"Forbes": Shqipëria destinacioni turistik më i lirë i botës për 2017-tën

19 Korrik 2017, 15:37Turizëm TEMA

Revista Forbes e rendit Shqipërinë si destinacionin më të lirë të botës për 2017-tën. Vendin tonë, revista e njohur e cilëson si më të përballueshmin në të gjitha zonat ku mbërrin dollari, nga Vietnami  deri në Las Vegas.

Në këtë cep të harruar të Europës, aty ku jo çdo kush shkon, mund të gjesh akomodim deri në 5 dollarë personi, thuhet në artikull. Duke vendosur si pamje ilustruese një foto nga Saranda, ai sugjeron pa ngurrim jugun e Shqipërisë dhe rivierën shqiptare për të gjithë udhëtarët e këtij viti, raporton tch.

Me plazhe fantastike përgjatë bregdetit të saj, përfshirë portin e Sarandës, Shqipëria u ofron vizitorëve shansin të shijojnë ujërat e Mesdheut për një fraksion të çmimit të zakonshëm, thotë Forbes që përmend gjithashtu zonat e mrekullueshme historike, ku hyrja është ose falas, ose kushton nga 2 deri në 5 dollarë.

Nga qyteti mesjetar i Gjirokastrës tek rrënojat e Butrintit, do të gjeni një pamje shumë të ndryshme të Europës, të cilën ia vlen ta vizitosh përpara se të dynden të gjithë, është këshilla e revistës.

Ky vlerësim vjen në kohën kur vendi është në kulmin e sezonit të tij turistik e me mijëra turistë kanë vërshuar në brigjet e Adriatikut e të Jonit, ndërsa nuk mungojnë dhe të huajt që preferojnë malin e destinacionet e aventurës, së bashku me zonat e trashëgimisë kulturore.

Edhe një raport i fundit i Eurostat, zyra e statistikave të BE-së, i klasifikon restorantet dhe hotelet shqiptare si më të lirat në Europë, krahasuar sigurisht me standardet e vendeve të tjera të kontinentit të vjetër.

Shqipëria ka marrë më herët edhe vlerëismin  e CNN si një prej 17 destinacioneve globale që nuk duhen humbur në 2017-tën, në një kohë kur lista përfshin edhe vendet e tjera të njohura si SHBA, Kanada, Francë, Danimarkë dhe Australi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje