Flamurtari mbyll merkaton me Toungara

22 Korrik 2017, 12:53Sport TEMA

Quhet Aboubakar Ibrahima Toungara dhe është vula e merkatos verore të Flamurtarit.

Skuadra vlonjate ka siguruar shërbimet e sulmuesit 22-vjecar nga Mali, i cili kompleton edhe grupin në dispozicion të teknikut Shpëtim Duro. Toungara ka qenë pjesë e skuadrës përfaqësuese të 20-vjecarëve të Malit dhe në 2 sezonet e fundit ka luajtur në kampionatin maroken.

Futbollisti afrikan mund të luajë në krahun e djathtë apo të bëjë edhe sulmuesin e dytë, gjithsesi më parë i duhet të bindë trajnerin për një vend titullari te Flamurtari me punën e tij gjatë fazës përgatitore. Me të Flamurtari mbyll merkaton ku deri më tani meriton kurorën e skuadrës më aktive me plot 13 afrime, duke kujtuar se gjatë kësaj vere në skuadër janë afruar Ditmar Bicaj, Ardit Hoxhaj, Adis Nurkovic, Goran Siljanovski, Emiljano Musta, Muhamed Useini, Nildo Viktor Juffo, Lancinet Sidibe, Sekou Kamara, Artim Pollozhani dhe Lejdi Licaj.

Pasi realizoi me sukses misionin e sigurimit të një mbijetese të vështirë në fazën finale të kampionatit të kaluar, trajneri Shpëtim Duro nuk ka humbur kohë për të kompletuar grupin me të cilin do të përballojë kampionatin e ardhshëm me skuadrën që ka nisur tanimë përgatitjet me kryerjen e testeve mjekësore me futbollistët që do t’i nënshtrohen më pas një programi specifik stërvitor. Nisur dhe nga shpenzimet e merkatos Flamurtari konsiderohet si një ndër skuadrat që do të luftojë në zonën e lartë të renditjes, mision ku optimizëm vec merkatos ofron edhe eksperienca e trajnerit Shpëtim Duro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje