Politikë në pikë të vapës

12 Gusht 2017, 20:31Editorial TEMA

Nga Mero Baze

Ndërsa zjarret vazhdojnë djegin qindra hektarë kullota dhe pyje në Shqipëri, politika po sforcohet të gjejë tema debati artificiale, për t’u dukur sikur ka dhe ajo mendimin e vet për këto çështje. Meqë jemi tek tema e zjarreve, ka tre këndvështrime të ndryshme opozitare për to.

E para, është ajo e PD, e cila e shikon arsyen e zjarreve tek fakti që Edi Rama lahet në det dhe Mimi Kodheli ka dalë në foto me kostum banjo. Kjo, sipas opozitës më të madhe në vend, është arsyeja përse Shqipëria po digjet. Ajo nuk ka asnjë propozim për nisma ligjore apo vendime që do të krijonin një infrastrukturë kundër zjarreve në Shqipëri. Problemi i saj është pse Edi Rama po lahet në det.

Një tjetër pjestar i opozitës, kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, ndryshe nga gjithë opozita, i shikon si zjarre të qëllimshme kundër pakicës greke. Biles këtë e kombinon dhe me mungesën e  ujit dhe dritave në zonat ku banon pakica greke.

E çuditshme në këtë pikë, është se si qeveria shqipare nga një anë i vë zjarrin kullotave ku jeton pakica greke dhe nga ana tjetër thërret Greqinë në ndihmë të shuajë zjarret. Apo me siguri që të dëmtojë financiarisht dhe Greqinë në këtë rast.

Një tjetër opozitar nga këndvështrimi i LSI, i shikon zjarret si problem klientelist i partisë në pushtet me zjarrvënësit. Ai i shikon zjarret si të ndezura qëllimisht nga njerëz të qeverisë, të cilët nuk i prek policia. Nuk kuptohet pse qeveria, pasi e ka mundur opozitën, kërkon dhe ta djegë në zjarr, dhe akoma më shumë, nuk kuptohet pse qeveria robtohet për t’i fikur zjarret që i ndezin njerëz të saj!

Edhe më keq se zjarret, ndodh me aksidentet dhe mbytjet në det. Përditë ka aksidente dhe njerëz që vdesin në rrugë dhe mbyten në det, dhe për çdo ditë ka deklarata që, sidomos për mbytjet në det, dhe kur u pushon zemra, fajësojnë qeverinë.

Edhe më keq ndodhi sot në Tiranë, kur makina që drejtohej nga një deputet, u përfshi në një aksident të rëndë për faj të kalimtarit që ndërpret autostradën, dhe opozita më e madhe në vend, që nuk dihet nga ka qenë fshehur gjithë këto javë, zgjohet që në pesë të mëngjesit dhe i kërkon policisë të hetojë rastin, pasi deputeti është mik i Edi Ramës. Në fakt, deputeti ka qenë aleat i PD mandatin e kaluar, por meqë këtë radhë ka marrë aq vota në Elbasan sa ka marrë dhe PD, duket se është shpallur armik. Paradoksi është se policia është nën drejtimin e ministrit teknik të PD dhe mund ta hetojë rastin pa asnjë shqetësim, pasi siç dihet, ministri teknik nuk flet me gojë me Edi Ramën.

Sikur të mos mjaftojnë gjithë këto opozitarizma të sforcuara, del dhe Edi Rama bën bilancin e dëgjesave nga çdo rreth. Sot e kishte Berati, i cili ka kopjuar gjithë Shqipërinë, duke kërkuar ujë, drita dhe punë. E vetmja vërejtje që ishte fshirë nga raporti, duket se është ajo që në këto takimet me popullin, bën shumë vapë.

Duke qenë se është kulmi i pushimeve në mes të muajit gusht, është e kuptueshme që ka shumë pak tema politike për të diskutuar dhe nuk është mëkat që të mos flasësh kur nuk ke përse flet. Se boll vapë është dhe pa folur.

4 komente në “Politikë në pikë të vapës”

  1. Selim Rroshi says:

    Thjeshte shteti te perdore mekanizmat e vet e te gjeje pse kaq masive keto zjarre pa rama le te beje pushime si gjithe dynjaja. E keqja eshte se shteti duket qe ska fuqi te luftoje fenomenin po te pakten te gjeje kush po e ben barinjte apo kanabistet qe hapin toka te reja. E keta te fundit i rendojne vetem qeverise ndaj se paku te distancohet me to.

  2. © KENDVESHTRIM TJETER © says:

    Po te lexosh romamin e Balzakut “Fshataret” bindesh per zlarrvenien !

  3. Ilo says:

    Sa folet ju z. Mero ra shi ne Tirane! Ishallah edhe ne Fierze!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje