Samiti i Triestes, Bushati: Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë me një ritëm më të shpejtë bashkëpunimi politik

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nga Samiti i Triestes deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor  duhet të vazhdojnë me një ritëm edhe më të shpejtë bashkëpunimi politik.

Më tej shefi i diplomocisë shqiptare tha se mbështetja e Komisionit Europian është e mirëseardhur, por dhe kjo sipas tij nuk mjafton.

“Nevojitet një shpirt më i madh politik në proces dhe një mbështetje shumë më e madhe financiare nga vetë Bashkimi Europian, por dhe institucione të tjera të financave ndërkombëtare”, tha Bushati.

Fjala e plotë e Bushatit

Samiti i Triestes është vazhdimësi e Samiteve të mëparshme. Në këtë kontekst, do të konkretizojë dy nisma. Fillimisht Traktatin e Transportit, i cili vjen pas Traktatit të Energjisë dhe pas disa sipërmarrjeve të vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian. Në këtë mënyrë, plotëson të gjithë mozaikun e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, duke përgatitur vendet tona për procesin e vështirë dhe sfidues të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Po kështu, përpjekja për krijimin e zonës rajonale ekonomike është një përpjekje për të stimuluar më tej bashkëpunimin në fushën tregtare, në fushën ekonomike ndërmjet vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të përballuar së bashku sfidat ekonomike që vijnë nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Të dy këto nisma duhen konsideruar si nisma ndihmuese të rrugës tonë të anëtarësimit në BE. Vetë thelbi i Procesit të Berlinit është për të nxitur më tej bashkëpunimin rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të përshpejtuar kësisoj perspektivën e anëtarësimit në familjen europiane. Nuk ka diskutim që në të shkuarën ka pasur diferenca të mëdha në mënyrën se si vende të ndryshme kanë qenë të përfaqësuara. Do të ketë disa seli dhe disa nisma. Është krejt normale që të ketë një shpërndarje gjeografike sa më të balancuar ndërmjet të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në planin politik, vetë Ballkani Perëndimor është në kushte më të mira seç ishte para 3-4 vitesh, aq më tepër kur 3 apo 4 vitet e shkuara, me mandatin e Komisionit Juncker kishte një lloj pesimizmi për sa i përket të ardhmes së procesit të zgjerimit. Sot nuk është thjesht momenti për të marrë në shqyrtim Procesin e Berlinit dhe efektivitetin e tij, por për të punuar së bashku me institucionet e Bashkimit Europian për të zbatuar ato projekte për të cilat ne kemi rënë dakord në letër, të cilat do të sillnin një ndryshim pozitiv dhe një perspektivë edhe më të prekshme ekonomike, politike për qytetarët tanë.

Shqipëria është pjesë e kësaj nisme. Natyrisht, nuk ka qëndrime të njëanshme. Këto janë qëndrime të konsultuara. Ka një propozim që Samiti vitin e ardhshëm të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar. Ka një propozim gjithashtu se kush mund të jetë vendi që mund ta mikpresë Samitin pas Mbretërisë së Bashkuar. Mendoj që, për ne, interes parësor duhet të përbëjë ecuria e zbatimit të projekteve për të cilat ne kemi rënë dakord në letër. E kam fjalën për projektet e ndërlidhshmërisë në fushën e infrastrukturës, që do ta bënin rajonin një rajon në kuptimin e vërtetë të fjalës, për projektet në fushën energjetike, për linjat e transmisionit, për autostradat energjetike dhe për transportin hekurudhor. Natyrisht duhet të vazhdojmë me një ritëm edhe më të shpejtë bashkëpunimi politik dhe për çështje që kanë lidhje me lëvizshmërinë e njerëzve në Ballkanin Perëndimor.

Komisioni Europian është pjesë e këtij procesi. E mbështet procesin e Berlinit. Është armata teknike e vetë Bashkimit Europian, qoftë metodologjikisht, qoftë financiarisht, qoftë me kombinimin e projekteve të ndryshme, apo të fondeve të ndryshme që janë në dispozicion të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por vlen të theksohet dhe të ribëhet apeli që kjo mbështetje financiare është e pamjaftueshme për të ushqyer ambiciet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, apo për të zvogëluar diferencat e mëdha që ekzistojnë me asaj që njihet ndryshe si mesatarja e vendeve të BE-së dhe mesatarja vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndaj, mbështetja e Komisionit Europian është e mirëseardhur, por nuk mjafton. Nevojitet një shpirt më i madh politik në proces dhe një mbështetje shumë më e madhe financiare nga vetë Bashkimi Europian, por dhe institucione të tjera të financave ndërkombëtare.  ​

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Samiti i Triestes, Bushati: Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojë me një ritëm më të shpejtë bashkëpunimi politik”

  1. i ZHGENJYER says:

    Z.Bushati:”U Mbarse Mali dhe Polli nje Mi”??????????????????
    Duket se “Endrren” Europjane po na e beni “Parajse” jUGOSSLLAVE TE RE, por me Ngjyra te Tjera….
    per c´fare Bashkepunimi Ekonomike na Flisni???Kete Bashkepunim e keni te Hapur prej Kohesh…kemi Damir Fazllicin qe na e solli Sali Berisha ne Kuvendin e Shqipetareve…kemi..kemi….dhe tani na u Kthyet ju po me syte nga Beogradi, ku nepermjete ketij Bashkepunimi ,ule Rolin e Shqipetareve ne Ballkane..i JEPE ROLE TE RENDESISHEM BEOGRADIT, shkurt na Kthyet ne “Lolo” te Beogradit….qe shkojne te Hapin Bisedimet pert te Hyre ne BE..
    1-Diplomacia Greke ishte ajo qe futi Greqine ne EU, sepse ajo as e Meritonte as i kishte Plotesuar Kushtet..pra Z.Bushati…se bashku me “Sportistin” Edi Ramen,shikoni te Intensifikoni MaRREDHENJET ME EU-ne..dhe jo me Jugosllavine, nuk jemi Kunder Projekteve te Bashkepunimit..por SERBET ASNJEHERE NUK HEQIN DORE NGA KOSOVA, athere perse u dashka te Kthehemi te VASALITETI JUGOSLLAV,por i Trajtuar nga nje “Ombrelle” gjoja Mbeshtetje Europjane??
    2-Shkurt Z.Bushati keni Deshtuar ne kete Pike…Shqiperia i meree Miljonat nga Gjermania, dhe jo nga Serbia..Serbia Kerkon perseri te na Sjelle Projektet e 1948-tes te Bashkimit Doganore dhe Monetare…ike se e keni Dhjere Fare…
    Ne Shqipetaret jemi te Mire , por le te na Tregojne Serbet se “Sa te mire” me Ne Shqipetaret jane….DUKET SE ATE QE NUK E BENE ME Lufte po e bejne me Diplomaci Teorish,dhe Praktikisht na Cone Po ne Republike te re Jugosslave… Shkurt :TURP..Turpe:::Per keto Pelivanlleqe, jua Dhame VOTEN????????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *