Ja si do ta ringrejmë Partinë Demokratike

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Astrit Patozi*

Të nderuar miq, të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike, që na ndiqni nga Tirana dhe nga e gjithë Shqipëria.
Ju faleminderit me shumë mirënjohje për mbështetjen dhe inkurajimin. Gjithë sa po themi dhe po bëjmë ka vetëm një qëllim, mbajtjen bashkuar dhe ringritjen e shpejtë të Partisë Demokratike, për ta rikthyer atë në lavdinë dhe suksesin e kohërave të vjetra.

Kjo nuk është lëvizje politikanësh, por e shumicës së demokratëve të goditur fort nga humbja e rëndë e 25 qershorit dhe sidomos nga trajtimi i saj prej kryetarit të vetëngrirë të PD. Ne thjesht ndoqëm instiktin dhe ndjeshmërinë e lënduar të tyre për të ardhur deri këtu.

Kjo nuk është një çështje pushteti, sepse askush prej nesh nuk e lidh këtë kauzë të madhe me emrin e vet, dhe gjithkush prej nesh është i gatshëm të marrë çdo vendim në funksion të qëllimit tonë të vetëm. Duke filluar që nga unë i pari.

Por ndërkohë që të gjithë jemi të bindur se i vetmi shans që Partia Demokratike ta kapërcejë krizën është një proces reflektimi për humbjen katastrofike dhe përmes një konkurrimi të drejtë dhe të barabartë, ku demokratët të vendosin lirisht alternativën më të mirë.

Ne nuk e pranojmë dot ngutin e Lulzim Bashës për ta mbyllur me një farsë atë, që duhet të ishte gara më korrekte në historinë, jo vetëm të Partisë Demokratike, por të mbarë politikës shqiptare, që kur u vendos pluralizmi në vitin 1990. Sepse të tillë e kemi sikletin, për shkak të tij.

Ne gjithashtu e kemi të pamundur të pajtohemi me faktin që në partinë tonë nuk mbahet më as formalisht përgjegjësi për rezultatin zhgënjyes dhe dramatik të zgjedhjeve. Dhe pyetja është çfarë ka ndodhur me këtë parti, që 4 vjet më parë, kryetari (Sali Berisha) nuk ia lejoi vetes të qëndronte më në postin e vet, ndërkohë që sot pasardhësi i tij, pas një humbjeje shumë më të thellë, jo vetëm nuk jep dorëheqjen, por kërkon edhe një mandat tjetër?
Të dashur demokratë dhe demokrate,

Ka një diferencë të madhe midis nesh. Ne duam që të ndreqim PD-në e drobitur nga rezultati dhe drejtimi i keq, që kjo pastaj të bëjë ç’të dojë me kryetarin. Lulzim Basha kërkon që ne të mbarojmë punë një herë me kryetarin, që ky i fundit më pas të bëjë ç’të dojë me PD-në. Me pak fjalë, ne këtu jemi partia, që duam të zgjedhim kryetarin, ndërsa ai është kryetari, që do të zgjedhë partinë. Ajo e para që kërkojmë ne, quhet forcë politike, ndërsa kjo e dyta, është në të gjitha rastet ndërmarrje biznesi me një pronar të vetëm. Ne jemi kategorikisht kundër saj.

Por nuk është vetëm kjo që na dallon. Gjatë këtyre ditëve na kanë quajtur, jo pa qëllim, si kundërshtarë të Lulzim Bashës. Madje na kanë vërsulur në shpinë edhe sharëse me dhe pa pagesë. Nuk ka problem, unë për vete i kam falur, por kjo nuk është e vërtetë. Të gjithë ne këtu kemi vetëm një kundërshtar, ky është Edi Rama. I cili a del e na tepron. Lulzim Basha është njeri prej nesh, me të cilin jemi gati të punojmë, siç kemi bërë edhe në të shkuarën. Por e kemi pasur kryetar dhe jo mbret, që të vendosë i vetëm për gjithçka dhe të mos i japë kujt llogari.

Ne kërkojmë një PD të bashkuar, ku ka vend për Lulzim Bashën dhe këdo që mendon si ai, ndërsa atij i duhet një PD, jo vetëm pa ne, por mbi të gjitha pa 200 mijë demokratët, që munguan në apelin e 25 qershorit, madje edhe për të tjerë, që mund të përzihen apo largohen nga pështirosja. Ne nuk mund ta kemi kurrë këtë luks, ndaj edhe deviza jonë ka qenë dhe mbetet “Askënd për të humbur, gjithëkënd për të fituar”.

Po pse humbëm ne kaq thellë më 25 qershor? Është e vërtetë se rezultati dëshpërues, që ne morëm u ndikua fort nga marrëveshja e gabuar, nga lista e gabuar, por edhe nga fushata e gabuar e Lulzim Bashës. Është gjithashtu e vërtetë që ato nuk ishin zgjedhje të mira, sepse kundërshtari na i vodhi, mbase edhe na i bleu votat. Por të mos harrojmë që kjo u bë me marrëveshje, të pashkruar natyrisht, dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. Sepse për herë të parë në historinë e saj 27 vjecare, Partia Demokratike, nuk pati asnjë dalje në selinë e saj për ditën e zgjedhjeve, ndërkohë që kemi pasur dhjetëra të tilla edhe kur ishin vetë në pushtet për të denoncuar kundërshtarin.
Por edhe pse Lulzim Basha bëri gjithcka mbrapsht, që nga dita e futjes në çadër, e deri sa u gdhi 25 qershori, prapaseprapë është e padrejtë të thuhet se humbja jonë katastrofike u ngjiz dhe erdhi në jetë vetëm në tre muajt e fundit. Ajo është gatuar ditë pas dite, për katër vjet me radhë. Sinjalin më të fortë e morëm dy vjet me parë, por ne e injoruam, sepse i thamë humbjes fitore në zgjedhjet lokale. Ndaj jo rastësisht mbërritëm këtu.

Që pas 22 korrikut të vitit 2013 ne nuk arritëm në asnjë ditë të ngjallnim frymëzim dhe të bënim diferencën me Partinë Socialiste dhe të tjerët. Kryetari ynë u kujdes gjithë kohës, përmes një lidershipi apatik, që në finale Partia Demokratike të perceptohej si e keqja më e vogël, por kur fushata po afrohej, as ky objektiv tmerrësisht i ulët nuk ishte arritur. Dhe le ta themi me zë të lartë, që kurrë dhe në asnjë rrethanë një opozitë nuk i fiton zgjedhjet si i keqja më e vogël, ndaj edhe ne ishim pothuajse të pashpresë më 18 shkurt, kur Lulzim Basha vendosi të hapë çadrën, jo për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por për të shpëtuar lëkurën e tij.

Por kjo nuk është më e rënda. Më e keqja është se si po sillemi ne pas humbjes. Po e konsiderojmë gati sikur kjo që na ndodhi, por edhe kryetarin, i kemi “dhuratë” prej Zotit. Njësoj si fatkeqësitë natyrore, tërmeti, vullkani, përmbytja etj, të cilave duhet t’u bindesh, se nuk ke zgjidhje tjetër.

Kjo është e papranueshme, sepse ne mendojmë që njeriu gabon, dhe njeriu ndreq. Por jo i njëjti njeri, sepse nuk mund të jetë askush njëkohësisht, edhe xhelati, edhe viktima, edhe engjëlli, edhe djalli, edhe shiu, edhe dielli. Kjo është ligjësi jo vetëm e politikës, por sidomos e politikës, ku çdo gabim kushton e pakta një katërvjeçar. Të cilat në rastin tonë janë e energji, sakrifica dhe interesa të qindra mijëra anëtarëve të Partisë Demokratike, aksionerët legjitimë, por të nëpërkëmbur të forcës sonë politike.

Të nderuar miq,

Ne nuk mund t’u premtojmë kurrë njerëzve një Shqipëri më të mirë, me një PD përherë e më të dobët e më jodemokratike, edhe sikur njerëzit të çmendeshin e të na votonin një ditë, vetëm nga inati i qeverisë. Të gjithë ne këtu e dimë se kjo është një ëndërr, por edhe sikur ta mendonim për një cast se do të bëhej zhgjëndërr. Ne nuk mund të shpresojmë asnjëherë që kundërshtari ynë i fortë politik të na dhurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, për sa kohë që ne nuk i zhvillojmë ato të tilla në shtëpinë tonë.

Është e tmerrshme ta thuash, por po provohet që jemi shumë më të egër dhe më intolerantë me garën brenda nesh, sesa vetëm një muaj më parë, kur kishim përballë Partinë Socialiste dhe LSI-në. Çfarë kërkuam ne për të pasur një garë normale, që u refuzua me aq brutalitet? Pak më shumë kohë për analizë dhe fushatë, status të barabartë të kandidatëve dhe akses të njëjtë tek lista e anëtarësisë.

Do të mbetet njollë e zezë dhe gjëja më e pashpjegueshme për gjithëkënd në Shqipëri, se si edhe sot, që po flasim, ne e kemi sekrete listën, dmth atë e ka vetëm Lulzim Basha, a thua se jemi parti ilegale. Ndërkohë, që anëtarët e Partisë Demokratike kanë qenë, janë dhe do të mbeten gjithmonë krenarë për zgjedhjen dhe vendimin e tyre. Dhe se ata nuk kanë asgjë për të fshehur.

A ka ndonjë mendje normale që të besojë se një parti që hedh në plehra statutin e vet, nesër në pushtet apo opozitë do të ketë respekt për ligjin dhe kushtetutë? Unë mendoj se jo.

Atëherë cili është modeli që ne u ofrojmë shqiptarëve, mirë se për anëtarët e Partisë Demokratike, nuk pyeskemi fare, me keqkuptimin se nuk kanë nga shkojnë? Ja pra që paskan, nuk dilkan fare në zgjedhje, si ata 200 mijët, që ndenjën më mirë në shtëpi, se sa të votonin për Republikën e Re.

Kam frikë se nëse asgjë nuk do të ndryshojë deri nesër, ne do të rrëshqasim edhe më shumë në honet e një autokracie lilipute, që nuk do t’i vlejë më askujt. Lulzim Bashës, të parit. Nëse do ta trajtojmë 22 korrikun si një ditë të zakonshme, ku nuk dihet kush voton, për kë voton, dhe sa votojnë, sepse rëndësi ka sa shënohen, ne rrezikojmë të shndërrohemi në partinë më problematike në Shqipëri, dhe kjo është e dhimbshme për secilin prej nesh.
Ne po i largohemi përherë e më shumë vlerave perëndimore, të cilat frymëzuan krijimin e Partisë Demokratike dhe përcaktuan linjën dhe fatin e saj. Kjo që po ndodh tek ne sot nuk ka asnjë lidhje me Europën, por është politikë shumë e vjetër ballkanike, në versionin më të keq shqiptar.

Por sërish them se nuk duhet të jemi të pashpresë. Gjithkush prej nesh këtu dhe qindra mijëra të tjerë në çdo cep të Shqipërisë e kanë një rol për të luajtur dhe një mundësi për ta ndihmuar Partinë Demokratike. Në takimin me demokratët e Durrësit ne shpallëm një maket platforme, se si e mendojmë të ardhmen e forcës sonë politike, që ajo të rimëkëmbet shpejt dhe të bëhet gati të fitojë që në përplasjen e parë me Partinë Socialiste. Ai nuk është një projekt i mbyllur, në ecje e sipër ishte hartuar, ndaj jemi të hapur që të pasurohet me kontributin e gjithësecilit, madje edhe të vetë Lulzim Bashës.

Dorëheqja e kryetarit të rast humbjeje, konsiderimi i statutit si libër i shenjtë, kriteret e forta të përfaqësimit politik në cdo nivel, kalimi i vendimmarrjes, nga e personalizuar, në kolegjiale, shndërrimi i PD në një pol lirie për të djathtën shqiptare dhe në tempullin e opozitës, rikthim tek tradita, historia, simbolet dhe shenjat tona dalluese, ishin vetëm disa prej çështjeve të rëndësishme, që ne duhet të zgjidhim në të ardhmen. Dhe ju të gjithë e dini, që jo vetëm nuk u përfillëm, por ne nuk u lejuam as të ishim pjesë e konkurrimit, vetëm sepse Lulzim Bashës nuk i pret puna.
Ndaj për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera si këto, ka vetëm një mundësi që Partia Demokratike të dalë nga kjo spirale e rrezikshme, ku është futur për shkak të ambicies së pafre të Lulzim Bashës për t’u kacavjerrë pas karrikes së kryetarit: Të ndalet kjo farsë dhe të hapet gara.

Lulzim, ke ende disa orë kohë që t’ia kursesh demokratëve një traumë tjetër, ndoshta më të rëndë se 25 qershori. Ia ka borxh Partisë Demokratike. Të gjithë ne i detyrohemi asaj, por në ka një njeri që është deri në fyt me të, ai je ti. Nuk ka nevojë t’i rendis të gjitha tani.

Ti nuk ngjite, nuk shkrepe dhe as nuk çele asnjë ditë. Dhe, sipas meje, nuk ka asnjë shans që të rilindësh ndonjëherë për ta udhëhequr PD drejt fitores. Por nëse e mendon vërtetë ndryshe dhe nuk shtiresh, lëri demokratët ta vendosin këtë gjë përmes një gare të drejtë. Se mbase mund ta kemi ne gabim.

Përndryshe, do të hysh në histori si politikani më famëkeq i postkomunizmit në Shqipëri, i cili u kujdes fort që, për shkak të paaftësisë dhe dashakeqësisë së tij, të shkatërrojë në shumë pak kohë partinë, që përmbysi dikaturën dhe hodhi bazat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këtë vend. Historia nuk do ta falë kurrë, ndaj për të fundit herë, mos hyr në atë derë o trim!

Ndërsa ti Eduard, bëji (S)selam Bashës, sepse jeni çift i palumtur dhe i martuar me shkuesi në këtë farsë të neveritshme të zgjedhjeve të brendshme në PD. Natyrisht, asgjë personale me ty. Çoje deri në fund këtë shërbim të shëmtuar dhe pastaj të këshilloj të kthehesh andej nga ke ardhur, sepse këtu nuk i duhesh më as dreqit. Demokratëve jo e jo.

Por ftesën kryesore dhe atë më të rëndësishëm e kam për qindra e mijëra demokratët në gjithë Shqipërinë, të cilëve humbja dërrmuese e Lulzim Bashës dhe fitorja e pamerituar e Edi Ramës u ka ulur padrejtësisht kokën. Injorojeni dhe refuzojeni farsën e 22 korrikut! Ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj maskarade, që synon rrëmbimin në mes të ditës së mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike. Këto nuk janë zgjedhjet tona. Kjo nuk e zgjidh problemin e forcës sonë politike, por thjesht hallin e Lulzim Bashës.

Jo farsa, por gara e drejtë do të ishte shërimi dhe shpëtimi i Partisë Demokratike. Nëse Lulzim Basha është i vendosur t’ia cojë thikën deri në fund kësaj partie, ai do të marrë edhe të gjithë faturën dhe të gjithë përgjegjësinë. Por i bindur të jetë ai dhe kushdo tjetër se, nëse 22 korriku nuk do të ndalet, asgjë nuk do të jetë më si më parë.
Kjo lëvizje nuk lindi nga asgjëja dhe nuk mund të shkojë drejt hiçit. Nëse do të perifrazoja Migjenin dhe jo Qemal Stafën, ne do të mbetemi si gozhdë e ngulur në tru të demokratëve, që e duan të madhe, të bashkuar dhe të fortë Partinë Demokratike. Por jo vetëm të atyre. Edhe tek çdo shqiptar që beson tek liria, demokracia, shenjtëria e votës dhe tek ata që kanë ende shpresë se ky vend mund të ndryshojë për mirë. Duke shëruar Partinë Demokratike, ne synojmë të krijojmë një model emancipues për gjithë politikën shqiptare, ndaj edhe ky është dhe duhet të jetë një projekt kombëtar.

Kam bindje e thellë se bashkë mund t’ia dalim.

*Fjala në takimin me demokratët e Tiranës në sallën e Akademisë së Arteve

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

11 komente në “Ja si do ta ringrejmë Partinë Demokratike”

  1. apapapa says:

    z. Patozi, pavaresisht se ti mund te kesh shume te drejte ne kete pike, problemi eshte qe fakti qe ju i mbyllet syte para poshtersive te S. Berishes per 27 vjet, ju heq cdo te drejte morale te flisni per zgjedhje te ndershme brenda partise. Ju qe mbyllet syte per cdo manipulim, vjedhje, vrajse, bastisje, etj te kryera me urdher dhe bekimin e kryetarit tuaj legjendar, nuk mundet tani te berrtisni per drejtesi, virtyte, dhe vlera. Ju thjesht po korrni ate qe keni mbjelle, prandaj nuk na vjen keq qe PD eshte katandisur ne kete pike.

    Lulushi eshte nje kukull (shume e shemtuar) e Berishes, keshtu qe luften e beni kot me Lulin. Dilni hapur kunder Berishes! Jua mban? Luli nuk mund te bente asgje pa bekimin e Berishes, keshtu qe nuk e kuptoj per cfare po llapni ne kete pike? Por ju zoterinj keni qene pjesemarres ne krim per 27 vjet, prandaj tani hani mjalt kot. Pranoni te gjithe te zezat qe i keni bere ketij populli per 27 vjet ose mbajeni gojen mbyllur! Nuk keni tager tani te flisni per drejtesi!

  2. Don says:

    O Patos, po PD.ja ska patur asnjehere kohera te lavdishme nen udheheqjen e Saliut. Ka patur vetem kohe te erreta ku cdokush qe ngrinte zerin per demokracine e brendeshme ne PD u eleminua ne menyre misterioze. Doktori ua gjente diagnozen dhe i dergonte ne boten e pertejme.
    Pastaj te thuash te drejten ti Patos nuk ke takat te jesh lider i PD. Je pakez i leshte.

  3. mali says:

    ky eshte me karabush se basha; lehin gjoja sikur njeri eshte me parimor se tjetri, apo njeri eshte me objektiv se tjetri; medemek, edi rama u ka vjedhur keture hajduteve te sofistikur zgjedhjet.

    te dy jane si qen rrugesh – njerin (pallozin) e ka perzeni i zoti, tjetrin (lulishin) i zoti e mban me litar por ben gjoja sikur edhe ai eshte qen rruge pa litar dhe leh si ti doje qejfi.

  4. Arber I says:

    Ne Shqiperi duhet te ngrihet “Partia Republikane e Re”; mos i kruani briret me perbindeshin Sali Berisha.

  5. MONIKA says:

    DO E RINGRENI DUKE VENE PERSEI KRIMINELIN BERISHA NE KRYE HAHAHA.TE GJITHE JENI MINJ TE PWERLYER NE KRIM DHE ASNJE NUK GUXON TE VERE GHISHTIN NE PLAGE…BERISHA BERISHA BERISHA PO JU SHKEL ME KEMBE DHE JU TE GJITHE JENI PUNNJESIT VE SHPK SE TIJ, JU E MBRONI KETE KRIMINEL DHE FAMILJEN E TIJ NGA NDESHKIMI. SHKO E BEJ SHURREM TANI.

  6. niki says:

    Nese nuk perdoret sinqeriteti zoteri, qofte me te shkuaren e partise tuaj (duke vendosur me shpatulla ne mur Sali Berishen,perTE KEQEN QE ISOLLI DEMOKRACISE)qofte me kundershtarin EDI RAMA( qe ti jepet ajo qe i takon e jo te shpifet,per te kenaqur njerezit e juaj dhe mbuluar gabimet tuaja, atehere eshte e kote ju nuk do te terhiqni kurre elektorain e levizshem dhe nuk do te afrohen kurre intelektualet e ndershem.

  7. Irfan guri says:

    Irskral
    Tirr e tirr o Astrit!
    Pirth o Pirth o Astrit!
    Boll i re canges per unitetin e P. D.!
    Boll e tunde flamurin e rreckosur blu me portetin e mostres Sali.
    Llafosu me Ramizin:”ai ta thote se ku e ka pikenisjen e shkatrrimit Pd”

  8. Tirana says:

    Edhe une jam 100 per qind me mendimet ruaja ,se PD ka mbarur ,pra ka vdekur si parti demokratike. Vetem per parime demokratike,tani kjo parti nuk mund te flasi. Eshte parti mashtruese, parti pa ideale . Idealet e saje eshte vetem familja e Sali berishes.por du t’u kujtoj thenien e popullit se : “Fjala te vret me shume se plumbi” E kjo qenkerka e vertet. Po gjithashtu e vertet eshte se edhe kur nuk flet , mos folja e sidomos ne kohen e duhur te vraka me shume. Edhe ju mos folja u ka vrare sepse njerezit nuk kane besim te JU. Fjalet e thena sot nga JU jane te verteta ,por ja qe ju kini vrare besimin ndaj jush ,sepse kini heshtur vite te tera ndaj poshtersive te Saliut e LUlzimit. Dua te perjashtoj pak ketu Jozefinen dhe Majlinden. JU zoti Patozi, Besniku, Ridvani jeni shume te vonuar. Besniku ka nje te mire se u largua nga Saliu,por heshti ,i mbajti per vete ,pra duke thene : ” Tw shpetoj une ,pa per te tjeret te behet qameti” Heshtja ka vrare besimin e vrasja e besimit qenkerka shume e rende………. Duhet berz i ri qe te dali kundra ideologjise se Sali Berishes. Pa denuar haptazi veprimtarine kriminale nga vet demokratet nuk ka rilindje te PD. Jeni drejte zhdukjes si parti. Ju falem nderit!

  9. Pall Ariu says:

    Kush ishte ai miop që përmendi termin “kohëra të lavdishme”… ?

    Të nderuar miq,
    Të nderuar patriotë shqiptarë,
    Të nderuar kundërshtare të paepur të Cetës AntiDemokratike, që na ndiqni nga Tirana, Athina, Roma, Berlini, Parisi, Londra, Vjena, Hamburgu, Zyrihu, NewYorku, Bostoni, Ottawa, Sidney, dhe nga e gjithë bota.

    Ju faleminderit për mosmirënjohjen, mosmbështetjen dhe mosinkurajimin. Gjithëçfarë sa keni thënë e keni bërë, ka patur vetëm një qëllim; shpartallimin dhe shpërbërjen sa më të shpejtë të Çetës AntiDemokratike, për mos t’i dhënë asaj më kurrë as edhe një shanc minimal të rikthehet e të na përdhosë akoma më keq Atdheun tonë të dashur, që na e lanë amanet gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.

    Kjo nuk është intrigë pardesybardhësh dygishtorë, por lëvizje e shumicës së demokratëve të vërtetë, të goditur fort nga inskenimi katovicaro-ramizalijan i dhjertorit të 1990-ës, dhe sidomos nga vënia në krye të saj e një komunisti ekstremisto-islamik të maskuar si antikomunist, dhe më pas të hijes së tij tashmë të vetëngrirë. Ju, për të ardhur deri këtu ku jemi sot ndoqët thjesht instiktin tuaj dhe ndjeshmërinë e lënduar prej tyre.

    Kjo sigurisht është çështje pushteti, sepse askush prej nesh nuk mund të rrijë duarkryq e gojëmbyllur kur shikon se si shkelen nëpër këmbë të drejtat kushtetuese të familjarëve, të afërmve, dhe bashkëkombasve tanë, dhe fati ynë e lidh këtë kauzë të madhe me emrin e vjedhur të një partie (PD) me traditë në politikën ndërkombëtare, dhe gjithkush prej nesh duhet të jetë i gatshëm të marrë çdo vendim në funksion të qëllimit tonë të vetëm. Duke filluar që nga brezi më i ri, dhe duke përfunduar deri ke brezi më i vjetër që ka plot 70 vjet që nuk e ka ndjerë akoma shijen e demokracisë moderne dhe të konsoliduar.

    vazhdon…

  10. fieraku NGA ferrasi says:

    Ca partie do ringreje ky?
    Mbathni opingat dhe majat nga thembrat
    Ishit ju dhe ATA perkrahesit tuj qe nga inati Lulit nuk votuat PD.
    Tani Sic jeni grup me bregoren ne krye ngrini nje parti te re
    Se aty skeni vend.

  11. fieraku NGA ferrasi says:

    Mero ke harru komentin Tim
    As shiku YT patoxi nuk te doli krah
    Ty kur duhej te dilte
    Kur u bere hasem me saliun.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *