Tirana, mbyllet një epokë!

7 Korrik 2017, 14:51Sport TEMA

Në një mbrëmje të nxehtë korriku, me disfatën 3-0 ndaj Makabit u mbyll zyrtarisht me aventurën europiane edhe edicioni 2016-2017 i Tiranës dhe njëkohësisht një epokë e tërë bardheblu. Pas plot 97 vjetësh histori impenjimi i klubit kryeqytetas për herë të parë do të jetë në një Kategori Inferiore.

Tirana duhet të përballet me një realitet të ri, padyshim të vështirë me objektivin për t’u rikthyer sa më parë aty ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar. Mision që nuk pritet të jetë aq i lehtë për Ze Marian dhe skuadrën që do të ketë në dispozicion, ndërkohë që për drejtuesit nis një fazë e re në merkato për t’i vënë në dispozicion trajnerit organikën e nevojshme për tu ringjitur në Superiore.

Tirana ka shansin për të krijuar një fond të rëndësishëm financiar nga merkato në dalje. Merveille është e sigurt që do të largohet, e pamundur të imagjinohet refuzimi i ofertave që kapin shifra sugjestionuese prej më shumë se 300 mijë Eurosh, edhe pse në klub synojnë që të arrijnë me transferimin e sulmuesit kongolez kufirin e gjysmë milionë eurove.

Gjithsesi opsionet për shëndoshjen e financave nuk përfundojnë këtu, pasi në klub kanë mbërritur oferta zyrtare edhe për të tjerë futbollistë, tejet i lakmuar zbulimi i këtij sezoni Albi Doka, ndërkohë që oferta konkrete ka patur edhe për David Domgjonin dhe Aquah.

Për sa i përket grupit që do të përballjë vitin e Kategorisë së Parë Tiranës nuk do t’i mungojë eksperienca me kapitenin Karabeci që ka garantuar qëndrimin, e po ashtu mes shtyllave do të ketë një garanci si Ilion Lika, ndërsa pjesë e objektivit për të rikthyer Tiranën në elitë do të jenë edhe futbollistë si Hoxhallari, apo të rinjtë e afruar këtë vit me skuadrën e parë.

Tirana nis një epokë të re, në një tokë të pashkelur më parë ku për drejtuesit pas mangësive të sezonit të kaluar janë të ndaluara gabimet. Bardheblutë duhet të kthehen sa më shpejt aty ku ju takon, transicioni i vitit zero nuk duhet të zgjatë më shumë se një vit./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje