DOKUMENTAT/ Kompanitë dhe qeveria përplasen për koncesionin e lojërave të fatit

23 Korrik 2017, 13:16Ekonomia TEMA

Nga Nertila Maho

Koncesioni për ndërtimin e sistemit të monitorimit online të lojërave të fatit ka ndezur një konflikt mes kompanive të këtij sektori, të përfaqësuar nga Shoqata e Shoqërive të Lojërave të Basteve Sportive dhe Ministrisë së Financave.

Shoqata ankohet se koncesioni, i miratuar në mars të këtij viti, dublon rolin e Autoriteti i Monitorimit të Lojërave të Fatit, duke i detyruar kompanitë të paguajnë disa herë tarifa për një shërbim që duhet ta kryente autoriteti.

Koncesioni

Qeveria, në mars të këtij viti, shpalli fituesin e koncesionit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit të Lojërave të Fatit. Bashkimi i kompanive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI” spolka akcyjna & “MC Networking” sh.p.k. paraqitën edhe ofertën fituese përballë një tjetër kompanie siç ishte “Qualysoft”GmbH & “Comtrade”, d.o.o & “Starsat International” sh.p.k. & “Communication Progress” sh.p.k.

Përfaqësuesja në Shqipëri e fituesit është kompania Mc Networking dhe ka një kapital të regjistruar prej 17.9 milionë lekë.

Kompania ka në objekt të saj një listë të gjatë opsionesh që nis nga tregtia me pakicë dhe shumicë e kompjuterëve, aksesorëve të ndryshëm kompjuterikë, aksesorë të ndryshëm elektronikë, aksesorë të ndryshëm të informatikës, shërbim interneti me shumicë dhe pakicë, shërbim interneti me fibër optike e deri te monitorimi i shtypit apo import-eksport.

Koncesioni për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit është parashikuar të jetë 30 vjet. Në fakt, ideja e një koncesioni për sistemin e monitorimit nuk është diçka e re.

Edhe në kohën e qeverisë Berisha u lakua kjo mundësi, e cila erdhi si rrjedhojë e konkluzioneve të nxjerra nga një studim që u bë me mbështetjen e PNUD në Shqipëri.

Përplasja në Gjykatën Kushtetuese

Në datë 6 qershor 2017, në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar një kërkesë nga Shoqata e Shoqërive që Operojnë në Fushën e Lotove dhe Basteve Sportive përfaqësuar nga juristi Florion Bregasi.

Në objekt të kërkesës qëndrojnë tri pika që në linja të përgjithshme japin qartë kundërshtimin e vendimit të qeverisë, që industria e lojërave të fatit të paguajë tarifë shtesë që do shkojnë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit.

Por cilat janë tri pikat që përmblidhen në objekt të çështjes:

1) shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 48, pika 2 shprehja “si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” të nenit 70 pika 12 shprehja “tarifa e mirëmbajtjes së tij që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara e ligjit nr.155, datë 21.12.2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.

2)Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të fjalisë së fundit të pikës 1 të dispozitave të përgjithshme, të pikës 2 dhe 3, të kreut IV të mirëmbajtjes së sistemit të vendimit Nr. 647, datë 14.09.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës dhe kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) si dhe autoritetin përzgjedhës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”;

3) Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e pikës 1, të vendimit Nr.331 të Këshillit të Ministrave, datë 12.04.2017 “Për miratimin e tarifës së mirëmbajtjes së sistemit qendror të monitorimit on-line që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” në lidhje me tarifat e mirëmbajtjes për kategorinë e basteve sportive.

Pretendimet e Shoqatës në Gjykatë

Në shkresën përmbledhëse të çështjes, shoqata thekson se sipas ligjit është Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit ai që ka përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë gjatë ushtrimit të veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit.

Në këtë kontekst, kompanitë e lojërave të fatit paguajnë në llogarinë e AMLF 3% të të ardhurave bruto nga loja, por jo më pak se 1.5 milionë lekë në vit për secilin subjekt. “Rrjedhimisht, çdo shpenzim të nevojshëm që ka apo mund të ketë AMLF, si person juridik për të kryer detyrën e përcaktuar me ligj, duhet ta mbulojë me të ardhurat që disponon në bazë të buxhetit të saj, pasi kjo është arsyeja pse shoqëritë e licencuara paguajnë tarifën 3% sipas nenit 14 të ligjit.

Në rast se një pjesë e mirë e detyrës do të kryhet nga një operator privat me anë të sistemit online, rrjedhimisht roli i AMLF-së ulet ndjeshëm dhe automatikisht, edhe shpenzimet e saj do të ulen, pasi nuk do të jetë më e njëjta ngarkesë pune.

Atëherë nuk ka arsye pse shpenzimet e sistemit të mos paguhen nga fondi i të ardhurave të AMLF-së”, – thuhet në pretendimin e shoqatës. Kjo e fundit pretendon se aktet normative bien ndesh me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi në rastin konkret interesi është tërësisht i njëanshëm dhe të ardhurat nga tarifa e mirëmbajtjes nuk do të shkojnë në buxhet.

Në këto kushte, shoqata kërkon vendosjen e një balance ndërmjet interesit publik përfaqësuar nga shteti dhe tarifës së mirëmbajtjes së një sistemi monitorimi e “pajustifikuar dhe e dispropocionuar në kosto”.

Te pretendimet e shoqatës nënvizohet edhe fakti që ka një rritje të vazhdueshme të kostove, ku përveç 756 mijë eurove që do të paguhen për sistemin e monitorimit, në bazë të ligjit kompanitë e basteve paguajnë edhe 0.5% të xhiros vjetore.

Kjo xhiro, sipas këtij segmenti, rezulton 72 milionë euro në vit, çka automatikisht e çon detyrimin për t’u paguar në 360 mijë euro. “Në total, për tarifën ditore dhe xhiron vjetore, kategoria e basteve paguan ndaj operatorit shumën 1.12 milionë euro”, – thuhet në llogaritjen e shoqatës.

Kjo e fundit rendit se vetëm për monitorimin sot paguhen tre tatime dhe tarifa: 3% e të ardhurave bruto nga loja, por jo më pak se 1.5 milionë lekë në vit për monitorimin nga AMLF, 0.5% mbi xhiron vjetore që faturon organizatori për mirëmbajtjen e sistemit online dhe së treti 0.70 euro pa TVSH si tarifë ditore për çdo qendër basti për mirëmbajtën e sistemit online.

Shoqata pretendon se ka një shkelje të nenit 18 të Kushtetutës që lidhet me parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit, kjo në raport me mënyrën si janë trajtuar kazinotë elektronike dhe Lotaria Kombëtare.

Në vëmendje sillet edhe aspekti se nuk ka një llogaritje të drejtë për tarifën e mirëmbajtjes, sepse kjo nuk është e bazuar sipas shoqatës në koston që ka operatori që ka fituar koncesionin. “Në rastin konkret, tarifimi paguhet mbi përqindjen e xhiros vjetore dhe tarifim për çdo njësi dhe jo mbi fitimin e shoqërive.

Shërbimi i mirëmbajtjes nuk mund të jetë në përqindje mbi xhiron por duhet të bazohet mbi kostot reale që i duhen operatorit që ndërton sistemin për mirëmbajtjen e sistemit. Tarifimi mbi xhiron është i padrejtë në kushtet kur shpenzimet e sistemit janë shumë herë më të vogla sesa përqindja që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara”, – thuhet në pretendimin e shoqatës.

“Lumë” shkresash pas Kushtetueses

Menjëherë pas marrjes dijeni mbi dorëzimin e kërkesës nga ana e Shoqatës së Shoqërive që Operojnë në Fushën e Lotove dhe Basteve Sportive në Gjykatën Kushtetuese duket se është vënë në lëvizje i gjithë zinxhiri i institucioneve të përfshira në procesin që lidhet me koncesionin e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit.

Burime pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit konfirmuan se ka një “lumë” shkresash të shkëmbyera mes Ministrisë së Financave dhe këtij institucioni, ku kërkojnë detaje mbi kërkesën e ngritur në Gjykatë.

Në një shkresë të datës 5 korrik, drejtuar Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Financave, Gelardina Prodani, kreu i AMLF, Zhani Çakuli, jep edhe detajet mbi çështjen që ka mbërritur në Kushtetuese dhe pretendimet e shoqatës.

“Së pari, në lidhje me pretendimin për cenimin e lirisë ekonomike që parashtron kërkuesi, mendojmë se parashikimet ligjore përmes të cilave shteti synon rregullimin e kushteve ku veprojnë operatorët ekonomikë në vetvete përfshijnë masa të cilat sjellin detyrime monetare, por kjo qartazi shprehur nga jurisprudenca dhe Gjykata Kushtetuese, nuk mund të trajtohet si cenim i lirisë ekonomike.

Parashikimi i një mekanizimi të ri që sjell një model të ri mbikëqyrjeje për shumat që qarkullojnë operatorët në tregun e lojërave të fatit nuk mund të goditet me arsyetimin që cenon lirinë ekonomike. Ky është një sistem që në thelb synon rritje transparence në një sektor problematik si ai i lojërave të fatit, aq më tepër në një moment të tillë kur nevoja për transparencë dhe gjurmim të çdo transaksioni është emergjente, kjo edhe në respektim të rekomandimeve të Task Forcës për Veprimet Financiare.

Në përputhje me rëndësinë që paraqet evidentimi në kohë reale i informacionit presim të garantohet përmes implementimit të SQMO-së mirëmbajtja e tij dhe mirëfunksionimi është thelbësor”, – thuhet në shkresën e AMLF. Lidhur me cenimin e parimit të propocionalitetit i ngritur nga shoqata AMLF vlerëson se detyrimi që legjislatori i ka njohur subjekteve lojëra fati të trajtohet në kapërcim të nevojave dhe i kryer me mjete të papërshtatshme dhe përfitimi të jetë më i vogël se e drejta që cenohet.

“SQMO-ja dhe rëndësia e të dhënave që eventualisht do të sigurojë dhe vërë në përdorim të institucioneve shtetërore justifikon dhe çdo detyrim mirëmbajtje pasi duhet garantuar vërtetësia, moscenueshmëria, funksionimi në vazhdimësi, ruajtja e informacionit dhe verifikimi i tij, pamundësia e cenimit apo ndërhyrjeve nga palët në informacionin që eventualisht do të mblidhet dhe administrohet përmes tij”, nënvizon Autoriteti.

Lidhur me pretendimin e cenimit të barazisë i njëjti institucion vlerëson se kjo nuk qëndron pasi kjo do të ndodhte vetëm nëse brenda kategorisë së basteve sportive, operatorë të ndryshëm do të ishin objekt taksimi i diferencuar.

Në fund, AMLF ka sqaruar se SQMO-ja nuk krijon përfitime për autoritetin por siguron informacion sensitiv e për pasojë nevoja e sigurimit të tij është primare. “Informacioni që eventualisht do të administrohet përmes Sistemit Qendror të Monitorimit të Lojërave të Fatit është i rëndësishëm për rregullimin e tregut ku veprojnë operatorët e lojërave të fatit, shmangien dhe minimizimin e shkeljeve që sjellin pasoja direkte në buxhetin e shtetit, përmes një taksimi real për çdo operator në fushën e lojërave të fatit duket shmangur evazionin fiskal dhe konkurrenca e pandershme”, – thuhet në mbyllje të shkresës firmosur nga kreu i AMLF, Zhani Çakuli.

Tarifat që u mbajtën sekret

Në prill të këtij viti, ashtu sikurse parashikohej në ligj, qeveria miratoi me një vendim të veçantë tarifat që do të aplikohen nga ana e koncesionarit mbi lojërat e fatit në funksion të shërbimit që lidhet me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.

Vendimi në fjalë nuk është publikuar në faqen e Kryeministrisë bashkë me vendimet e tjera të miratuara në datë 12 prill.

Por cilat janë tarifat që do të aplikojë koncesionari mbi pikat e basteve, kazinotë elektronike dhe Lotarinë Kombëtare. Sipas vendimit, tarifa ditore për çdo pikë bastesh në vend do të jetë 0.70 euro, ose 21 euro në muaj. Kjo e çon totalin që do të paguajë një pikë basti në 252 euro në vit.

Aktualisht sipas shifrave të deklaruara nga Shoqata e Shoqërive që operojnë në fushën e lotove dhe basteve sportive në treg janë rreth 3 mijë pika. Kjo do të thotë që totali që do të paguajnë pikat e bastit te konceisonari është 756 mijë euro.

Kategoria e dytë që do të paguajë tarifë për sistemin e monitorimit është ajo e kazinove elektronike që do të jetë 1.25 euro për çdo aparaturë apo makinë loje. Kjo do të thotë që për një aparaturë në muaj do të paguhet 37.5 euro, çka në një vit e çon detyrimin për t’u paguar në 450 euro.

Deri në vitin 2013, zyrtarisht rezultonin në treg 2200 aparate të instaluara brenda kazinove elektronike. Me këtë shifër, detyrimi total që ky segment do paguajë është 990 mijë euro nëse do të kemi të njëjtën sasi makinash.

Lidhur me Lotarinë Kombëtare, tarifa që është parashikuar për t’u paguar është 1 euro në ditë për njësi. Sipas faqes zyrtare të Lotarisë Kombëtare në të gjithë vendin rezultojnë rreth 425 njësi që tregojnë lojërat e kësaj kompanie. Kjo do të thotë që çdo njësi do të paguajë në muaj 30 euro dhe në vit 360 euro ndaj koncesionarit. Në total, gjithë njësitë do të paguajnë 153 mijë euro për sistemin e monitorimit.

Duke mbledhur të ardhurat nga të tre, segmentet rezulton që koncesionari do të arkëtojë rreth 1.9 milionë euro. Të gjitha llogaritjet nuk kanë të përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Mbetet e paqartë se cili do të jetë fitimi i koncesionarit në këtë aspekt për aq kohë sa specifikimet me të cilat është rënë dakord edhe me qeverinë nuk janë bërë publike përfshirë shpenzimet që do të ketë ndërtimi dhe mirëmbajtja e sistemit në një afat 30-vjeçar.

Sistemi i monitorimit

Në ligjin “Për lojërat e fatit” në Republikën e Shqipërisë shprehet qartë se synohet të ndërtohet një sistem monitorimi. Madje në pikën 2 të nenit që përcakton monitorimin thuhet se është qeveria ajo që përcakton tarifën e monitorimit dhe mënyrën sesi do të procedohet për autoritetin përgjegjës. “Sistemi Qendror i Monitorimit On-line (SQMO) i lojërave të fatit në Republikën e Shqipërisë shfrytëzohet nga Autoriteti i Monitorimit tw Lojwrave tw Fatit (AMLF), e cila merr të dhënat nga sistemi në kohë reale. Këshilli i Ministrave përcakton mënyrën dhe kriteret e përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë SQMO, autoritetin përgjegjës që do të kryejë procedurat e përzgjedhjes, si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” thuhet në ligj. Dhe pikërisht në fund të vitit 2016 do të niste të lakohej edhe mundësia e koncesionit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit të lojërave të fatit.
Një studim për nevojën e monitorimit ishte bërë vetëm në vitin 2012, nën asistencën e PNUD.

Qeveria shqiptare dhe PNUD ranë dakord në atë kohë, që ky studim të bashkëfinancohej dhe pas një gare që u zhvillua, fitues rezultoi konsulenti Purcell and Associates.

Kjo e fundit, në raportin final të dorëzuar në shtator 2012, bënte edhe rekomandimet për sistemin e monitorimit dhe ndryshimet e nevojshme ligjore. Ajo që në fakt ishte shqetësuese dhe që e zbulonte edhe raporti ishte niveli i informalitetit që automatikisht përkthehej në të ardhura të munguara në arkën e shtetit.

Konkretisht në studim thuhej se “rreth dy të tretat e tregut nuk janë të licencuara dhe funksionojnë jashtë kontrollit të organeve publike si dhe nuk paguajnë tatime nga të ardhurat e lojërave të padeklaruara në masën prej 192 milionë euro.

Sigurimi i një sistemi qendror të monitorimit do të lejojë zbatimin e rregullshmërisë duke siguruar që asnjë njësi, qendër, makinë apo individ të mund të vazhdojë aktivitetin e lojërave të fatit në mënyrë të pakontrolluar, përveç rasteve kur pajisjet e tyre janë të certifikuara nga subjektet përkatëse.

Kjo do ta bëjë më të lehtë për autoritetet publike dhe policinë të kontrollojë çdo pajisje ose lokal si dhe të kontrollojë licencat edhe nëse ata nuk kanë qasje në një bazë të të dhënave të licencimit.

Nga pikëpamja e taksimit, shifrat e vitit 2011 të publikuara nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit në Shqipëri tregojnë të ardhura tatimore për qeverinë prej 5.1 miliardë lekësh ose rreth 37 milionë euro, gjë që nënkupton se qeveria shqiptare po heq dorë nga një taksë prej së paku 9.1 miliardë lekësh apo 66 milionë euro në një mënyrë të ngjashme për llogaritjen e njëjtë për shkak të industrisë informale të lojërave të fatit që nuk paguan taksat”.

Në bazë të këtyre gjetjeve u hartuan edhe dokumentet për koncesionin e lojërave të fatit.

Gara do të hapej në kulmin e fushatës elektorale në vitin 2013 dhe vetëm një nga kompanitë që paraqiti ofertat përmbushte kushtet, por duke qenë se u vlerësua se nuk kishte garë mes operatorëve, tenderi dështoi për të përmbyllur një procedurë të suksesshme.

 

Ligji i ri, që nuk e disiplinoi dot sektorin

Industria e lojërave të fatit është një nga ato me qarkullimin më të lartë të parasë, por edhe me një numër të konsiderueshëm të punësuarish. Në vitin 2015 do të miratohej një ligj i ri që synonte të rregullonte këtë treg që në jo pak raste është akuzuar se operon në një nivel informaliteti të frikshëm.

“Fundi i marrëzisë” do të ishte fillesa e dorës së shtetit mbi këtë sektor që synoi formalizmin edhe pse më herët ishte deklaruar se ky sektor ishte një plagë për shoqërinë dhe një pjesë e segmenteve të tij duhej që të mbylleshin.

Ligji i ri, madje vendosi edhe një afat që ishte 31 dhjetori 2017 për hyrjen në fuqi dhe zbatimin e plotë të ligjit që i zhvendos kazinotë dhe pikat e basteve jashtë qytetit.

Por në prag të mbarimit të afatit dhe para një viti elektoral, industria e kumarit loboi fort dhe gjeti edhe mbështetjen e deputetëve për ta ngritur si propozim shtyrjen e afatit edhe më dy vjet. Kjo do të thotë që zbatimi i plotë i ligjit do të bëhet më 31 dhjetor 2018 sipas miratimit që dha Kuvendi i Shqipërisë.

Pra ligji “Për lojërat e fatit” i vitit 2015 do të nisë zbatimin e plotë të tij pas një faze tjetër tranzitore. Gjithsesi ky ligj, ashtu si dhe drafti i hartuar në kohën e qeverisjes Berisha parashikonte ngritjen e një Sistemi Qendror të Monitorimit të Lojërave të Fatit.

Ky sistem synon që të rrisë transparencën e transaksioneve që bëhen në njësitë e lojërave të fatit, duke ulur automatikisht edhe nivelin e evazionit në sektor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje