Shkolla eseistike e Kadaresë, ose gazetaria si paraletërsi

7 Gusht 2017, 12:28Blog TEMA

Nga Aleksandër Çipa

Refleksion i pamjaftueshëm rreth sprovës “Kombi shqiptar në prag të mijëvjecarit të tretë”

Sic është e përhershme në natyrën e shkrimtarit, letërsia që ai shkruan nuk ndahet asnjëherë prej zellit për refleksione dhe shkrimtari ekstra-letrare. Në këtë natyrë klasike udhëtojnë nëpër rritjen dhe ndikimin e tyre në shoqëri shkrimtarët. Edhe brenda kësaj rrjedhe klasike,shfaqen specifika. Borgesi është modeli sipëran i shkrimtarit enciklopedik dhe erudit. Ndryshe prej tij është Sartri, i cili bëri letërsi dhe njëkohësisht filozofi. Shkrimtari ynë dominant, Ismail Kadare, ka bërë njëkohësisht letërsi dhe ese, domethënë një lloj paraletërsie ose ekstra-letërsi, të cilën pa ngurim mund të konsiderojmë një zhanër parësor për shkrimtarët e kalibrit. A nuk e ka bërë këtë Borgesi me librat e vet si “Inkuizicionet e tjera”,”Libri i qënieve imagjinare”,”Vdekja dhe busulla” etj,.etj,. “

Mirëpo Kadare sikundër është shkrimtar i meritave sipërane në letërsinë e vet, i tillë paraqitet edhe në zhanrin e vet,atë të ekstraletërsisë eseistike. Ai mund të krahasohet me eseistin e lartuar dhe të lexueshëm në gjithëkohësi, pra Stefan Zweigun, por nuk është i ngjashëm me të. Profilet eseistike të Zweigut për Stendalin, Balzakun,Tolstoin apo disa prej gjenialëve të letërsisë së përbotshme janë modele par excellence të shkrimtarisë narativo-refleksionuese, por esetë e Kadaresë në kohë të parreshtur të jetës prej shkrimtari, përbëjnë një model atipik, i cili tashmë përbën një pjesë serioze të procesimit kurikular në disa universitete filologjike në botë. Diçka e tillë me kohë duhej përfshirë edhe në fakultetet tona filologjike si hise më vete dhe jo e parë në kontekst me gjithë veprën letrare të Kadaresë. Kjo paraletërsi e Kadaresë e mban të hapur diskutimin dhe debatin për klasifikimin e saj si ese, studim,analizë,kritikë apo qasje filozofiko-filologjike.

Unë kam gjetur një ndër esetë më pak të diskutuara në mediumet tona dhe sidomos të pak-përmendur prej vetë shkrimtarit pasi e ka publikuar. E kam fjalën për sprovën “Kombi shqiptar në prag të mijëvjecarit të tretë”, e publikuar në vitin 2013. Përmes një strukturimi në katër nëncështje, Kadare u rikthehet disa cështjeve eminente që përbëjnë thelbin e krizës dhe të mungesës së një reference doktrinore për shqiptarët dhe shoqërinë shqiptare sot. Kësaj teme Kadare me konsistencë i është rikthyer dhe e ka pasuruar si refleksion,studim dhe sprovë kohë pas kohe. Në këtë aspekt ai të kujton Jacques Derrida-n kur pohon se: “ajo që me intereson është zhvendosja në përsëritje”. Kadare nuk është si Sartri që bënte njëkohësisht letërsi dhe filozofi. Kadare është si Borgesi që e shumëfishonte dijen që i jep lexuesit, duke shtuar të renë mbi të shkruarën hershëm. Kështu bën edhe në sprovën që po marrim në shqyrtesë. Zhvendoset në një kontekst të ri kohor për shqiptarët dhe Shqipërinë, duke tërhequr shtueshëm fillin e hershëm të nisur nga rilindasit, nga Konica që ndryshe mund të cilësohet si Emil Ciorani shqiptar apo Gjergj Fishta që lartoi himnizueshëm historinë e shkuar për të ndërgjegjësuar bashkëkohësit e çororditur. Në sprovën në fjalë Kadare shprehet:” Kështu në ag të clirimit të Shqipërisë, i kemi pasur të dyja prirjet: atdhedashurinë e disave dhe ashqiptarizmin, e disa herë, kundërshqiptarizmin e të tjerëve”.(Kombi shqiptar në prag të mijëvjecarit të tretë)….

“Gjëmat kombëtare nuk janë një arsye për t’u ftohur me atdheun, por përkundrazi , për t’u afruar më fort me të”. Referenca ndaj rilindasve të cilët e sublimuan dhe himnizuan historinë shqiptare, nuk janë thjesht një referencë skematike për Kadarenë, por konsiderohen thelbësisht si brendi dhe themel doktrinor për kombësinë dhe jetësimin e unitaritetit kombëtar në kohë të sotme dhe të ardhme. Në këtë qasje Kadare duket po aq shëmbëllan me Victor Bernard, shkrimtarin francez modern të viteve 1890, i cili shkruan, jo në mënyrë poetike, por konkrete për shqiptarët. ”Ekziston në Gadishullin Ballkanik një popull i cili nuk ka rrojtur kurrë nga vetja e vet e as për veten e vet, por roli i tij gjatë shekujve ka qenë që ai t’u japë pa ndërprerje kombeve fqinjë lëndë njerëzore.” Sikundër po aq pasues duket Kadare në këtë sprovë me shkrimtarin politolog Mit’hat Frashëri në botimin në frëngjisht të sprovës: ‘Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë”, publikuar në Gjenevë më 1919.

Në kapitullin “Psikoza mohuese” të kësaj sprove Kadare shton tezën e vet sipas së thënës të Heraklitit: ”Më parë duhet të shuajmë mbimasën, pastaj zjarrin”. Dhe e ka fjalën për mbimasën e marrëzisë kolektive që karakterizon shoqërinë tonë në momente të caktuara.Mjafton të sjellim në kujtesë si dëshmitarë dhe personazhe të vitit të mbrapshtë 1997 dhe ta perceptojmë thelbësisht nevojën e shuarjes së mbimasës. Në brendinë e pështjelluar të shoqërisë, Kadare vijueshmërisht hap një dritare, prej së cilës depërton dritë shikimi ndryshe dhe shqyrtimi.
Tek shtesa e emërtuar “Mbi drejtpeshimin”, Kadare flet për ringritjen morale të shoqërisë. Një apel dhe tezë e mbajtur dhe e mbartur si qasje dhe domosdoshmëri gjithmonë në debatin publik prej Kadaresë, pra është në atë ngasjen e tij të Derrida-s për zhvendosjen në përsëritje.

Mjafton kjo sprovë për ta mbajtur në argument konstatimin tim se shkolla eseistike e Kadaresë është ajo që ndryshe mund të cilësohet gazetaria si paraletërsi.Esetë dhe sprovat e Kadaresë përbëjnë një model atipik të pasurimit dhe përmirësimit si estetikë shkrimore, por edhe si specifikë dhe valencë e lartë mendimi në krejt përvojat e ngjashme të shkrimtarëve të përbotshëm në gjithëkohësi.

2 komente në “Shkolla eseistike e Kadaresë, ose gazetaria si paraletërsi”

  1. luzati says:

    Qysh ,kure jane bere gazetaret kritike te letersise ,dhe po analizojne IK.keta gazetare te analizojne gazetarine qe eshte cope-cope qe do te ishte nje opozite e mire e pushtetit por meret me gjera qe nuk i takojne…

  2. Mikrofoni says:

    O shook Aleksander Cipa, qe te mos mbetesh servil dhe cipave gjithe jeten po te ftilloj se Ismail Kadareja paska denonceer tek dictatorial ehe motter e tij, mendo qe keshtu i bie qe nuk e kismet per gje te qinte edhe nenen tende e te kujtdo leshkoje tjeter, persa i sterbetohej Enverit se vepra e tij i sherben partise… Kaq mjerane mbetet sa edhe kur u shkerdhejne robt u puthi doren, o mostrat dhe moralistet e medias/1

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje