Vetingu, ILDKP nis kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve e prokurorëve. Letërporositë për verifikime jashtë vendit janë gati

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Gjyqtarët, prokurorët dhe të gjithë punonjësit e tjerë të drejtësisë që kanë përfituar nga qytetarët shumë shpejt do përballen me ligjin. Edhe pse të gjithë tentuan të bllokojnë reformën në drejtësi, nuk ja dolën dot.

Tentativa më e fundit ishte ankimimi në Gjykatën Kushtetuese, por që çfarëdo vendimi të marrë kjo gjykatë, nuk dëmton fare procesin.

Por ajo që është më e rëndësishme është se vetingu ka nisur. Më 22 maj Parlamenti përzgjodhi anëtarët e Komisionit të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, organet kryesore që do të bëjnë spastrimin e drejtësisë nga të korruptuarit.

Aktualisht po punohet me ritme të shpejta që godina ku do jenë këto dy organe të jetë gati dhe pritet që në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit të nisë puna për zbatimin me rigorozitet të ligjit.

Por pas ngritjes së organeve të vetingut, institucionet që do të asistojnë në verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë filluar punën. Sipas burimeve nga ILDKP, ditët e fundit ka nisur kontrolli i pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila një vit më parë e pezulloi vetingun, u ndërpre procesi i verifikimit të pasurisë për gjyqtarët dhe prokurorët.

Por burime të sigurta thanë se me t’u ngritur organet ka rifilluar puna. ILDKP do ketë një rol shumë të rëndësishëm në zbatimin e vetingut. Sipas ligjit, është ky organi që do bëjë verifikimin e pasurisë për gjyqtarët dhe prokurorët dhe në fund do i dërgojë Komisionit të Kualifikimit një raport ku jepen të dhëna të detajuara mbi pasurinë e gjyqtarit apo prokurorit dhe po ashtu deklarohet nëse ai e justifikon ose jo pasurinë.

Pas ligjit, kushdo që ka pasuri më shumë se shuma e të ardhurve të tij ndër vite, del nga sistemi dhe nuk përjashtohet mundësia që të kalojë për ndjekje penale.

Në kuadër të verifikimit të pasurisë dhe pastërtisë së figurës, verifikime do të ketë dhe jashtë vendit. Sipas burimeve nga ILDKP, janë identifikuar me dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë që kanë pasuri dhe llogari jashtë vendit, të cilët do të verifikohen.

Sipas të dhënave nga ILDKP, shumë shpejt do të nisë bashkëpunimi me Drejtorinë e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Kësaj drejtorie do i dërgohen emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe më pas do nisin verifikimet në banka, ndërsa do u dërgohen letër-porosi vendeve partnere dhe agjencive të ndryshme, të cilët do kryejnë verifikime.

Nëse rezulton se nuk ka probleme, atëherë gjyqtarët dhe prokurorët do vijojnë të ushtrojnë detyrën. Por nëse partnerët hedhin dyshime mbi transferuat, atëherë sipas ligjit, gjyqtarët dhe prokurorët dalin nga sistemi. DPPPP do ketë një detyrë shumë të rëndësishme, pasi do të duhet të zbulojë nëse ka persona të përfshirë në pastrim parash.

Po ashtu do punohet dhe me Drejtorinë e Tatimeve dhe institucione të tjera në vend, ku do kërkohen të dhëna për çdo individ. Por më e rëndësishmja është se për të gjithë emrat do verifikohen në terren pasuritë.

Nëse dikush ka deklaruar hotele e banesa, secila do kontrollohet nga afër për të parë nëse ka apo jo atë vlerë. Pra institucionet kanë nisur përgatitjet për vetingun dhe sapo të ngihen komisionet, nis furtuna në drejtësi.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “Vetingu, ILDKP nis kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve e prokurorëve. Letërporositë për verifikime jashtë vendit janë gati”

  1. tomi says:

    Po Inspektoret i ILDKP, kush i kontrollon ? Thone se jane bere shume te pasur !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *