Dialog me poetin Ali Podrimja, për miqësinë Dritëro- Kadare: E dua si bukën, diskutonim me të për gjëra që të futnin dridhmën në atë kohë

28 Janar 2021, 11:10Kulturë TEMA

Elona Agolli, vajza e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli të ndarë nga jeta rreth 4 vite më parë, risjell një dialog mes tij dhe shkrimtarit nga Kosova Ali Podrimja për marrëdhëniet me të madhin e letrave shqipe, Ismail Kadare.

Për Kadare, i cili sot ka ditëlindjen, Agolli shkruante se kanë qënë miq dhe e ruajnë miqësinë e fortë. Madje përshkruan dhe momente kur diskutonin për gjëra që të fusnin drithmën për atë kohë.

Podrimja: Në të njëjtën ndërtesë jetoni me Kadarenë , po udhët tuaja kanë kahje të ndryshme . Me siguri miqësinë nuk e keni lënduar ?

Dritëro Agolli : Nuk jemi edhe aq të ndryshëm në pikëpamje me Ismail Kadarenë. Ne i kemi patur të afërta mendimet për letërsinë dhe artin, madje edhe për shoqërinë.

Në jetën tonë asnjëherë nuk jemi zënë dhe nuk i kemi mbajtur mëri shoku-shokut. Në rrethana të vështira , jo për fajin tonë , kemi patur edhe ndonjë fërkim. Por e kemi kuptuar fare mirë njëri tjetrin.

Kokë më kokë kemi diskutuar gjëra që në atë kohë të fusnin drithmën. Ndryshimi mes nesh është se ai nuk jeton si unë në Shqipëri.

Dhe mund të ketë ndonjë mendim të kundërt nga unë për ecurinë e proceseve shoqërore. Këtu qëndron edhe bukuria e shoqërisë pluraliste.

Le të ketë mendime të ndryshme. Mendimi duhet respektuar. Nuk është intelektual ai që nuk respekton mendimin e dytë apo të tretë.

Unë e ruaj miqësinë me Ismail Kadarenë , pasi e çmoj si një vlerë kombëtare. Për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet qofshin edhe të kundërta në raportet miqësore me Ismail Kadarenë.

Në këtë miqësi unë jam i qëndrueshëm , pasi nuk jam as ekzaltues dhe as euforik. Me atë sillem si me bukën. Para bukës njeriu nuk ekzaltohet dhe nuk mburret se ha bukë.

Thjesht ha, pasi i hahet. Kështu duhet të jetë miqësia. Edhe ty Podrimja unë të dua si bukën, ndofta me nuanca më të ndezura , më të drejtëpërdrejta.

Të dua si njeri dhe si poet , megjithëse shpesh mund të kemi pikëpamje të ndryshme për botën që na rrethon , ti mund t’i shohësh sendet në harmoni , kurse unë mund t’i shoh në kaos, pasi jetoj mes kaosit./ 29 qershor 1996

1 komente në “Dialog me poetin Ali Podrimja, për miqësinë Dritëro- Kadare: E dua si bukën, diskutonim me të për gjëra që të futnin dridhmën në atë kohë”

  1. Taruba says:

    Kot e keni, lerini si kane qene, sherbetore te bindur te Enver Hoxhes, lere cfare thone tani se kane pasur ne koke. Kjo qe ben sot vetem se i zhburreron akoma me shume.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje