STATISTIKA/ Zgjedhjet ngadalësuan ritmet: 6-mujori 2017 të ardhurat u rritën me 7.1%

21 Korrik 2017, 16:24Ekonomia TEMA

Të ardhurat në buxhetin e shtetit kanë ruajtur trendin rritës në pjesën e parë të 2017 duke regjistruar vlerën prej 212 miliardë lekësh për periudhën janar-qershor. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kemi një rritje me 14 miliardë lekë, ose 7.1%, sipas tabelave të publikuara nga financat.

Në krahasim me pesëmujorin, kur zgjerimi vjetor ishte 7.6%, ritmet e rritjes janë ngadalësuar në qershor, periudhë kur u mbajtën dhe zgjedhjet e përgjithshme.

Kontributin kryesor në këtë rritje e ka dhënë zëri i të ardhurave nga tatimet e doganat, që u zgjerua me 9.6 miliardë lekë, apo 7.2%, për të arritur në 143 miliardë lekë.

Të ardhurat nga TVSH, që sjellin 31% të totalit në buxhet u rritën me 4.7%, në 66 miliardë lekë. Të arhdurat nga TVSH jan ëpërshpejtuar, ndryshe nga muajt e parë të vitit, kur ky zë ishte në disa raste negativ për TVSH-në e brendshme.

E ndryshme ka qenë sjella për tatim fitimin, që pas një rritjeje të shpejtë në muajt e parë të vitit, është ngadalësuar në 5.1% për 6 mujorin (vetëm 843 milionë lekë më shumë, kur për 3 mujorin, ky zë solli 3 miliardë lekë më shumë të ardhura në buxhet në raport me janar-mars 2016).

Ajo që bie në sy është “një kërcim” i zërit të taksave nacionale e të tjera që ka një rritje me 4 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë, apo me 25% për të arritur në 20 miliardë lekë.

Financat sqaruan se kjo rritje ka ardhur si efekt i procesit të rivlerësimit të zbatuar nga qeveria. Sipas ministrisë arkëtimet e të ardhurave nga rivlerësimi, që nga janari në maj janë rreth 3.6 miliard lekë, të raportuara në zërin e të ardhurave nga taksat nacionale e të tjera.

Të hyrat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë të vetmet që janë me rënie me bazë vjetore, me -2.5%, duke zbritur në 15.6 miliardë lekë.

Zëri i të ardhurave nga pushteti vendor ka shënuar nivelin 10.9 miliardë lekë, me një rritje 34.5 % krahasuar me një vit më parë. Taksa për biznesin e vogël rezulton të jetë e vetmja me ecuri negative duke qenë se qeveria ndërmori iniciativën për heqjen e saj ndërkohe që bilancin pozitiv e udhëheq zëri i taksave lokale me rritje 2.9 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Në këtë pikë taksa e infrastrukturës është edhe kontribuuesja kryesore ku vetëm bashkia e Tiranës rezulton me një rekord 1.3 miliardë lekë të arkëtuara.

Të ardhurat nga fondet speciale janë rritje me 8 për qind për janar-qershor 2017 krahasuar me 6-mujorin 2016.

Të ardhurat jotatimore rezultojnë me një rënie prej 973 milionë lekë ose 7.2% më pak se një vit më parë.

Plani dhe efekti zgjedhje

Treguesit fiskalë tregojnë për një panoramë optimiste të ekonomisë por dy janë elementët që bien në sy nga krahasimi i shifrave. Në raportin fakt dhe plan kemi një tejkalim të parashikimit por kjo duket se është më shumë meritë e sjelljes konservatore në planifikimin fillestar sesa i performancës. Së dyti efekti i zgjedhjeve duket se ka prekur edhe ecurinë e treguesve fiskalë. Ritmi i rritjes së të ardhurave në qershor 2017 është ngadalësuar edhe në raport me ritmin e përgjithshëm të 5-mujorit edhe në raport me ritmin e rritjes në periudhën janar-qershor 2016.

Në raport me planin, të ardhurat për janar-qershor 2017,  janë gati 14 miliardë lekë më shumë, por duhet theksuar se plani i 6 mujorit të parë 2017 ishte pothuajse i njëjtë me faktin e 6 mujorit 2016.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje