Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës, PAN bojkoton Parlametin

14 Gusht 2017, 13:09Rajoni TEMA

Kuvendi i Kosovës, është mbledhur sërish për të katërtën herë radhazi në përpjekje për të zgjedhur udhëheqjen e re. Në sallën e Kuvendit, sërish nuk janë të pranishëm deputetët e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës dhe ata të komuniteteve pakicë (PAN).

Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, deputeti Adem Mikullovci, që në fillim ka thënë se në mungesë të deputetëve do të shkohet në një pushim prej 15 minutash.

Pas pauzës, deputeti Mikullovci thirri përfaqësuesit e partive politike në një takim konsultativ të mërkurën në orën 10:00.

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në seancën menjëherë kur ishte caktuar vazhdimi i seancës javën e kaluar.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve.

Përfaqësuesit e Ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë thënë se janë të shqetësuara me gjendjen e krijuar në Kosovë, si pasojë e moszgjidhjes së institucioneve të reja.

MBLIDHET PER TE KATERTEN HERE SEANCA KONSTITUIVE E KUVENDIT
Për të katërtën herë radhazi është mbledhur seanca konstitutive e Kuvendit, nga kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci.

Seancat e kaluara dështuan pasi që deputetët e koalicionit fitues të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, që njihet me shkurtesën PAN, nuk ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit për të propozuar kandidatin për kreun e Kuvendit.

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë as në seancën e radhës, pasi kanë kërkuar konsultime shtesë.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kryesuesi i seancës konsituive deputeti Adem Mikullovci është duke bërë gabime, pasi, siç shprehet ai, më shumë është duke e ndjekur politikën e Vetëvendosjes, sesa të unifikimit të spektrit politik.

“Ne e kemi bërë të qartë se pa takime konsultative, pa takime të gjithë spektrit politik dhe grupeve parlamentare, nuk do të marrim pjesë në seancë”, deklaron Lekaj.

Drejtuesit e partive politike që janë pjesë e këtij koalicioni, Kadri Veseli(PDK), Ramush Haradinaj (AAK), Fatmir Limaj (NISMA) kanë zhvilluar të shtunën një takim me Ukë Rugovën, vëllanë e deputetes Teuta Rugova.

Zyrtarët e partive politike thonë thënë për Radion Evropa e Lirë, se takimi është mbajtur për të thelluar vazhdimin e bashkëpunimit dhe, siç thanë ata,është biseduar për formimin sa më shpejt të institucioneve të Kosovës.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë 10 ditëve të ardhshme pritet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe më pas të formohet edhe Qeveria e re e Kosovës.

“Tani jemi në tendencë ose në përpjekje që ta rikthejmë seancën. Seanca rikthehet pas dakordimit të partive politike, por nuk mund të kthehet njëanshëm. Dhe, mendoj se duhet të shfrytëzohen konsultat për dakordim për seancë. Ka terren, pra 10 ditë nga sot, ka terren për mbajtjen e seancës, por nxitimi edhe thirrja e seancës njëanshëm nuk është zgjidhje”, ka deklaruar Haradinaj.

Nga ana tjetër, edhe i nominuar nga koalicioni PAN për kryetar të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se institucionet e Kosovës do të formohen shpejt. Veseli ka deklaruar të shtunën për mediet në Prizren se Kosova, brenda 10 ditëve, do t’i ketë institucionet e reja.

​Veseli ka pohuar se Kosova shpejt do ta ketë Kuvendin dhe Qeverinë e re dhe sipas tij, i mandatari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, është në fazën përfundimtare të konsultimeve me partitë politike.

Nga ana tjetër, Shkodran Hoti, zyrtar për media në Lëvizjen Vetëvendosje thotë për Radion Evropa e Lirë se mospjesëmarrja e PAN-it në seancë, siç shprehet ai, “është përgënjeshtrim i asaj që deklaronin ata për numrat dhe vërtetim i asaj që e thoshim ne”.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, aktualisht kryeministër në detyrë, në një postim të llogarinë e tij në facebok, shkruan se koalicioni i LDK -së nuk është duke e bllokuar krijimin e institucioneve, porse situatën po e mban peng koalicioni i PDK-së.

 

1 komente në “Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës, PAN bojkoton Parlametin”

  1. Skënder says:

    Hajdutët e kriminelët e PAN po bllokojnë punën e kuvendit sepse nuk kanë numra për të qeverisur. Edhe pse kanë blerë të tërë deputetët e minoriteteve dhe votën e Teuta Rugovës duke i premtuar vëllait të saj lirim nga akuzat penale dhe post në qeveri ata prap nuk i kanë numrat. Kisha respekt për Haradinaj po me këto që po ndodhin e ka ulur veten shumë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje