Basha është prova: Plaku i Vitit të Ri ekziston

22 Korrik 2017, 08:31Politika TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Rasti i Lulzim Bashës është natyrisht më ndryshe. Ai besoi në ekzistencën e Babagjyshit në ditë më të freskëta. Vapa nuk kishte nisur ende atëherë dhe për më tepër ishte natë dhe ai ndjehej i lodhur nga një lojë që e shihte që luhej, por habitej pse po e pranonin si lojtar. Në këmbim i prodhuan bindjen se mund të ishte i treti që fitonte kur ziheshin dy e më shumë të tjerë dhe se kishte shanse më të mëdha se kushdo tjetër që të ishte kryeministri i vendit në shtator. Ka gjasa që Basha të besojë ende tek figura që mrekullon fëmijët duke pritur vjeshtën më të freskët se vera në Tiranë. Dhe nuk para ka shans të bëjë ndryshe përveçse të presë.

Edhe Ramës i duhet të presë. Së paku në këtë verë, mbas fitores që ai vetë e kërkoi, por nuk e besoi se do t’i vinte në këtë përmasë, ka zgjedhur këtë formë publike për të pritur shtatorin e mandatit të dytë. Për momentin ka një qeveri të tijën që as nuk e mbledh dot dhe as nuk e shpërndan dot. Një qeveri që ka legjitimitet numerik, por nuk ka të njëjtin legjitimitet moral dhe politik, sa kohë që buron nga dy marrëveshje politike, një me Metën e një me Bashën, që me përfundimin e zgjedhjeve, janë shuar dhe tejkaluar. Në mënyrë paradoksale, të vetmit njerëz që mund të komandojë sot njeriu më i fuqishëm në vend, janë zyrtarët e lartë të administratës. Mes të cilëve ka plot që kanë vese pushteti, që janë shpërdorues pushteti, që kanë shtrydhur pushtet, siç ka dhe shumë të tjerë që janë njerëz normalë të një kohe anormale që kalon vendi. Ndaj këtyre – e ka përcaktuar dhe në programin e 100 ditëve të para – Rama ka nisur kryqëzatën e tij. Një betejë që e ka tërësisht të përcaktuar fituesin, humbësit dhe efektet anësore: zgjidhjen aty-këtu të halleve të ca hallexhinjve me fat dhe pak tallje me shtetin.

Me të gjitha gjasat një gjë e tillë është e përkohshme. Rama e di mirë se cilido shqiptar ka një dekalog të pafundëm problemesh, nga ato vëlla me vëlla e motër me motër për një gardh, tek ilaçi që nuk gjendet, gjykatësi që nuk dha vendim të drejtë, zysha që nuk vuri notën e duhur, dhëndri pa punë, fqinji që sheh vëngër e të tjerë e të tjerë; di edhe se i vetëm mund të ndryshojë shumë, por nuk mund të bëjë dot asgjë për të ndryshuar një mbas një dhe rast pas rasti çdo fat individi. E bëri dhe mund ta bëjë me Lulzim Bashën. Në fillim e bindi se ekziston Plaku i Vitit të Ri, pastaj vazhdon ta shohë si vjen rrotull nëpër Shqipëri përballë një grushti demokratësh, në përpjekje që t’i bindë dhe ata se figura që dashurojnë fëmijët është reale dhe ekziston vërtet. Dhe se herët a vonë, duke pritur tek oxhaku, do të vijnë dhe dhuratat e premtuara nga qielli.

2 komente në “Basha është prova: Plaku i Vitit të Ri ekziston”

  1. Grigor says:

    Lorenc
    Je vetëm një kopjac i keq. Nuk ta mban as ta mbrosh hapur dhe as ta shash hapur Ramen, dhe vjedh ide nga komentet e lexuesve duke i paraqitur si shkrime te tuat origjinale.
    Turp.
    Nuk ndryshon nga Topalli dhe Patozi qe janë shumë kriptikë kur vjen fjala për Berishën, por bëhen trima me Eduard Selamin sepse e dinë we nuk u vjen asnje keqe nga ai.
    Zorraxhinj ata, zorraxhi ti.

  2. Alban says:

    Nje nga shkrimet me te mira te lorencit. Si stili dhe permbajtja. Pergezime

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje