Veliaj: Çdo vit do rehabilitojmë 50 blloqe banimi

5 Korrik 2017, 12:00Sociale TEMA
Veliaj: Çdo vit do rehabilitojmë 50 blloqe banimi

Banorët e bllokut të banimit në Bulevardin “Bajram Curri”, pranë Pallatit me Shigjeta, është shndërruar në një hapësirë të denjë çlodhëse për banorët, të moshuarit dhe fëmijët. E lënë në harresë dhe e degraduar prej vitesh, falë investimit të Bashkisë së Tiranës i gjithë blloku iu nënshtrua rikualifikimit të plotë, duke nisur nga sistemimi i rrugëve, krijimi i këndeve çlodhëse me gjelbërim, si dhe ndërtimi i këndit të lojërave për fëmijë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi përfundimin e punimeve dhe theksoi se ky investim është tregues se Tirana funksionon vetëm me punë, shpresë e optimizëm. “Një ndër arsyet pse njihet si Pallati me Shigjeta është se Edi Rama, si kryetar bashkie, ishte i pari që vuri dorë në këtë pallat. Megjithatë, besoj se pas katër viteve të gjumit, të gjithë kemi kuptuar se Tirana nuk funksionon me kunetër. Tirana funksionon vetëm me punë, shpresë e optimizëm dhe besoj se vetëm duke zgjidhur çdo ditë nga një problematikë, siç ishte kjo kënetë që kemi pasur tek Pallati me Shigjeta dhe kjo situatë aspak e këndshme ku fëmijët s’kishin një hapësirë, duke e rikthyer në një hapësirë falë duarartëve të Bashkisë dhe të papërtuar edhe në këto ditë vere, vetëm kështu mund të ecim përpara”, tha Veliaj.

Duke siguruar qytetarët për rehabilitimin e 50 blloqeve të banimit çdo vit, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Tirana nuk ka më kohë që të humbasë, por vetëm të ecë përpara. “Kemi një premtim: Çdo vit do të rehabilitojmë 50 blloqe banimi. Tirana ka qindra të tillë, të cilat kanë nevojë të sistemohen, por duke punuar çdo ditë nga një, kjo është mënyra se si ecim përpara. Duke bërë llogje, duke penguar e sharë njëri-tjetrin, duke u marrë me punë të kota, vetëm humbasim kohë. Tirana ka humbur 4 vjet boll me kunetërit, tani duhet të ecim përpara vetëm me punë. Vetëm puna na nxjerr në dritë”, tha ai.

Veliaj u kërkoi të gjithë qytetarëve të Tiranës që të zgjedhin administratorin e tyre dhe të bashkëpunojnë për përmirësimin e jetesës në komunitetit. “U kërkoj banorëve të bashkëpunojnë me administratorin e tyre për t’i mirëmbajtur këto investime. Është shumë e rëndësishme që pasi mbaron, ta mirëmbajmë investimin. Në momentin që dikush e prish, dikush fillon e saldon hekura, dikush e bllokon, në fakt nuk e ka prishur për një, e ka prishur për të gjithë banorët e tjerë që duhet ta gëzojnë njësoj këtë hapësirë. Kjo është një hapësirë publike, do të thotë që janë të gjithë aksionerë, ndaj është edhe përgjegjësi e të gjithëve që ne ta ruajmë e ta mbajmë”, deklaroi kreu i Bashkisë.

Ndërhyrja në këtë bllok konsistoi në sistemimin e të gjithë hapësirës, ku përveç vendosjes së moduleve të ndryshme të lojërave, u realizua vendosja e stolave, ndriçimit si dhe ndërhyrja në kanalizime që do të shmangë përmbytjet në rast të reshjeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje