INTERVISTA/ Juristi i OSSH, Romeo Kara nxjerr fakte të reja: Rasti CEZ-DIA do thyejë tabunë e arrestimeve VIP, Berisha personi kryesor. Ja politikanët e lidhur me Ismailajn

Romeo Kara, ish-juristi i OSSH, i cili denoncoi aferat me privatizimin e këtij organi dhe një prej dëshmitarëve kyç të aferës CEZ-DIA, në një intervistë për gazetën SOT tregon se ka ardhur koha që në Shqipëri të nisin arrestimet VIP.

Sipas tij, përmes denoncimeve që ai ka bërë për të gjithë këto afera është thyer tabuja e heshtjes përballë të fortëve, ndërsa tani pret që po përmes këtyre dosjeve të thyhet tabuja e të paprekshmëve të politikës.

Ai ka folur për dosjen e famshme CEZ-DIA ku tregon gjithë zyrtarët e lidhur me Kastriot Ismailajn, ndërsa ka thënë se janë pastruar para në Kongo.

-Dy ditë më parë u mbajt seanca e radhës gjyqësore e rastit CEZ-DIA. Ju jeni dëshmitar kyç i kësaj çështje. Mund të na thoni çfarë ka ndodhur në të vërtetë me paktin e CEZ dhe DIA dhe cilët zyrtarë janë të përfshirë?

Çështja DIA, për mua është një çështje korrupsioni, mashtrimi dhe pastrimi parash. Kemi një dëshmi të bërë nga ish-drejtori cek i CEZ Shpërndarje, Jozef Hejsek, të dhënë në tetor 2014 avokatëve të Clifford Chance, me qellim për t’u përdorur në arbitrazhin e Vjenës.

Ai përmend në këtë intervistë disa emra si miq apo ndërmjetës të Ismailajt në Shqipëri si dy ish-kryeministrat Berisha e Meta, ish-ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Prage, Qazim Tepshi etj. Fillimisht, kjo çështje u trajtua vetëm si çështje mashtrimi, ndërsa me ndërhyrjen dhe dëshminë time, u pa edhe trajtimi si çështje korrupsioni përveç mashtrimit.

Mesa di janë thirrur si të pandehur dy drejtues çekë të CEZ Shpërndarje. Ata besoj se do të japin një dëshmi më të plotë të asaj se çfarë ka ndodhur dhe se kush është përfshirë. Ka edhe prokurore të përfshirë përkrah Ismailajt në këtë çështje, por që deri më tani duke qenë nën sqetullën e ish-kryeministrave të korruptuar, po vegjetojnë të qetë në strofullat e tyre të krimit. Unë i kam denoncuar publikisht me emër, por si duket është marrë vendimi që të mbyllen veshët.

E rëndësishme është që megamashtrimi për të trajtuar me një pseudokontratë 230 ml Euro borxhe dhe po kaq interes, ku DIA, Ismailaj dhe mbështetësit e tij do të vidhnin 50% të tyre, u zbulua në momentin e duhur dhe u përballua situata me sukses në arbitrazhin e Vjenës, ku objekti i kërkimit të Ismailaj & company ishte rreth 170 ml euro duke përfshirë interesat prej janarit 2013 si dhe paratë e ekspertëve dhe avokatëve.

Ne jemi në rrugën e duhur për të kompensuar 9.5 ml Euro në procesin civil kundër Kastriot Ismailajt. Dua të përmend edhe vizitat e një prej anëtarëve të Parlamentit bërë Ismailajt në qelinë e tij. Ismailaj është jo rastësisht personi që bashkon në tavolinë në restorantin e tij, Nanon me Metën. Ismailaj ka pasur lidhje të ngushta edhe me Berishën. Kemi edhe një denoncim publik të një ish-drejtuesi të Albpetrol, i cili i shkruan në uollin e tij Berishës ku i zbulon lidhjen me Ismailajn.

Ky person më ka pohuar edhe mua se Berisha ka ndërhyrë pranë kryeministrit të Malit te Zi dhe atij të Kosovës, që të presin dhe bashkëpunojnë me Ismailajn. Duhen parë dhe investiguar vizitat e Ismailajt në Pragë dhe sidomos ato kur ai ka qëndruar në hotel Mandarin. Duhet verifikuar aksidenti shumë i përfolur ndaj ish ambasadorit Tepshi në Pragë.

Kam prova se Ismailaj me përkrahjen politike, do të merrte nga CEZ edhe shërbimin e shpërndarjes së faturave si dhe përfaqësimin juridik të CEZ. Të dyja këto si outsource. Ismailaj nuk i ka bërë i vetëm këto çudira. Autorët dihen dhe janë vërdallë duke na shitur moral dhe na bërë karshillëk. Plani përfundimtar i megahajdutëve ishte: të shpalleshin fitues në Vjenë, të paguheshin me aksionet e OSHEE, të shpalleshin pronarë të OSHEE pa paguar asnjë kacidhe, se edhe shpenzimet e arbitrazhit i paguan nga paratë e marra nga CEZ, të falimentonin padyshim KESH dhe OST, të krijonin një parti politike dhe ta mbanin peng përjetë këtë vend. Fituam një çështje të vështirë në Vjenë me rëndësi kapitale për vendin, por askush nuk tha një fjalë të mirë se mos na i ngeli hatri pushtetarëve dhe politikanëve hajdutë të përfshirë me Ismailajn.

Ky është një rast i paprecedentë mosmirënjohjeje. Rasti Ismailaj është si rasti i një pusete që kur hapet, ndyhen dynjanë. Sa më shumë të gërmosh në të, aq më shumë pisllëqe nxjerr dhe aq më shumë kutërbon. Kemi gazetarë dhe analistë me emër që janë përfshirë në këtë pisllëk, duke punësuar të afërmit e tyre në vende të rëndësishme ne DIA. Ismailaj është fytyra e vërtetë e pushtetarëve tanë.

Është dokumentuar se Ismailaj ka pasur edhe rolin e ndërmjetësit të CEZ me ERE. Ka dokumente dhe fakte për këtë, ku aplikimi për tarifat e energjisë të CEZ për tek ERE kalonin fillimisht nga Ismailaj. Ismailaj hyn në kontratë me CEZ-in pas një mashtrimi kontraktual dhe pastrimi parash në Kongo.

Mjafton një fakt: ka bërë transferta miliona dollarë nga jashtë në një bankë në Shqipëri me pretendimin se do të paguante rrogat e disa mijëra punëtorë, ndërkohë që ai nuk kishte asnjë punëtor në Shqipëri.

Si adresë të firmës së tij dha adresën e shtëpisë së tij në Tiranë. Si mund të punojnë mijëra punëtorë në një apartament 2+1, vetëm Ismailaj e di?! Ismailaj është një mashtrues klasik ndërkombëtar që noton mirë në ujërat e politikës së korruptuar. Duke qenë mashtrues ai padyshim ka mashtruar edhe vetë politikanët e korruptuar të cilët nuk mund të shprehen hapur për këtë gjë.

-Ju jeni dëshmitari kyç edhe i aferës së privatizimit të OSSH. Në prokurori keni dorëzuar dhe një dosje për këto abuzime. Si po ecet me këtë proces?

Në datë 31 mars 2017, unë kam dorëzuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme një kallëzim penal lidhur me procesin e privatizimit të OSSH-së. Disa javë më pas, jam thirrur nga kjo prokurori për të dhënë deklarimet përkatëse në lidhje me këtë kallëzim penal. Deri më tani janë zhvilluar rreth 9 seanca relativisht të gjata deklarimesh dhe mund të kemi edhe disa të tjera në vazhdim. Pra, jemi në momentin e deklarimeve në mbështetje të kallëzimit. Për etikë profesionale, meqë çështja është në proces, unë nuk po jap hollësi apo detaje të tjera.

E rëndësishme është që tabuja për të hapur një proces penal kundër liderëve autoritarë të politikes, ka rënë. Konkretisht, sot një dosje masive kundër njërit prej tyre, është në Prokurorinë e Përgjithshme. Për hir të së vërtetës, procesi duhet të ecë më shpejt, pasi kemi të bëjmë me abuzime në shuma të mëdha, të cilat bëjnë të nevojshme dhe të domosdoshme arrestimin e personave përgjegjës si dhe sekuestrimin e pasurive të tyre.

Pra, duhet kaluar sa më shpejt edhe tabuja në lidhje me arrestimet e personave VIP si dhe sekuestrimet e pasurive të tyre. Këta persona, të cilët kanë mjaft pushtet politik dhe ekonomik, duke u lënë të lirë, mund të cenojnë procesin. Ky proces është sfida reale e prokurorisë dhe gjithë sistemit të drejtësisë sot.

-Ju keni deklaruar se në skandalin e CEZ janë të përfshirë shumë zyrtarë të lartë të qeverisë “Berisha”. Mund të thoni se kush kanë pasur gisht në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë skandal?

Emrat e personave të përfshirë në këtë aferë janë bërë publike tashmë. Unë po përmend vetëm dy prej tyre: ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e METE-s Genc Ruli. Të mos harrojmë edhe ndërmjetësin e famshëm Nuel Kalaj. Përveç këtyre janë edhe 13 persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje si anëtare të komisionit të vlerësimit të ofertave dhe të negocimit.

-Cilat janë shkeljet që ju keni zbuluar dhe çfarë roli ka pasur ish-kryeministri Berisha në këtë mes?

Sali Berisha si ish-kryeministër, është personi kryesor për dështimin me sukses të kësaj procedure privatizimi si dhe për abuzimet e ndodhura në këtë procedurë me pasoja: dëme të mëdha financiare për buxhetin e shtetit. Kjo procedurë është menaxhuar ligjërisht me dy VKM, gjë që implikon direkt Sali Berishën si kryeqeveritar. Ka qenë ai në krye të qeverisë që ka iniciuar një proces të nxituar privatizimi, i cili përveç dëmeve ekonomike rezultoi edhe i dështuar.

Në vitin 2012, ky proces privatizimi dështoi plotësisht dhe me mënyrën e keqmenaxhimit të situatës nga qeveria e atëhershme, vendi u katandis në mëshirën e proceseve të arbitrazhit. Qeveria ‘Berisha’ mban përgjegjësi për mos zbatimin të afateve kohore dhe ngritjen e komitetit të konsulencës dhe transparencës në kundërshtim të plotë me ligjin. Po kështu është vepruar edhe me ngritjen e komisioneve të tjera përkatëse. Është hyrë në këtë proces privatizimi pa u regjistruar si duhet ligjërisht pronat e OSSH-së. Janë ndryshuar rregullat e lojës në kundërshtim me ligjin, pasi është mbyllur procesi i dorëzimit të ofertave.
Është instaluar në mënyrë të paligjshme një proces negocimi, i cili ka hedhur poshtë specifikat kryesore teknike të vendosura nga qeveria. Ndryshimi i këtyre specifikave ka qenë me pasoja të rënda financiare për KESH-in dhe buxhetin e shtetit. Është rritur nëpërmjet negocimeve të paligjshme niveli i njohjes së borxhit të keq nga 4% në 14%. Kosto e këtij veprimi ishte 70 milionë dollarë në vit. Me VKM në mars 2009, u bë kalimi i aktiveve të OSSH dhe i pasiveve tek KESH-i duke favorizuar në kundërshtim me ligjin blerësin CEZ dhe disfavorizuar KESH dhe shtetin shqiptar me 70 milionë dollarë te tjera.

Kjo u justifikua me arsyen se bilanci i vitit 2008 i OSSH ishte me humbje dhe vlera e aseteve të OSSH kishte rënë. Duhet theksuar se kjo nuk qëndron, pasi bilanci i vitit 2008 të OSSH është verifikuar, pra është bërë i vlefshëm si dokument vetëm në qershor të vitit 2010 dhe në atë bilanc theksohet se gjendja financiare e kompanisë është e shëndetshme dhe me rritje të vlerës së aseteve.

Nuk kam dokumente në të cilat faktohet një rol aktiv dhe i drejtpërdrejtë i Shkëlzen Berishës në këtë proces. Besoj se mjafton roli i provuar i Saliut. Duhet të merren në pyetje persona të tjerë shqiptarë apo çekë për të mësuar të vërtetën rreth rolit te tij. Dyshime kam, por dokumente jo.

-Për shkak të deklaratave që ju keni bërë në media, djali i ish-kryeministrit Berisha ka ngritur një padi ndaj jush. Në çfarë faze ndodhet kjo çështje?

Shkëlzen Berisha po ushtron një presion qesharak me gjykatat e molepsura prej tij dhe babait të tij. Ka bërë deri më tani dy padi për shpifje kundra meje, ku në njërën prej tyre, paturpësisht kërkonte burgosjen time edhe pse ligji nuk e parashikon këtë.

Megjithëse unë brenda logjikës, moralit dhe ligjit kërkova ndërrimin e gjykatësit, gjykata ia caktoi këtë çështje një tropojani të denjë të klanit, i cili pa i lexuar fare provat e paraqitura nga unë, vendosi që gjykatësi, pjesëtar i klanit Berisha të mos ndërrohet. Kjo është pjesë e faturës që unë duhet te paguaj për drejtësinë që po kërkoj përkundër këtij klani kriminal.

-Shumë shpejt pritet të nisë reforma në drejtësi. Mendoni se me ngritjen e SPAK do zbardhet një herë e mirë kjo aferë?

Jam shprehur edhe më përpara se kjo punë nuk është punë organizimi, por punë fryme.

Duke parë emrat që përmendët për t’u zgjedhur në këto institucione, nuk jam shumë optimist.

Megjithatë, drejtësia si nocion zbret nga lart dhe nuk mund të ndrydhet sado të fuqishëm të jenë keqbërësit.  Të bësh drejtësi sot është detyrë dhe obligim para Zotit dhe para atdheut.

E them këtë i bindur pa rënë në pozitat e një demagogu. Sot është dita kur i vogli riçohet pa asnjë ngurrim të kërkojë drejtësi ndaj më të fortit. Njerëzit duhet të bëhen të vetëdijshëm se nuk duhet më të heshtin dhe të bashkëjetojnë me padrejtësinë. Kupa është mbushur dhe është momenti për të kontribuuar gjithsecili në vendosjen e drejtësisë/SOT

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...