A po na bën Google të gjithëdijshëm? Iluzioni që ka ushqyer arrogancën tonë

19 Korrik 2017, 20:39Hi-Tech TEMA

Interneti mund të na krijojë iluzionin e dijes, duke na bërë të mendojmë se jemi më të zgjuar e më të ditur, nga sa jemi në të vërtetë. Fatmirësisht, mund të ketë një kurë për arrogancën tonë

Nga Tom Stafford

Interneti ka një reputacion si strehë e të gjithëdijshmëve. Komentuesit e artikujve, blogger-at, madje edhe miqtë e dikurshëm të shkollës në Facebook, të gjithë mburren sikur dinë me saktësi se si funksionon bota (dhe ata mezi presin të ndajnë këtë kuptim që kanë për botën, me këdo që është i gatshëm t’i dëgjojë). Tani, kërkimet më të fundit zbulojnë se thjeshtë të paturit qasje në informacionin botëror, mund të të shkaktojë iluzionin e vetëbesimit të tepruar në diturinë tënde. Fatmirësisht, studimet ofrojnë gjithashtu ide se si të korrigjohet ky vetëbesim i tepruar.

Në mënyrë më specifike, ne shohim mënyrat se si Interneti ndikon në mënyrën tonë të të menduarit mbi ato që dijmë, një temë që psikologët e quajnë gabimi metakonjitiv. Kur e di se po mburresh, ti po tregohesh i pandershëm, por në fakt nuk është se ke bërë ndonjë gabim në vlerësimin e aftësisë tënde. Nëse beson sinqerisht se di më shumë nga sa di realisht, atëherë ke bërë një gabim. Kërkimet sugjerojnë se iluzioni i të kuptuarit mund të ketë qenë tejet i zakonshëm, dhe se ky gabim metakonjitiv po shfaqet në mënyra të reja, në epokën tonë të Internetit.

Në një dokument të botuar rishtaz, Matt Fisher i Universitetit të Yale, merr në shqyrtim një mënyrë të veçantë të menduari, që njihet si kujtesa transaktive, që është ideja se ne mbështetemi tek njerëz të tjerë dhe pjesë të tjera të botës – libra, objekte – që të kujtojnë gjërat për ne. Nëse të ka ndodhur ndonjëherë që të kesh lënë diçka që të duhej për punë, pranë derës një natë më parë, atëherë ke përdorur kujtesën transaktive.

Pjesë e këtij fenomeni është tendenca për ngatërruar atë që dimë në të vërtetë në kujtimet tona personale, me ato gjëra ku kemi qasje të kollajtë, dijen që është e gatshme për t’u përftuar në botë, ose të cilën e njohim, por pa patur një kuptim të thellë të saj. Mund të ndiejmë sikur e kuptojmë si funksionon një makinë, kur në fakt ne dimë vetëm se si ta bëjmë të punojë. Unë shtyp gazin dhe ajo ecën përpara, ndërkohë që neglizhojmë të kuptuarit se si ndodh në të vërtetë që ajo ecën përpara.

Fisheri dhe kolegët e tij ishin të interesuar mbi mënyrën se si kjo tendencë ndikon në epokën e internetit. Ata u kërkuan njerëzve të ndryshëm që të jepnin përgjigje ndaj pyetjeve faktike, si për shembull “Përse ka zona orare?” Gjysma e pjesëmarrësve u udhëzua që të shihnin përgjigjet në Internet. Më pas, të gjithë pjesëmarrësve iu kërkua që të shpjegonin, plot besim, përgjigjet për një seri të dytë pyetjesh (të ndara, por edhe këto faktike, si përshembull “Përse netët me re janë më të ngrohta?”, ose “i bëhen vreshtat?”). Ata që sapo kishin kërkuar në Internet për informacion, ishin dukshëm më me vetëbesim për të kuptuarit e serisë së dytë të pyetjeve. Studimet e mëvonshëm konfirmuan se këta njerëz vërtetë mendonin se njohuria ishte e tyrja: ata kishin edhe më shumë vetëbesim, kur u kërkohej që të vendosnin përgjigjen e tyre në një shkallë që tregonte nivelet e ndryshëm të të kuptuarit me fotografi të skanimeve të veprimtarisë së trurit (një lëvizje që duhej të theksonte se informacioni ishte aty, brenda kokës së tyre).

Efekti i vetëbesimit vazhdonte edhe kur grupit të kontrollit i jepeshin materiale të përgjigjeve ndërsa grupi që bënte kërkime në internet, u udhëzua që të kërkonte një faqe interneti, e cila përmbante përgjigjen e saktë. Kishte diçka në kërkimin e informacionit në Internet, e cila krijonte iluzionin se njohuria ishte brenda kokës së pjesëmarrësve.

Nëse ndjesia e kontrollit të informacionit shkakton vetëbesim të tepruar në diturinë tënde, mund të duket sikur Interneti është një motorr që po na shndërron të gjithëve në njerëz të cekët. Fatmirësisht, një tjetër studim, edhe ai i botuar këtë vit, ofron një kurë të pjesshme.

Amanda Ferguson e Universitetit të Torontos dhe kolegët e saj kryen një studim të ngjashëm, por “së prapthi”; ata u kërkuan pjesëmarrësve që të ofronin fillimisht përgjigjet, dhe nëse nuk i dinin, të kërkonin më pas në Internet për informacionin e saktë. Njerëzit me qasje në Internet ishin në fakt më pak të prirur që të jepnin përgjigje menjëherë, se sa njerëzit pa qasje në internet. Për këta, qasja në internet i bëri të mbyllin gojën, në vend që t’i nxiste të pretendonin se i dinin të gjitha. Duke parë më nga afër përgjigjet e tyre, duket se efekti nuk ishte thjeshtë që kontrolli i fakteve kishte dëmtuar vetëbesimin e tyre. Ata që e dinin se më pas do të hynin në internet për të parë përgjigjen e duhur, nuk raportuan se ishin me më pak vetëbesim brenda tyre, megjithatë ata kishin më pak gjasa që të ndanin informacionin dhe të mburreshin me njohuritë e tyre.

Kështu, vendosja e njerëzve në pozicione ku faktet mund të kontrollohen, i bën ata më të matur në pretendimet e tyre fillestare. Një mësim që mund të nxirret nga kjo është që, një mënyrë për t’iu kundërvënë një njeriu që pretendon të jetë i gjithëdijshëm, është t’i bësh të kuptojë se do të verifikohet nëse ka të drejtë apo jo. Kjo mund të mos i ndalë që të kërkojnë një përgjigje të gjatë në Internet, por do i ngadalësojë, dhe do ua zbehë ndjesinë që, vetëm se Interneti ka një informacion, atëherë i bie që ta kenë edhe ata.

Pyetet shpesh nëse Interneti po ndryshon mënyrën se si ne mendojmë. Sipas kërkimit, përgjigja është që Interneti po fuqizon më shumë mënyrën se si ne kemi menduar gjithmonë. Ai mund të jetë njëkohësisht një shkak vetëbesimi të tepruar, kur ne gabojmë kufirin mes asaj që dimë dhe asaj që është e disponueshme në Internet, dhe mund të jetë një burim pasigurie, kur ne parashohim që do të kontrollohen, përmes internetit, ato që ne themi. Prirja jonë për të mbivlerësuar atë që dijmë, për të përdorur informacionin e disponueshëm si zëvendësues për njohuritë tona, si dhe për t’u shqetësuar se mos kontrollohen ato që themi, jaë të gjitha konstante të mënyrës si ne mendojmë. Interneti ndërfutet në këtë ekosistem të njohurive, prej të cilit zhvillohen forma të reja të pafundme.

BBC – Bota.al

1 komente në “A po na bën Google të gjithëdijshëm? Iluzioni që ka ushqyer arrogancën tonë”

  1. Steelstrike says:

    Interneti eshte per ata qe dine ta perdorin dhe dine se c’fare kerkojne e lexojne. Ai nuk eshte per idiote facebook-u. Eshte njelloj si nje librari gjigande, e cila ka opsione te pafundme per inteligjencen e njeriut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje