A i leverdis Bashës një koalicion me LSI?

4 Gusht 2017, 18:47Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Monika Kryemadhi hodhi një ftesë publike për Lulzim Bashën, kur foli për një front të bashkuar opozitar kundër Edi Ramës. Një mesazh i tillë është përsëritur shpesh nga ana e LSI në javët e fundit, edhe si një tentativë për të futur sadopak në mendime të “gjithëfuqishmin” Edi Rama, për atë që do të ndodhë pasi parlamenti të mblidhet në shtator. Duke u bërë gati për një sezon të fortë opozitar, LSI po tenton të tërheqë pas strategjisë së saj edhe PD, e cila nuk ka dalë ende nga tuneli i sherreve të brendshme që shkaktoi rizgjedhja e Lulzim Bashës në krye të partisë.

Në ekonominë elektorale të numrave, një afrim PD-LSI do të çimentonte në parim një situatë e cila sot është mëse e pranueshme për partinë e Metës, por totalisht negative për PD e Bashës. Sepse PD humbi plot 200 mijë vota në 25 qershor dhe kjo rrjedhje mund të lexohet fare lehtë si një apati dhe indiferencë e votuesit të djathtë. Por edhe si një flirt i përsëritur i këtyre zgjedhësve (edhe në vitin 2013), me LSI, e cila tashmë e ka kolauduar sistemin e vjeljes së votave nga parti politike që janë në vështirësi. Kjo gjendje ka prodhuar një realitet të ri numerik, tejet problematik për PD, ku në një pjesë jo të vogël të territorit, partia historike e të djathtës shqiptare nuk lufton më me PS, por me LSI. Që do të thotë se Lulzim Basha ka humbur jo vetëm kontaktin viziv që ka me vendin e parë, por sheh t’i afrohet kërcënueshëm edhe konkurenti i tretë në garë.

Nëse Basha vendos të afrohet me LSI, duhet të ketë parasysh se do ta ketë të vështirë të rikthejë në shtëpi votuesit që e kanë braktisur plot dy herë (për të mos folur për zgjedhjet lokale të 2015), duke vënë vendin e punës mbi preferencat partiake dhe simpatitë e vjetra politike. Një opozitë e fortë dhe e ndershme do të ishte përgjigja e vetme për Bashën, në kushtet kur ka përballë një shumicë solide që nuk pyet më për askënd, por edhe një opozitë konkurrente që ka treguar se i luan të gjitha lojrat e imagjinueshme për të arritur qëllimet e saj.

Natyrshëm, termi “bashkëpunim” është tejet flu dhe i papërcaktuar, sidomos kur bëhet fjalë për parti politike që kanë objektiva të ngjashme në katër vitet e ardhshme. Gjithsesi çdo forcë politike ka pigmentin e saj, rrugët dhe mjetet e saj të luftës parlamentare. Dhe në këtë aspekt, LSI dhe PD vijnë e takohen nga pikënisje të ndryshme, në sallën e Kuvendit në legjislaturën e shtatorit. Basha duhet të vendosë se sa dhe se si do t’i qëndrojë marrëveshjes së 17 majit me Ramën, kurse Kryemadhi e Vasili vijnë nga një fushatë e helmët, pas katër viteve bashkëjetesë në qeverisje. Dinamikat janë të ndryshme, edhe qasjet pritet të jenë të ndryshme. Aq më tepër që dy partitë e mëdha kanë pasur tradicionalisht mendime të ngjashme në lidhje me “partinë e mesit”. (Javanews)

1 komente në “A i leverdis Bashës një koalicion me LSI?”

  1. Shoku shpati says:

    Aman mesoje njecike PD se
    ATA s’dine hic
    Dhe ti je njeri qe ju do te miren.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje