrim, titull apo fotografi se ku e provonin këtë. Si një ndër themeluesit e “RD”, si një ndër publicistët më të mirë, por edhe si një mik i mirë, Zoti Mustafaj përpara se të bëjë aludime të tilla ndaj gazetës do të ishte mirë që ato t’i verifikonte që të mos keqkuptohej në opinionin publik deklarata e tij.

Nëse zoti Mustafaj e ka vërtet shqetësim çështjen e pasqyrimit të fushatës së brendshme në PD nga gazeta “RD”, atëhere e ftojmë atë me dashamirësi që të vijë në selinë e gazetës dhe të bëjë monitorimin e çdo lajmi dhe të çdo faqeje përpara se ajo të shkojë në shtypshkronjë. Kjo do të ishte një mëyrë më dinjitoze se të bërit e deklaratave të pavërteta.

Shqetësimi i “RD” nuk janë interesat për pushtet të një kandidati apo të një kandidati tjetër, por ringritja e PD.

Të qenit palë në një garë është aset pozitiv për debatin dhe artikulimin e ideve e alternativave të një individi apo grupi dhe i shërben shndërrimin të garës në një spektakël demokracie, por kjo nuk mund të errësojë shikimin për të parë me realizëm përtej gardhit”, shkruan kryeredaktori i gazetes RD Bledi Kasmi.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Akuzat ndaj Bashës, gazeta e PD i përgjigjet Mustafajt: Lexoje RD, hajde e monitoro çdo lajm në redaksi”

  1. spartaku says:

    Ti Kasmi,mos u bej aq merka se Basha do zgjidhet kryetar i pd-ke.Gjithmon ne krye te pd-ke jane zgjedhur njerez,o kriminel si Berisha,ose te paafte si Basha.

  2. You can definitely see your expertise within the
    article you write. The sector hopes for more passionate writers like you who aren’t afraid to say how they
    believe. All the time follow your heart.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *