ANALIZA/ Vota gjinore sipas partive më 2017, ndikimi dhe mësimet prej saj

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Afrim Krasniqi

Në zgjedhjet e 25 qershorit votuan mbi 1.608.561 zgjedhës, nga të cilët, 44% ose 715,117 ishin votuese femra. Sic shihet vota gjinore kishte një peshë specifike, për të tepër kur partitë përdorën retorikë e spote televizive adresuar vetëm votuesve femra. KQZ penalizoi me gjobë tri partitë kryesore, PD me 5 milion lekë të reja, PS me 1 milion lekë të reja dhe LSI me 1 milion lekë të reja, për mosrespektim të kuotës gjinore sipas Kodit Zgjedhor. Dallimi mes tri partive ishte se dy të parat kishin mungesa të grave e vajzave në listë, kurse në tre vendet e para në Tiranë nuk kishte asnjë mashkull.

Në studimet sociale vota e grave e vajzave tradicionalisht është votë e ndarë, – në zonat rurale është kryesisht votë konservatore, në zonat urbane është kryesisht votë e majtë ose liberale. Kjo vlen sidomos për shoqëritë e zhvilluara. Në Shqipëri vota gjinore ka ndyrshuar kah në varësi nga zgjedhjet dhe periudhat politike. Në fillim të viteve 90 gratë e vajzat ishin më shumë votuese konservatore sesa të majta, dekadën e fundit trendi është tjetër.

Referuar të dhënave të IPR Marketing të datës 25 qershor, rezulton se gratë e vajzat ishin dukshëm mbështetëse të Partisë Socialiste dhe fushatës së saj. Konkretisht, 5% më shumë gra sesa burra llogariten si votues të PS, krahasuar me 4% më shumë burra sesa gra votuese për PD. Në LSI ka balancë përfaqësimi gjinor, kryesisht edhe për shkak të natyrës së përqëndruar familjare të partisë dhe bazës mbështetëse, në PDIU ka dominim të lehtë të votuesve meshkuj, kurse në LIBRA rezultati midis votës mashkullore dhe femërore është pothuajse i njëjtë.

A vlejnë këto të dhëna? Po, kanë rëndësi të shumëfishtë.

  • E para për studimet sociale dhe ata që politikën nuk e shohin si privilegj, por edhe si objekt monitorimi e studimi.
  • E dyta për vetë partitë politike për ti ndihmuar ato të ndryshojnë strategji elektorale dhe të fokusohen më shumë edhe në problematikat gjinore, me fokus, gjininë e nënpërfaqësuar.
  • E treta për deputetët e rinj për të reflektuar më shumë proporcionalitet në axhendën politike, pasi nga 44% votuese gra kemi vetëm 28% gra e vajza deputete, pra një devijim në përfaqësim prej 16%.
  • E katërta, për organizatat e grave në partitë politike për të korrigjuar e përmirësuar strategjitë e tyre të punës. E pesta për rrjetin e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë që janë të fokusuar në cështjet e demokracisë, të zgjedhjeve dhe të përfaqësimit gjinor.
  • E fundit, dhe më me rëndësi, partitë përfituese nga votat e grave dhe vajzave duhet të korrektojnë arrogancën e tyre, të jenë më humane, më sociale, më gjithëpërfshirëse, më pak konfliktuale dhe më të përgjegjshme në raport me përgjegjësitë publike.

ISP dhe UN Women Albania ka monitoruar dhe analizuar zhvillimet politike parazgjedhore, problematikat e ditës së votimit dhe cështjet e përfaqësimit gjinor, me fokus, vendin e rolin e grave dhe vajzave në partitë politike shqiptare. E ka bërë më 2015, e bëri edhe më 2017, do vijojnë angazhimin, pasi sfidat për një përfaqësim të drejtë, cilësor dhe proporcional përbëjnë bazën reale për një demokraci të qëndrueshme dhe funksionale.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/07\/VOTA-2017-MBI-BAZE-GJINORE-150x150.png","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/07\/VOTA-2017-MBI-BAZE-GJINORE.png","attachment_id":"718534"},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/Afrim-Krasniqi-1-696x392-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/Afrim-Krasniqi-1-696x392.jpg","attachment_id":"607390"}]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *