A do e përtypë PD, soft power-in e Eduart Selamit?!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Ben Andoni

Nëse nuk do ishte kriza e tanishme e PD-së, korriku do të konsiderohej si një muaj i qetë për median. LSI-ja, forca e majtë që megjithë diversionin dhe votat e mbledhura mund të ndjehej e kënaqur, e pret një dimër i ftohtë, kurse PS-ja gazmon në dalldinë e 74 votave të mbledhura. Media e gjithë kaheve dhe preferencave ka mësyrë PD-në, ku kjo e fundit gjendet para trandjeve më të mëdha që pas vitit 1997, kur arriti kuotën më të ulët të votave të mbledhura.

Në këtë tollovi të saj, ku janë kristalizuar disa individë, kahe, rryma dhe hidhen mendime, janë filtruar vetëm dy kandidatë për kryetarin e ardhshëm. Njëri, lideri aktual, Lulzim Basha me mbështetje të plotë të Berishës dhe mbrojtësi i hard power (Fuqia e fortë), kundrejt njërës prej figurave më të hershme të PD-së, Eduart Selami, kritik i Berishës e që duket se ka ofruar të ashtuquajturën soft power (Fuqia e butë). Nëse këto dy koncepte do t’i thjeshtonim ato do mund të vinin në shqip si Linja e Fortë dhe ajo e Butë.

Nga e para me të cilën është mësuar kjo pari dhe që kryetari i tanishëm Basha u mundua ta shtrëngoj për shumë kohë në drejtim të saj, PD-ja po jeton një kurbë ulëse të frikshme. Me një ngritje të lehtë në vitin 2009, kur mori pushtetin falë aleancës me LSI-në, por që gjithsesi shumë poshtë atyre niveleve që ishte mësuar me vitet e para ’90. Kjo rrjedhë ka bërë që PD-ja të humbë një pjesë të fashës së popullsisë që e votonte verbazi dhe atë që e shikonte si alternativë kundrejt të Majtëve, identifikuar rëndom si vazhduese e PPSH-së. Kryetari aktual “i vetë-ngrirë” Basha që e kuptoi këtë impuls e shtyu më tej me parashikimet e tij të drejta për blerjen e votave nga kanabizimi i vendit dhe administrimi i zgjedhjeve ndryshe, e që të gjitha do kulmonin me konceptin e tij paradoksal Republika e Re. Gjëra radikale prej tij, që artikuloheshin me një fjalor agresiv, të përdorur pak metra larg zyrës së Ramës, por që në fund janë squllur nga kthesa e papritur që sollën ngjarjet pas marrëveshjes së 18 Majit.

Në kahun e Soft power duket Eduart Selami. Një nga liderët e PD-së në kohën më të mirë të saj, i tërhequr për shumë kohë, po mundohet të paraqesë një fytyrë tjetër, që i shkon logjikës moderne, por edhe që i bashkohet principeve të hershme të kësaj partie. Për ta bërë më të kuptueshme e ashtuquajtura soft power (Fuqia e butë), që po aplikon ai, është një koncept i zhvilluar nga Jozef Nye i Universitetit të Harvardit për të përshkruar aftësinë për të tërhequr dhe bashkëpunuar në vend të detyrimit duke përdorur forcën. Fuqia e butë teorikisht është aftësia për të formësuar idealet e të tjerëve nëpërmjet thirrjes, bashkëpunimit dhe tërheqjes. Dhe më shumë akoma, një tipar përcaktues i fuqisë së butë është se ajo nuk është kurrsesi e detyrueshme. Mjeti i soft power është kultura, vlerat politike.

Eduart Selami është munduar të shfaqë këtë, por në një mjedis ku gjuha e trupit të tij e tregon ende shumë të tërhequr para agresivitetit të madh të ithtarëve të hard power. Gjithsesi soft power nuk do të thotë dorëzim, paçka se shumë nga të vjetrit e PD-së nuk po e mbështetin. Nga deklaratat e para të tij, kur pa se instrumentet e PD-në nuk donin ta shtynin zgjedhjen për të bërë një garë korrekte që duhej bërë pas analizave, ai ka pohuar hapur se do të shikonte marrëveshjen me Ramën të PD-së, ndërsa do të legjitimonte fraksionet. Kjo do të bëjë që PD-ja, sipas tij, të mblidhet sërish në shtëpinë e vet dhe të mos përplaset siç po bën tani në media me individët kundër njëri-tjetrit. Ai ka folur për Demokracinë e brendshme, që PD dhe PS e kanë ndër pikat më të dobëta, kurse si origjinë të kësaj problematike ai shikon që performancën nga vitet e hershme të kësaj partie, kohë kur ai vetë u detyrua padrejtësisht nga PD-ja, me urdhër të Berishës.

Për fat të keq, kjo frymë vazhdon te PD-ja dhe kjo po shikohet edhe nga realitetet në këtë parti, e cila nuk po mund të kryejë një proces si duhet analize, ashtu si procesi i zgjedhjes së kryetarit në vetvete lë ende shumë për të dëshiruar prej akuzave që po bëjnë individë të ndryshëm.

Larg fjalëve, PD-ja e ka tashmë një alternativë përballë Bashës dhe me zgjedhjet e saj do të shikohet sesa realisht demokrate është. “Aleatja” e saj PS-ja e ka braktisur demokracinë e brendshme ashtu si edhe vetë PD-ja. Veçse përballë kryetarit që i ka dhuruar vetëm humbje, le të provojnë njeriun që po ua paraqet shqetësimet me një gjuhë jo më të butë, por shumë më të moderuar dhe brenda kanoneve të një partie moderne. Sesa do të bindet Topalli, Bregu, Patosi dhe të pasionuarit e tyre t’i mbështesin kjo mbetet për t’u parë, por tashmë i takon vetë anëtarësisë së PD-së, që të mos manipulohet dhe të jetë aq e pajetë si deri më tani, kur është manipuluar për zgjedhjet brenda vetes aspak demokratike.

Në vitin 2012, Nye shpjegoi se me soft power “propaganda më e mirë nuk është thjesht propaganda”, duke shpjeguar më tej se gjatë Epokës së Informacionit “kredibiliteti është pasuria më e pakët”. Në një farë mënyre, me kandidaturën e Selamit, PD-ja ka shpresë të tregojë nëse do ta respektojë demokracinë e brendshme e ti sjellë PD-së madhështinë që ajo ka pasur në vitin 1992 kur i besuan shumica e shqiptarëve apo do të lerë veten në këtë trend, që shënon bjerrjen e frikshme të saj. Të paktën, zgjedhjet me Bashën dhe ajo e Berishës, para tij, rastisën fatale për shqiptarët. Ndaj ky muaj nuk është aspak i qetë për median. (Javanews)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

5 komente në “A do e përtypë PD, soft power-in e Eduart Selamit?!”

  1. Don says:

    O ti gazetar, a ka mundesi te flasesh shqip sepse kultura nuk tregohet duke perdorur terma te huaja. Kultura jote tregohet ne permbajtjen e asaj cfare shkruan dhe jo ne titujt bombastike. Sa per ate anglishten tende jane mbi 50% e shqiptateve qe e dine me mire se ty prandaj mos na bej show me grazhde me targe te huaj. Respekto shqipeeeeeeen!!!!

  2. Ilir says:

    Soft power = po…e e plevitosur !

  3. Litari says:

    Ky fare burre Eduart Selani nje pjate-lares dhe lares-makine…PD-ja aty ku filloj me pardesyt-bardhe te sigurimsave po ayt do te mbaroj me turp….

  4. Lili says:

    Po cka perfason selami? Per nje gje e njohim: mohimi i te drejtat e pronareve legjitim,pra thelbi i nje te Djathte te vertete….On ne fait pas du neuf avec du vieux,thone francezet, nuk behet e reja me jaketat e vjetra..

  5. TOMORI SHBA says:

    Mbas gjith kesaj disfate te perseritur nen drejtimin ne PD , nga Lulezim Basha gjat ketyre tet viteve si kryetar i PD, nevoitet nje drejtus tjeter, per ta shpetuar opoziten nga zgripi ku ndodhet dhe per ta futur ne binaret e duhur PD, duhet patjer largimi dhe mosvotimi i Bashes per kryetar partie i PD. Qe te mos gremiset fare te themi na ishte njeher nje PD, duhet me 22 Korik, votusit te vendosin njezeri per kryetar te PD, zotin Eduart Selami, kuader me pervoje, rezultativ ne drejtimin e PD vitet e para. Kethehet nga Amerika me pervoje eksperience , pervoje te menduari e te vepruari si perendimor.
    U bej thirje bashkeatdhetareve tane antar e simpatizant te PD, ta mbeshtetin kandidaturen e zotit Selami, nese duam ringritjen e PD dhe jne opozit konstruktive qe dote punoi e luftoi per rreformat e medha dhe cuarjen e vendit ne familjen Evropjane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *