Kjo fitore si e Lulit!

23 Korrik 2017, 13:24Politika TEMA

Nga Andi Bushati

Më në fund Lulzim Basha e kapi një fitore. Madje fiks ashtu siç do ta kishte dashur. Me pjesmarrje sikur ta kishte shkruar vetë me dorë, me një rrezultat ngadhënjyes, duke mundur një rival që ngjante sikur kishte zbarkuar nga një planet tjetër dhe pa asnjë kundërshtar real në garën që dizenjoi vetë.

Ai sot mund të shkrijë, mund të riveshë edhe për një mandat tjetër kostumin me peshë të rëndë të liderit të opozitës dhe mund t’i rikthejë vetes për pak kohë qetësinë që i mungonte që prej 20 shkurtit.

Por pyetja themelore që rëndon mbi të është: përse i duhej kjo fitore? Përse i shërben ajo?

Sepse, pavarësisht se “mori” mbi 90% të votave të demokratëve ai sot është më keq se kurrë. Dhe kjo për tre arsye kryesore.

Së pari sepse humbja e thellë që ai i shkaktoi Edit të PD-së nuk mund t’a fshehë kurrë disfatën shkatërruese që ai pësoi nga Edi i Rilindjes. Në këtë kuptim, askush nuk beson sot se Lulzim Basha, ka idetë, moralin, kredon, integritetin dhe aftësinë për të konkuruar denjësisht me kundërshtarët e tij të vërtetë.

Po t’i shtosh kësaj arsye të parë edhe faktin se ai po starton në një betejë të re me një opozitë më të përçarë se kurrë, me një gati parti tjetër të lënë jashtë dhe qëllimi i së cilës është vetëm t’i shkurtojë ditët e tij në krye të PD, gjendja bëhet edhe më e rëndë. Topalli, Patozi, Bode, Bregu, Imami, Ruli dhe shumë të rinj të evidentuar në PD gjatë dekadës së fundit janë, në përfytyrimin kolektiv, imazhi real i kësaj force politike, me të gjitha arritjet dhe mëkatet e saj.

Dhe të kesh ata pas shpine dhe Ramën përballë nuk është e lehtë. Kështu që me gjasë Lulzim Basha do të jetë i detyruar t’i harxhojë energjitë e PD-së zyrtare më shumë për t’u mbrojtur prej njerëzve që i bëri armiq me zor, sesa për të sfiduar Ramën. Dhe ky nuk është një ogur i mirë për opozitën që nis në shtator.

Edhe më e rënë bëhet panorama po të numërosh pendët që ka lënë rrugës gjeli që fryhet me fitoren e sotme. Po të kthehesh pak në kohë dhe të numërosh zërat publikë që e mbështetën Bashën gjatë çadrës dhe të bësh një bilanc se kush i ka mbetur sot, shifrat janë të frikshme.

Nëse në aksionin për zgjedhje të lira dhe të ndershme atij i dolën në krah Fuga dhe Shkullaku, Lubonja dhe Gjekmarkaj për të përmendur vetëm emrat më të spikatur, ata sot janë të gjithë kritikë të ashpër të mënyrës se si Luli u soll me protestën, se si bëri marrëveshje me Ramën dhe në fund se si prodhoi vetë një farsë aty ku e kishte në dorë, në partinë e tij.

Pra në dy muaj, që prej 18 majit, ai ka humbur pothuajse gjithçka. Ai nuk ka pësuar vetëm disfatën më të thellë elektorale që ka njohur ndonjëherë PD-ja. Ai ka humbur mbi të gjitha besimin publik se është një politikan që mbron disa vlera dhe parime.

Ai i ka shkaktuar PD-së një traumë përçarëse më të madhe se ajo e largimit të mocionistëve në vitin 1993. Ai ka larguar nga kauzat e opozitës edhe ata zëra intelektualësh publikë, që pavarësisht shantazheve të egra dhe joshjeve financiare të regjimit barbar të Rilindjes i dolën në krah në ditët më të vështira.

Prandaj pyetja që shtrohet sot ështe: si do t’i bëjë ballë Lulzim Basha këtij rregjimi, me një parti të ndarë në dysh dhe pa “ndihmën” e atyre që e mbështesnin nga jashtë deri më sot?

Pa i dhënë përgjigje këtyre dilemave rrezultati i se shtunës nuk ka anjë vlerë. Ngadhënjimi mbi Selamin nuk ka asnjë peshë. Sepse shkrirja e Lulit është fillimi i ngrirjes së frontit opozitar. Prandaj ajo është një fitore qesharake. Një fitore si e Bashës. (Lapsi.al)

3 komente në “Kjo fitore si e Lulit!”

  1. Arber Iliri says:

    Bushato si more e paskan lene edhe Fuga, gjekmarkaj e te tjere, kjo eshte problemi me i madh hahahaha.ata te kater qe permende zotrote ne ketej na fshati i thomi,:’Ti kesh miq te prishin pune, ti kesh armiq te hane mune”

  2. Alfa says:

    Ti Bushato je per gjynof te del Edi Rama dhe ne enderr. Cben o burre, mgjs ku je burre ti, keshtu thote kazani, sigurisht pas shpines tende.

  3. andromeda says:

    Regjim barbar është vetëm regjimi i Berishoviçit, o tru tharë dhe mësohu me idenë se shkaktar i vetëm i kësaj katrahure është vetëm ai – Sali Ramë Berisha, i cili bën gjithshka të ketë kontrollin e partisë e ta përdorë atë si çadër për të mbrojtur interesat e familjes së tij nga halli i reformës në drejësi. Regjimi i Berishës është barbar sepse në të vegjetojnë sejmenët e vet kryesisht ‘dru me pre’ të ardhur nga trevat e veriut moto e jetës së të cilëve është imoraliteti, vjedhja, gjakmarrja, gënjeshtra, …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje