Zv.ministri i Mbrojtjes, Idlir Peçi, është liruar nga detyra me kërkesën e tij. Vendimi është marrë në datën 3 korrik në mbledhjen e radhës së Këshillit të ministrave.
“Me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Z. Idlir Peçi, zëvendësministër i Mbrojtjes, lirohet nga kjo detyrë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”- thuhet ne vendim.
Por ka qenë vetë Peçi, ai që ka kërkuar të lirohet nga detyra e zv.ministrit te Mbrojtjes.
Me një kërkesë drejtuar kryeministrit Edi Rama që mban datën 28 qershor të këtij viti, zv.ministri i Mbrojtjes Idlir Peçi i paraqet kryeministrit dorëheqjen e parevokueshme nga posti që mban në këtë Ministri.
Në këtë kërkesë, Peçi nënvizon se i është dërguar për dijeni dhe ministres Mimi Kodheli.
Peçi rendit si arësye për dorëheqjen nga posti i zv.ministrit të Mbrojtjes, ato personale dhe profesionale.
Njëherësh në tekstin e dorëheqjes Peçi e falenderon kryeministrin Edi Rama për besimin e treguar prej tij, duke i ngarkuar për të ushtruar detyra shumë të rëndësishme, në fillim si zv.ministër i Drejtësisë dhe më pas zv.ministër i Mbrojtjes.
Teksa i uron Ramës suksese në mandatin e dytë qeverisës, për arësyet e përmendura më sipër kërkon dorëheqjen e parevokueshme nga posti i zv.ministrit të Mbrojtjes.
Kryeministri e ka pranuar dorëheqjen e Peçit vetëm pesë ditë më vonë, duke e liruar atë nga detyra sipas kërkesës së tij.