ANALIZA/ Tirana, qyteti që i hoqi 2,500 vota PS dhe 21 mijë PD

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Në të 11 lagjet e kryeqytetit shqiptar, mbi 60 mijë vetë vlerësohet se nuk kanë pranuar të votojnë në zgjedhjet e 25 qershorit në krahasim me vitin 2013, ndërsa ata që votuan, bojkotuan më së shumti Partinë Demokratike dhe në një masë të vogël Partinë Socialiste. Fshatrat patën pjesëmarrje shumë më të lartë se sa qyteti dhe i dhanë socialistëve fitore shumë më të thellë.

Partia Socialiste arriti të fitojë zgjedhjet e 25 qershorit në territorin e bashkisë aktuale Tiranë falë rezultatit shumë më të thellë në zonat e ish-komunave ku pjesëmarrja qe ndjeshëm më e lartë ndërkohë që votuesit e Tiranës qytet i dhanë më pak vota se sa katër vjet më parë. Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë se Socialistët morën në territorin e Bashkisë së re Tiranë rreth 3,500 vota më shumë nga sa kishin marrë katër vjet më parë, por në 13 ish-komunat përreth kryeqytetit, ata arritën të marrin rreth 6 mijë vota më shumë ndërsa në territorin e Tiranës qytet morën 2,500 vota më pak. Votat minus te socialistët janë një një qindarkë në krahasim me votat minus të demokratëve, ndërkohë që Lëvizja Socialiste për Integrim pësoi rritje të ndjeshme në të gjithë territorin e bashkisë së re, me rritje të konsiderueshme në ish-komunën Zall Herr si dhe në lagjet 11, 7 dhe 5 të kryeqytetit.

Lista e votuesve të Tiranës qytet u shtua me 36 mijë vetë përgjatë katër viteve të fundit por banorët e të 11 lagjeve të Tiranës hodhën më 25 qershor gati 27 mijë vota më pak se sa katër vjet më parë. Të dhënat e zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ato të vitit 2017 të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë se fitorja e Partisë Socialiste qe e thellë, por kjo fitore qe më shumë rezultat i braktisjes së opozitës nga elektorati se sa qe rrjedhojë e rritjes së mbështetjes për partinë në pushtet.

Në qytetin Tiranë të dielën 541 mijë shtetas patën të drejtën e votimit dhe nga këto afro 268 mijë ose 49 për qind votuan. Katër vjet më parë, numri i votuesve qe 297 mijë nga 505 mijë emra në listat e zgjedhësve ose 59 për qind. Një pjesë e madhe e shqiptarëve me të drejtë vote gjenden jashtë vendit dhe nuk kanë mundësi fizike të votojnë për shkak se Shqipëria nuk jep votim me postë apo votë elektronike në distancë. Numri i shqiptarëve që realisht janë në emigrim nuk dihet me saktësi dhe për rrjedhojë, shkalla reale e pjesëmarrjes në zgjedhje nuk është e mundur të dihet. Megjithatë, duke marrë parasysh se lista e votuesve është shtuar në Tiranë me 36 mijë vetë gjatë katër viteve të fundit dhe numri i votave ka rënë me gati 30 mijë, atëherë votat totale të munguara janë rreth 66 mijë. Aktualisht nuk është e mundur të dihet nëse këto janë realisht vota bojkoti apo janë vota të votuesve që kanë zgjedhur të emigrojnë përgjatë katër viteve të fundit. Zyrtarisht qeveria shqiptare dhe Instituti i Statistikave nuk pranojnë hipotezën që popullsia e Shqipërisë është në zvogëlim të vazhdueshëm si pasojë e emigrimit. Vlerësimet e INSTAT flasin për një rritje modeste të popullsisë por jo rënie në shkallë kombëtare si dhe rritje të konsiderueshme të popullsisë në qarkun Tiranë.

Partia Socialiste mori 134 mijë vota në zgjedhjet e 25 qershorit në të 11 lagjet që përbëjnë qytetin e Tiranës dhe që në zgjedhjet parlamentare llogariten si pjesë e Qarkut Tiranë. Kjo është afro 2600 vota më pak se sa socialistët kishin fituar në zgjedhjet e vitit 2013. Në anën tjetër, Partia Demokratike mori vetëm 74 mijë vota, nga gati 96 mijë që pati marrë në zgjedhjet e vitit 2013. Rënia e opozitës është në realitet më e madhe se sa kaq nëse marrim parasysh që në zgjedhjet e vitit 2013, një numër partish aleate të PD-së, si Partia Republikane, konkurruan si pjesë e një koalicioni dhe morën një numër të konsiderueshëm votash. Por e njëjta logjikë vlen edhe për Partinë Socialiste, të cilës i mungojnë votat e një morie partish të vogla që qenë aleate me të më 2013 dhe që nuk morën pjesë në zgjedhjet e 25 qershorit.

Lagjja me pjesëmarrjen më të ulët në zgjedhjet e së dielës qe njësia bashkiake 4, e cila përmbledh periferinë veri-lindore të Tiranës, zona nga “Medreseja” për te Shkolla e Bashkuar. Pjesëmarrja këtu qe 46 për qind nga 56 për qind që qe katër vjet më parë. Në vend të dytë për pjesëmarrje të ulët është njësia bashkiake numër 1, e cila shtrihet në pjesën jug-lindore të kryeqytetit dhe që përfshin zonën përreth Rrugës Ali Demi. Këtu, vetëm 20 mijë nga 41 mijë votuesit morën pjesë në votime me pjesëmarrje 49% nga 57% që pati qenë katër vjet më parë. Po kështu pjesëmarrja qe 49 për qind në lagjen 3, e cila përfshin zonën e Xhamllikut.

Pjesëmarrja në njësinë 5, e cila është konsideruar gjithmonë si bastion i së majtës, kësaj here qe vetëm 51% nga 61% që qe katër vjet më parë. Kjo qe edhe pjesëmarrja më e lartë e shënuar në zgjedhjet e të dielës së kaluar në kryeqytet. Njësia 5 qe edhe zona ku socialistët realizuan fitoren më të thellë në Tiranë me 53% kundrejt 23% që morën demokratët dhe 13% të LSI. Por edhe në njësinë 5, Socialistët humbën 1,300 vota në krahasim me katër vjet më parë ndërsa PD humbi afro 2,400 vota. Fitorja më e ngushtë e socialistëve u realizua në njësinë 8. Këtu socialistët fituan 43% ndërsa PD 33%. Në këtë lagje, socialistët morën 150 vota më pak se më 2013 ndërsa demokratët morën gati 1,700 vota më pak.

Rezultati është më i thjeshtë në pjesën tjetër të Bashkisë Tiranë të përbërë nga ish-komunat. Të trembëdhjetë ish-komunat kanë një pjesëmarrje shumë më të lartë në votime në krahasim me qytetin dhe fitorja e PS-së dhe e LSI-së është shumë më e thellë. Të dyja partitë që qenë pjesë e koalicionit qeverisës gjatë katër viteve të fundit kanë rritur numrin e votave në ish-komuna, ndërkohë që PD ka pësuar një rënie të lehtë. Të marra së bashku, në të trembëdhjetë ish-komunat, socialistët morën mbi 6 mijë vota më shumë se sa më 2013 ndërsa LSI mori rreth 2,800 vota më shumë përkundrejt rënies me 1,200 vota të PD-së.

Pjesëmarrja në votimet e 25 qershorit në ish-komuna qe 60%, më e ulët se sa pjesëmarrja 66% e vitit 2013, por shumë më e lartë se sa pjesëmarrja 49% e Tiranës qytet. Pjesëmarrja më e lartë u shënua në njësitë Shëngjergj e Bërzhitë respektivisht 70 dhe 71% ndërsa pjesëmarrja më e ulët u regjistrua në Ndroq dhe Kashar respektivisht 53 dhe 57%.

Në ish-Komuna socialistët realizuan edhe disa përmbysje të thella të rezultateve në krahasim me vitin 2013. Në Krrabë socialistët i dyfishuan votat duke fituar 69% ndërsa PD mori gjithsej vetëm 73 vota ose 5%. Në total në të gjithë ish-komunat, Partia Socialiste mori 54 për qind të votave ndërsa PD mori vetëm 24 për qind.

Zonat rurale historikisht në Shqipëri kanë qenë fushë e lehtë për fitore për partitë në pushtet, e dallueshme kjo në fitoret e thella të socialistëve në zgjedhjet e viteve 2000, 2003 e 2015 si dhe në fitoret relativisht të thella të demokratëve në vitet 2007 dhe 2011.

Socialistët e vërtetuan këtë rregull duke fituar vota në zonat rurale të Bashkisë së re Tiranë dhe duke humbur vota në Tiranën urbane. Kështu, nëse merren në tërësi njësitë përbërëse të Bashkisë Tiranë, socialistët morën 3,555 vota më shumë nga sa patën marrë në zgjedhjet e vitit 2013, por në Tiranën qytet ato morën 2,574 vota më pak ndërsa në Tiranën fshat siguruan 6,129 vota më shumë. Edhe LSI pati një rritje shumë të fortë në numrin e votave të marra në zonat rurale që janë pjesë e Bashkisë së re Tiranë.

BIRN

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “ANALIZA/ Tirana, qyteti që i hoqi 2,500 vota PS dhe 21 mijë PD”

  1. tralala zura nje gale says:

    Na keni ca trapin 😛

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *