Helikopterët e ushtrisë, në luftë kundër zjarreve dhe kanabisit

6 Korrik 2017, 19:16Sociale TEMA

Regjimenti i helikopterëve është një tjetër hallkë mjaft e rëndësishme në përballimin e emergjencave kombëtare. Ashtu si në vitet e kaluara, edhe kjo verë me temperatura të larta ka nisur shfaqjen e problemit të zjarreve në pyje dhe kullota.

Regjimenti i helikopterëve mban një peshë mjaft të madhe dhe vendimtare në përballimin e situatave të zjarreve në zonat e vështira për t’u arritur nga njerëzit. Por lajmi i mirë për këtë sezon është që regjimenti ka përpiluar një program për modernizmin e mjeteve dhe trajnimin e pilotëve, posaçërisht për ndërhyrjet nga ajri për shuarjen e zjarreve.

“Ne kemi përgatitur programin për modernizmin e mjeteve ajrore për këtë qëllim. Një program i veçantë që përfshin blerjen e elementëve që do të bëjnë të mundur përdorimin e helikopterëve në këto misione. Duhet të theksojmë se janë misione, të cilat kërkojnë me të vërtetë një përgatitje të lartë, si të efektivit fluturues, por edhe për mjetet, që duhet të kenë kapacitetet bartëse.

Aktualisht, me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes, ne jemi në mbyllje të procesit të pajisjes së dy helikopterëve ‘Cougar’ me kovat e ujit. Në këtë kuadër, në këtë projekt është përfshirë edhe përgatitja e personelit fluturues dhe atij teknik që do të operojnë në të tilla misione”, tha kolonel Kuto Hasani për Top Channel.

Një program i veçantë trajnimi pritet të bëhet edhe me forcat RENEA dhe forcat e tjera të Policisë, në kuadër të planit kombëtar kundër kanabisit, në mënyrë që edhe efektivët e policisë të dinë si të ndërveprojnë me pilotët dhe stafin mbështetës.

“Jemi futur në procesin e bashkëpunimit edhe me Policinë e Shtetit për organizimin e stërvitjeve të përbashkëta, me qëllim që të standardizojmë ato procese që rrezikojnë fluturimin, por që bëjnë të mundur kryerjen e misionit në një kohë sa më të shpejtë dhe pa lejuar premisa për ngjarje të jashtëzakonshme.

Pikërisht në këtë kuadër ne jemi në procesin e fillimit të stërvitjes edhe me repartin RENEA. Elementë të këtij reparti do të vijnë në bazën tonë, do të kryejmë të gjitha llojet e operacioneve që janë të mundura të mbështeten nga forca ajrore, e të realizohen edhe nga trupat speciale”, deklaroi kolonel Kuto Hasani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje